Ish-kryeministri Aleksandër Meksi një nga themeluesit e PD dhe një nga figurat më të respektuara të së djathtës shqiptare thotë në këtë intervistë me Adrian Thanon në DITA se autokracia brenda partive prodhon këtë nivel të zymtë të demokracisë në Shqipëri. “Duhet një formulë siç është formula e primareve, që do të thotë që në mënyrë aktive anëtarësia zgjedhë në të gjitha nivelet e strukturave të partisë se kush do të jenë ata që do e drejtojnë dhe e përfaqësojnë” – thotë ndër të tjera prof.Meksi. Më poshtë, intervista e plotë:
Z.Meksi ju keni trajtuar më parë çështjen e mënyrës si bëhen listat e famshme të deputetëve dhe me sa kujtoj keni folur për “formulën e primareve” siç po veprohet gjetiu, më së fundi në Italinë fqinje. Mendoni se do funksiononte në rrethanat shqiptare?
Është e vërtetë që unë e kam trajtuar dhe herë të tjera këtë çështje dhe kam menduar se duhet një formulë siç është formula e primareve, që do të thotë që në mënyrë aktive anëtarësia zgjedhë në të gjitha nivelet e strukturave të partisë se kush do të jenë ata që do e drejtojnë dhe e përfaqësojnë. Kuptohet që njerëzit ia japin votën edhe partisë, dhe Kryesia ka një të drejtë të caktoj një 10 përqindësh të kandidatëve, por të tjerët duhet t’i zgjedh me votë të lirë e sipas parimit “një anëtarë një votë” anëtarësia e partisë ndërmjet kandidatëve të propozuar e që vetëparaqiten. E ritheksoj këtë sepse po dëgjojmë zëra nga opozita që Kryetari (apo qoftë dhe Kryesia) të shpalli Listat e deputetëve.
Është e kuptueshme që zgjedhjet janë vendimtare edhe në ndryshimin ose jo të formës së qeverisjes, në përcaktimin e njerëzve që duhet të vazhdojnë të qeverisin, por edhe të përfaqësuesve në të gjitha nivelet. Një gjë duhet pasur parasysh se demokracia është transparencë dhe pjesëmarrje. Transparencë do të thotë që qytetarët të dinë Programin e partisë, çfarë bëhet, si bëhet, pse bëhet dhe rezultatet që dha e të kenë gjithashtu të drejtë të kontrollojnë. Ndërsa pjesëmarrje do të thotë që ne qytetarët si dhe anëtarësia e një partie të marrin pjesë realisht në vendimmarrjen, zgjedhjen e njerëzve që hyjnë në parlament, në strukturat e partisë, etj., pra ata që i përfaqësojnë e drejtojnë.
Në fakt, në Shqipëri me sa di unë asnjë parti nuk ka kritere të tilla demokratike, çka do të thotë, që s’ka për të pasur kurrë Shqipëri të demokratizuar përderisa nuk janë të demokratizuara vetë partitë politike. Ato shumë-shumë janë në një nga dy variantet: që drejton një grup me Kryetarin në krye, i cili bën listat për kandidatët për deputet, për kandidatët për kryetar të partisë në rrethe, për delegatët, për anëtarët e asambleve etj., ose është një individ i vetëm, i cili për të mos i lodhur të tjerët, i bënë vetë të gjitha për vete e klientët e tij, siç po ndodh.
Ka parti që e kanë parimin “një anëtar një votë”…
Deri më tani nuk e ka zbatuar asnjë parti këtë parim. Edhe ato që e kanë të mjegullt në statut, d.m.th. sa për formë, bëjnë sikur e zbatojnë.
As FRD-ja nuk ka statut demokratik?
Nuk e kam parë. Kur ta shoh do ju them.
Pra dhe partitë e reja po ecin në gjurmët e partive të vjetra?
Nuk kam parë ende parti të eci në gjurmë të tjera. Për fat të keq është se këto janë kushtëzuar dhe më Kodin Zgjedhor . Siç e thashë, ky është kodi më i keq i mundshëm.
Pse mendoni se janë kthyer partitë te ky model që kanë sot?
Mirë e the “janë kthyer” sepse ky është një model që na kthen prapa në kohë. Mjaftojnë të kujtojmë shprehjen e Majakovskit kur thoshte se “kur themi Lenini nënkuptojmë partinë dhe kur themi partia nënkuptojmë Leninin”. Ja tani po debatohet ti shpallim listat tani apo më vonë… Listat shpallen për t’i thënë ndonjërit në parti mos fol se ne e kemi mbyllur këtë muhabet. Rezultati do të jetë katastrofik, se i tregon popullit që nuk kanë ndërmend të ndryshojne. Për sa kohë vendos një njeri, është autoritarizëm, është autokraci. Nuk ka rëndësi nëse autokracia është me një person apo me 10 apo 15 veta si ai.
Po pse funksionon ky model këtu?
Sepse ata që janë në krye kanë ende mentalitet komunist e mesjetar.
E kam fjalën, nuk do mundej askush të vendoste vetëm nëse presioni rreth tij do ishte i duhuri për ta ndryshuar gjendjen…
S’ka asnjë presion. Ata që duhet të bënin presion duhet të ishin në rastin e të djathtëve PPE-ja dhe në rastin e të majtëve, Internacionalja Socialiste. Këtë që po u them unë e ka vendosur ta bëj partia e majtë italiane përshembull, ju e përmendët në fillim.
D.m.th. brenda vendit, rreth partive, ju gjykoni që nuk ka forca të cilat mund të realizojnë ndryshime demokratizuese përballë tendencave autokratike të drejtuesit apo drejtuesve… I kthehem pyetjes, nëse është kështu, pse është kështu, ku duhen kërkuar shkaqet?
Shiko, një nga arsyet që ne kthehemi në autoritarizëm është sepse kemi një model të vjetër që atyre u pëlqen, edhe sepse njohin pasojat e përdorimit të këtij modeli. E dimë se çfarë ndodh kur njerëzit kanë frikë të flasin, kur nuk lejohen të flasin, kur i heqin nga puna nëse flasin ndryshe. Dhe kjo prodhon këtë nënshtrimin që është turp të ndodh pas 22 vitesh. Induktohet në vend të debatit konstruktiv mes kundërshtarëve, sherri e konfliktet dhe në vend të respektit për palën tjetër, përdoret sharja, shpifja dhe është krijuar ideja se të gjithë janë të korruptuar, të gjithë janë njësoj në mënyrë që të mos ndryshoj asgjë. Duke e acaruar skenën politike shqiptare nuk votohet më për partinë tënde por votohet sepse t’i je kundër palës tjetër. Mirë që nuk nxjerrin ndonjë urdhër “nxirrni shpatat”.
Ambasadori i OSBE në Tiranë përshembull, Volfarth thotë se kjo fushatë që po vjen do të jetë e egër…
Kush, Volfarth, ai që i bën reklamë birrës? Mbase unë nuk e kuptojë sepse siç kam thënë dhe herë të tjera nuk flas osëbe-isht. Ai dhe të tjerët si ai duhet të jenë të paanshëm e të drejtë, dhe t’u tregojnë shqiptarëve se çfarë është zgjidhje e veprim demokratik dhe jo ti lënë të bëjnë çfarë duan apo ju intereson. Sepse, nga që nuk ju thonë këtë e ndonjë gjë tjetër, mbizotërojnë metodat e “gjindjes së egër”. Kush nuk është i një mendje me të e ata duhet t’u drejtohen atyre që na i dërgojnë këtu, me vërejtje konkrete e kërkesa, se dhe ata nuk janë mbinjerëz, që të vihen në udhën e perëndisë, si i thonë këndej nga ne.
Ju keni njohje të hershme në politikën e Tiranës. Ka në listat e deputetëve apo në politikë ende persona që po të hapeshin dosjet duhet të ishin jashtë politike?
Do ishte mirë që të dilnin të gjithë ata që kanë mëkate të diktaturës e të korrupsionit. Në Itali diskutohet për shembull që të bëhet një ligj që kush është i përfolur për vepra penale të mos kandidojë. Sa i përket anës së lustracionit ka një ligj të përgatitur me asistencë gjermane dhe nuk e kuptoj pse nuk e paraqesin. Ndoshta do ta mbyllte sherrin me të gjithë këta që shajnë njëri tjetrin si spiun.
Duhet të ketë rotacion politik në vitin 2013?
Kjo është një fjalë e shpikur në Shqipëri. Rotacion domethënë që paska një vendim që çdo dy mandate duhet të ndryshohet kahja politike. Nëse është kështu s’ka nevojë të votojmë fare. Kjo ka ndodhur përgjithësisht sepse qeverisja konsumohet për politikat që ka ndjekur jo për korrupsionin se në këtë rast të fusin në burg. Në gjithë botën është normale, por me votë të lirë e të ndershme ikja e një pale e ardhja një pale tjetër. Vendi është në një krizë të gjithanshme (kuptohet, veç sukseseve të mëdha !) e jo vetëm ne. Dhe Shqipëria nuk ndryshon me metodat e derisotme e as nga njerëz me të njëjtën mendësi.
Një nga njerëzit që njeh më mirë, Sali Berishën, nëse humbet me votë mendon se do të lërë paqësisht pushtetin?
Besoj se po.
Ju vetë nuk keni plane të afërta për riangazhime politike?
Unë do të angazhohem kur të shoh që një parti ka statut demokratik. Të lejohet mendimi ndryshe. Mos të survejohet anëtari se ku shkoi dhe pse shkoi. Në Perëndim nuk ka darka të ndaluara apo të gabuara. Se nuk ka statute të tilla demokratike nuk mund të aktivizohem.
Z.Meksi, që të kthehem pak tek ajo që cekëm më lart…Partitë i ndryshojnë shoqëritë apo shoqëritë partitë?
Të dyja. Në Shqipëri partitë e kanë kthyer prapa shoqërinë. Ose më saktë nuk e kanë çuar shoqërinë atje ku donte shoqëria në 12 dhjetor.
Meqë dolëm te 12 dhjetori kanë dalë disa personazhe me kujtimet e tyre. Jeni themeluesi që renditeni i pari në listën e krijimit të PD. I keni ndjekur të tjerët, janë të vërtetë?
Kanë dalë dhe të gjithë thonë se e kanë krijuar ata partinë dhe as unë s’po e marr vesh kush e ka themeluar me të vërtet. Por kanë bërë një gjë të mirë se kanë thënë dhe të vërteta, madje po këta, dhe në vitet e kaluara, kështu që edhe mund ta rindërtojmë me saktësi këtë periudhë të rëndësishme të historisë sonë, duke mënjanuar lapsuset e harresës nga koha që ka kaluar, shtesat me të dëgjuar dhe ato që nuk faktohen dhe evidentuar ato që i konfirmon shumica e dëshmitarëve të real. Studimi i përbashkët i kësaj morie shkrimesh mjafton për historinë.