Një pjesë e aeroportit Laguardia e Nju Jorkut është evakuuar për shkak të një pakoje të dyshimtë që është gjetur nga autoritetet amerikane. Nuk dihet ende nëse ka rrezik konkret por autoritetet vendase po marrin masat për të shmangur rreziqet e tjera.
Ky qytet është në gjendje të shtuar sigurie si masë paraprake pas shpërthimeve te ndodhura ne Boston. Ndërkohë FBI-ja ka bërë të ditur se nuk ekzistojnë të tjera kërcënime në Boston ku nga shpërthimet e një dite më parë humbën jetën tre persona, mes të cilëve edhe një fëmijë tetë vjec si dhe u plagosën 150 persona të tjerë.
Asnjë person apo grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet. Por presidenti Barack Obama tha se personat përgjegjës do të gjenden dhe do të sillen para drejtësisë. Në Los Anxhelos janë vendosur policë shtesë në pikat e tranzitit dhe në vende të tjera publike. Policia në Nju Jork, Uashington, Las Vegas, Detroit dhe Atlanta beri te ditur se janë duke vëzhguar ngjarjet nga afër.
