“Ndër ne politika është fushë tifozi, si puna e diskutimit të penalltisë në futboll. Zakonisht kur ka festa shkon të ekstrem ky tifozllëk… Ne kemi ca veçori sepse themi JO-në përpara PO-së, jemi idhnak, nuk jemi të qetë po nuk qenë të gjithë të barabartë. Madje kjo e fundit u zgjidh vetëm ato 45 vite të diktaturës. Që u bën të gjithë zero – thotë Aleksandër Meksi në një intervistë me kryeredaktorin e DITA, Adrian Thano botuar sot.
Në një pyetje për rolin e ambasadorëve si arbirtra në konfliktin politik, Meksi ndër të tjera thotë: “Thirrja e të huajve si arbitër është kudo në botë. Fatkeqësia jonë është se ne i thërrasim arbritrat kur nuk dëshirojmë të flasim me palën kundërshtare, ose kur e kemi rregulluar me “lobim” se do na përkrahin. Vetëm një gjë duhet të ketë të qartë shqiptari, por duhet ta kenë të qartë dhe të huajt. Shqiptarët, e para nuk janë budallenj dhe e dyta që kur loja degjeneron ka faj edhe arbitri dhe ndaj tij duhen marr masa dhe mbase dhe për ata që e kanë dërguar apo udhëzuar. Ne deri më sot kemi parë me sa di unë vetëm një rast diku pas vitit 1997 një ambasadori të huaj i janë ulur nja tre gradë dhe i është hequr titulli ambasador.
Në pyetjen nëse ka patur dikur Shqipëria, një klasë politike ndoshta më të pjekur, përgjigja duket ironike: “Pjekja nuk bëhet lehtë. Hurmat bëhen për dy vjet ndërsa ullinjtë duan nja 15 vjet. Ka një periudhë që deri diku ka pasur meritokraci që janë vitet ’30, ku ata që ishin nga Mati mund të merrnin toka ose grada në xhandarmëri por ministra nuk bëheshin. Ministrat ishin të shkolluar, të pjekur edhe pse emrat e tyre sot nuk përmenden kurrë…”
Si autor i një vepre voluminoze për 100-vjetorin e pavarësisë Meksi është pyetur nga Thano nëse mund të bëhet një listë me personat që kanë ndikuar më shumë historinë e Shqipërisë këta 100 vite dhe Meksi rendit:
“Ka nga ata që kanë ndikuar pozitivisht, dhe ka më shumë nga ata që kanë ndikuar negativisht. Po mundohem të bëj pra një listë kuq e blu si uniforma e Shkodrës. Unë po radhis në rend kronologjik disa emra: Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri, Vehbi Agolli, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Pandeli Evangjeli, Mit’hat Frashëri, Syrja Vlora, Aqif Pasha Elbasani, Azis Vrioni, Abdi Toptani, Princ Vidi, Esat Toptani, Turhan Përmeti, , Themistokli Gërmenji, Gjon Markagjonaj , Preng Bibë Doda, Luigj Bumçi, Isuf Elezi, Ahmet Zogu, , Avni Rustemi, Fan Noli, Bajram Curri, Petraq Poga, Koço Kota, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Lef Nosi, Pater Anton Arapi, Enver Hoxha, Abaz Kupi, Mehmet Shehu, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama.. Ka edhe njerëz të kulturës dhe artit që kanë kontribuar, nuk po i vendos sipas ndonjë rradhe: Vangjush Miho, Selman Riza, Gjergj Fishta, Odise Paskali, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Eqrem Vlora, Aleks Buda, Petro Marko, Ismail Kadare, Dritero Agolli, Mahir Domi, Faik Konica, Migjeni, Ndre Mjeda, Dhimitër Shuteriqi, Shtjefën Gjeçovi, Vedat Kokona, Sotir Caci, Ismail Kadare, Stavro Skëndi, Afiz Ali Korça, Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Nënë Tereza.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në gazetën DITA, sot në treg