Al-Khelaifi zbulon planin e PSG për të pushtuar botën me dyshen Neymar-Mbappe

Gazeta Dita

Presidenti i PSG, Nasser al-Khelaifi, në një intervistë të dhënë për angleze “Daily Telegraph” ka shpjeguar se si investimet rekord të bëra nga klubi për Neymar dhe Mbappe do të jenë fitimprurëse dhe do të konsiderohen në të ardhmen si “operacione të suksesshme”. Gjithashtu, ai ka shpjeguar edhe si PSG synon “të bëhet një nga klubet më të mira në botën e futbollit”. Numri një i parisienëve është i bindur se UEFA nuk do të gjejë asnjë shkelje nga ana e klubit të tij.

“Ne kemi punuar shumë në gjashtë vitet e fundit për të rritur të ardhurat e klubit dhe e kemi realizuar këtë nëpërmjet biletave, sponsorëve, marketingut, ndeshjeve dhe të drejtave televizive. Nga 90 milionë euro kemi shkuar në 500 milionë euro në dy sezonet e fundit”, ka thënë ai. “Na ka mbetur edhe një vit për të respektuar kriteret e FFP. Kemi kohë deri në 30 qershor të 2018-ës. Kështu, i them të gjithëve: qetësohuni dhe mendoni për projektet e juaja.

Ne po mendojmë për projektin tonë”.Në prag të ndeshjes së Champions League kundër Celtic, në një grup ku përfshihen edhe Bayern Munich me Anderlecht, “projekti” i PSG ka marrë një shtysë të mirë nga marrja në ekip e Neymar, Mbappe dhe Dani Alves. “Investimi që kemi bërë është afatgjatë dhe jam i sigurt se në dy vite, maksimumi tre, të gjithë do të thonë ‘shikoni Parisin, ata kanë bërë një punë të shkëlqyer’”, ka thënë Khelaifi.

“Është një gjë e mirë që i morëm tani, sepse kostot e lojtarëve, rrogat dhe të ardhurat e klubeve po rriten ndjeshëm në botën e sportit dhe veçanërisht në futboll. Ne jemi të kënaqur me vendimet që kemi marrë”.Nëse blerja e Mbappe krijoi shumë zhurmë kryesisht në Francë, ajo e Neymar synonte të tërhiqte vëmendjen e të gjithë planetit. Dhe plani ka funksionuar, siç e konfirmon edhe episodi i rrëfyer nga Al-Khelaifi gjatë prezantimit të brazilianit para mediave botërore muajin e kaluar: “Kam folur me pronarin e Globo TV në Brazil dhe ai më tha:

‘Gjeje sa brazilianë e kanë ndjekur prezantimin e Neymar, vetëm prezantimin, jo ndeshjen e parë’. Unë thashë ‘pesë milionë?’ Ai tha ‘jo’. Unë thashë ’10 milionë’? Ai tha ‘jo’ – ‘85 milionë’. Është e jashtëzakonshme. Tani kemi një problem të bukur për të zgjidhur. Na kanë mbaruar fanellat! Kjo është një gjë e madhe për ne. Kam qenë në Amerikë javën e kaluar dhe kam parë fanella të PSG kudo. E njëjta gjë është në Azi, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme”.Shitjet e fanellave u rritën dhjetëfish në ditën kur Neymar u prezantua dhe me 75% në ditët në vazhdim, teksa në dyqanet e klubit janë shitur 210.000 produkte të PSG. Në fakt, ekziston rreziku që të mbarojnë të gjitha fanellat; PSG është në diskutime me Nike për të prodhuar të tjera. “Neymar është një yll ndërkombëtar”, ka thënë Khelaifi.

“Një markë ndërkombëtare. Të gjithë po pyesin ‘çfarë po ndodh në Francë dhe në kampionatin francez? Neymar po luan për Paris Saint-Germain!’ Edhe njerëz që nuk janë tifozë të futbollit po e thonë këtë. Ndeshja e parë e Neymar kundër Guingamp u transmetua në 183 vende. Një arritje e madhe për Francën dhe kampionatin francez. Është një gjë e mirë edhe për Champions League, sepse do të ketë një tjetër klub në gjendje të luftojë me të mëdhatë e futbollit”.Më pas Al-Khelaifi ka zbuluar se si është arritur marrëveshja për Mbappe. “Jemi takuar me të dhe familjen e tij tri herë gjatë dy muajve dhe ata nuk kanë folur kurrë për para”, ka thënë ai. “Është e pabesueshme.

Unë u befasova. Kemi folur për projektin dy ose tri herë dhe më pas mendoja se do të fillonin negociatat, por për ata nuk kishte rëndësi kjo, atyre u interesonte më shumë të flisnin për vizionin e futbollit, se cila ishte e ardhmja dhe plani për lojtarin”. Neymar është 25, Mbappe 18 dhe Al-Khelaifi ka thënë se është shumë e rëndësishme për PSG të ketë një ekip të ri. “Kjo është ajo për të cilën kemi punuar në gjashtë vitet e fundit”, ka shpjeguar ai. “Neymar dhe Mbappe janë një investim për tetë ose 10 vitet e ardhshme. Mbappe është 18 vjeç. Ai mund të luajë për 15 vite të tjera.

Neymar mund të luajë për nëntë, 10 vite. Do të bëjmë gjithçka është e mundur t’i mbajmë këtu për një kohë të gjatë”.Sezonin e kaluar PSG pësoi një eliminim dramatik nga Champions League kundër Barcelona-s, duke humbur 6-1 ndeshjen e kthimit në Spanjë pas fitores mbresëlënëse 4-0 të arritur në Francë. Në prag të sezonit të ri të Champions League Al-Khelaifi, edhe pse nuk do të vërë nën presion lojtarët, ka bërë të qartë se triumfi në këtë kompeticion është objektivi kryesor.

“Mendoj se tani jemi më të fortë, por ky është futbolli. Jam shumë optimist dhe i entuziazmuar për faktin se do ta luajmë ndeshjen e parë në fushën e Celtic. Ata kanë tifozë të mrekullueshëm dhe atmosfera do të jetë e jashtëzakonshme. Është ndeshja e parë në grup dhe unë pres me padurim të ndjek”, ka përfunduar Al-Khelaifi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *