Sëmundja e diabetit po bën kërdinë në vendin tonë. Kjo pasi numri i të prekurve që janë diagnostikuar pranë strukturave shëndetësore ka mbërritur në 55 mijë. Bluzat e bardha lëshojnë alarmin se kjo shifër i përket vetëm raportimeve zyrtare në spitale e poliklinika, teksa në të vërtetë numri i të prekurve është dy herë më i lartë, pasi sëmundja prek mijëra pacientë nuk e dinë që janë të prekur nga diabeti, duke qenë se sëmundja nuk shoqërohet me shenja të dukshme klinike që në stadet e hershme.
Stili i ri i jetesës që kanë përqafuar shqiptarët, dieta e keqe ushqimore dhe stresi pohohet të jenë shkaqet e përhapjes së diabetit në vendin tonë. Shkaqe të cilat kanë përmbysur teorinë se faktorët gjenetikë janë edhe origjina e shtimit të rasteve të prekura nga diabeti. Vetëm në 30 për qind të rasteve kjo sëmundje ka si shkak faktorët gjenetikë.
Mjeku Isuf Kalo, në prag të ditës Botërore të diabetit ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se situata është shumë problematike pasi numri i përgjithshëm brenda 5 viteve të fundit është pesëfishuar, nga 10 mijë diabetikë në 2006, ai aktualisht ka shkuar në 55 mijë. Por ajo që është me shqetësuese, është ulja e moshës së të sëmurëve me diabet. Nëse para viteve 1990 diabeti prekte personat mbi 45 vjeç, kjo moshë është ulur deri te fëmijët, teksa shihet si shqetësues fakti i zbulimit të sëmundjes shumë kohë pasi ka nisur të shfaqet.
Për këtë këshillohet që të tregohet kujdes maksimal për diagnostikim sa më të hershëm me qëllim që të parandalohen komplikacionet, pasi nuk mund të parandalohet apo shërohet tërësisht, por të mbahet nën kontroll gjatë gjithë jetës.
Duke qenë se në përgjithësi është sëmundje pa shenja klinike të dukshme, mjekët sugjerojnë që çdo person që ka në familje një diabetik, personat mbi peshë, por edhe gratë që kanë lindur fëmijë mbi 4 kilogramë apo me defekte, duhet t’u nënshtrohen herë pas here analizave. Këto analiza duhet të jenë më të shpeshta gjatë dimrit, pasi vërehet një rritje e numrit të prekurve për shkak të teprimit me ushqimin dhe braktisjes së aktivitetit fizik.
Kundrejt kësaj situate, mjekët endokrinologë apelojnë për kryerjen e analizave nga të gjitha kategoritë, pasi shumë persona nuk e dinë që janë të prekur nga kjo sëmundje, ndërkohë që në rast moskurimi në kohë pasojat e saj janë vdekjeprurëse. Megjithatë, disa nga shenjat paralajmëruese të diabetit janë “etje e pazakontë dhe tharje të gojës”, “afeksion për tualetin”, dëshirë e papërmbajtshme për të shkuar në tualet (urinim i shpeshtë). Rënie në peshë për një kohë të shkurtër, lodhje e madhe, gjithmonë pa energji, infeksione të here pas hershme dhe që mezi shërohen”.
1 në 2 pacientë shfaqin komplikacione të rënda
Situata problematike e përhapjes së kësaj sëmundjeje faktohet edhe nga studimi i kryer prej Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës nga Prof.As. Florian Toti dhe Dr. Taulant Muka, gjatë periudhës janar- qershor 2012. Në këtë studim konstatohet se diabeti në Shqipëri kapet shumë vonë dhe rreth 1 në 2 pacientë paraqiten te mjeku me diabet të avancuar me zhvillim të komplikacione serioze (sëmundjeve diabetike) të syrit, veshkave, dëmtim të nervave(neuropatisë) dhe sëmundjeve të zemrës që përbëjnë edhe shkakun kryesor të vdekjeve në pacientët diabetik.
Komplikacionet kronike të diabetit janë faktorë kryesor i uljes së cilësisë së jetës dhe vdekjeve në pacientët diabetik. Sipas studimit, mosha e fillimit të diagnostikimit të diabetit në Shqipëri është rreth 56 vjeç, ndërkohë që mosha e fillimit të diabetit është shumë më e hershme (kryesisht pas moshës 30 vjeç), teksa fatkeqësisht në listën e të prekurve së fundmi janë konstatuar edhe fëmijët. Për këtë arsye shumica e pacientëve që paraqiten te mjeku me diabet kanë të zhvilluar komplikacione serioze, si sëmundja e syrit që avancojnë drejt verbimit, dëmtime të veshkave, zemrës dhe këmbës diabetike. Mbi 40 për qind e personave që kanë diabet, diagnostikohen kur kanë të zhvilluar të paktën një prej komplikacioneve të mësipërme të diabetit.
Mungojnë shërbimet
Një tjetër shqetësim i konstatuar nga vëzhgimi i kryer ka të bëjë me faktin se në 80 për qind të rasteve, pacientët e diagnostikuar me diabet nuk plotësoheshin me të gjitha ekzaminimet e nevojshme për të kapur komplikacionet afatgjata të diabetit me qëllim mjekimin e hershëm të tyre dhe parandalimin e avancimit të mëtejshëm të sëmundjes të cilat mund të çojnë në vdekje.
“Pra 8 në 10 pacientë me diabet lihen të lirë pavarësisht riskut të lartë për zhvillimin e komplikacioneve. Ekzaminimet për sëmundjet e syrit realizoheshin vetëm në 45.28 për qind të rasteve, ndërsa ekzaminimi për dëmtimin e nervave (neuropatisë) bëhej vetëm në 22.64 për qind të pacientëve që paraqiten me diabet.
“Gjithashtu, ekzaminimet e përdorura në vendin tonë nuk janë ekzaminimet e fundit të rekomanduars nga Shoqata Amerikane e Diabetit duke mos mundësuar kapjen e komplikacioneve të diabetit në fazë të hershme, por vetëm në fazë të vonshme”, vë në dukje studimi i kryer në gjashtë muajt e parë të vitit nga Fakulteti i Mjekësisë.
zoti kalo beni ndonje gje per diabetiket p sh te behen analizat falas ,te jepen ilacet falas ose gjysem cmimi,te jepen aparate per matjen e sheqerit falas