Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të dielën se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, “po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmëri vetjake”, ndërsa paralajmëroi “protesta qytetare e paqësore, për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, fundjavën e kaluar kërkuan mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimi e marrëdhënieve ndërmjet d vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve .
As njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një ndryshim i tillë, por presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Idetë e tij janë kundërshtuar nga opozita që kërkon seancë të jashtëzakonshme në parlament por edhe parti në koalicionin aktual qeverisës.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se “ndryshimi i kufijve e dëmton rëndë Luginën, sipas mënyrës së tyre”.
“Ne e dimë se kështu siç po flitet, për faktorë demografikë etnikë, pa përmendur të drejtat historike e pronësore, shqiptarët dalin të humbur. Po të jetë vetëm për demografi, shumicën e shqiptarëve të Luginës tashmë Serbia e ka përzënë dhe ata jetojnë në Kosovë, ose në mërgatë. Pa u llogaritur edhe ata që janë shpërngulur nga Lugina, atëherë ne e humbim Medvegjën, sepse aty shqiptarët aktualisht janë pakicë, edhe pse kanë prona dhe dikur kanë qenë shumicë. Po ashtu, është bërë e qartë nga Serbia se ata nuk do të lejojnë të preket territori matanë autostradës e hekurudhës, që ata e konsiderojnë të jetë strategjike meqë e lidh Beogradin me Shkupin, Sofjen, Stambollin e Athinën”.
Kjo, sipas zotit Kurti do të thotë që një numër i madh i fshatrave në komunat shqiptare, të cilat janë në të dyja anët e autostradës, nuk do të lejoheshin t’i bashkoheshin Kosovës.
“E pra, a e kuptoni çka do të thotë kjo? Që sipas parimit demografik dhe duke mos lejuar afrimin te autostrada e hekurudha, Serbia ka mundësi që të lejojë vetëm qytetin e Preshevës, fshatin e Tërrnocit e Konçulit, që të bashkoheshin me Kosovën. Dikush mund të thotë se edhe kjo është fitore, sepse të paktën merr diçka, mirëpo kjo është humbje e madhe. Territoret e tjera shqiptare do të detyroheshin të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm, do të humbnin të drejtat e tyre politike e përfaqësuese, dhe shpejt do të spastroheshin prej shqiptarëve. Cilët janë ata që mendojnë se kanë të drejtën të bëjnë marrëveshje për spastrimin e shqiptarëve prej Medvegjës e prej qytetit të Bujanocit? Sa për Tërnoc e Konçul, Serbia sonte t’i jep, sepse ashtu shqiptarët ngelen pakicë në komunën e Bujanocit dhe në vend të Shaip Kamberit atje bëhet kryetar një serb i Vuçiçit mandej”.
Ai tha se “ideja dhe diskutimi për shkëmbim territorial (që po quhet korrigjim kufiri) sjell veçse ndarjen e Kosovës dhe ndarjen e Kosovës Lindore. Ndarjen e Kosovës në lumin Ibër dhe ndarjen e Kosovës Lindore, përkatësisht veçimin e Preshevës nga Aksi A-10 dhe Bujanoci e Medvegja”.
Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në kuadër të asaj që quhet periudha përfundimtare e bisedimeve.
l.h/ dita

Sakte e ka Albini
Ky Albin Kurti cfare thote sot, nuk e thote neser. Kur vjen ketu ne Tirane thote qe duhet bashkimi i Kosoves me trungun ame-Shqiperine; kur shkon ne Prishtine thote se nuk duhet te ndahemi me serbet. Albin, dy rruge ka: ose Kosova t’i bashkohet trungut ame -Shqiperise dhe te ndahet nga serbet qe ka brenda ; ose te mos ndahet nga serbet dhe te luftoje per njohjen nderkombetare te shtetit te ri serbo-shqiptar te Kosoves!