Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, do të pritet me ceremoni në Pallatin e Brigadave. Kur na ndajnë edhe katër ditë nga vizita e tij, kanë dalë në dritë edhe detajet e para të përgatitjes së ceremonisë.
Mësohet se për Vuçiç do të ketë pritje zyrtare në Pallatin e Brigadave, duke shmangur vendet publike si bulevardi kryesor i qytetit. Një pritje zyrtare e ngjashme nga përmasat me atë që kryeministri Vuçiç i bëri Ramës më 10 nëntor 2014. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje, Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se ishte optimist përpara vizitës në Shqipëri dhe se do të vijë në Tiranë për të ndërtuar marrëdhënie të mira. Vuçiç tha se “Serbia dëshiron të nxjerrë në pah perspektivën e saj evropiane” dhe i uroi Shqipërisë një rrugë të mbarë drejt Europës, por nënvizoi se “Serbia nuk do të heqë dorë nga interesat e saj kombëtare dhe shtetërore, ashtu siç Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë”, informoi “Tanjug”.
Kryeministri serb tha se ka besim se dallimet mund të tejkalohen përmes dialogut dhe diskutimeve, duke theksuar se Serbia dhe Shqipëria janë të lidhura në bashkëpunim ekonomik. Duke vënë në dukje që vizita në Shqipëri do të jetë e para e një kryeministri serb, Vuçiç tha se kërkon të diskutojë me zyrtarët shqiptarë çdo gjë që ka të bëjë me të dyja vendet në këtë kohë, dhe beson se marrëdhëniet do të përmirësohen duke pakësuar dallimet. “Shqipëria ka qenë një vend i izoluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe po ashtu Serbia ka qenë e izoluar gjatë 30 viteve të fundit, dhe kjo është arsyeja se pse të dyja vendet duhet të jenë të hapura për investime reciproke”, tha Vuçiç.
Axhenda
Televizioni shtetëror serb “RTS” bën të ditur se axhenda e shefit të qeverisë serbe është konfirmuar nga drejtori i komunikimit pranë kryeministrit, Endri Fuga. Nga axhenda e publikuar nga mediat serbe, mësohet se Vuçiç pritet të mbërrijë në Tiranë rreth orës 11:30. Më pas Vuçiç do të mbërrijë në Pallatin e Brigadave, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes. Pas mbërritjes, kryeministri serb do të pritet nga homologu i tij shqiptar, kryeministri Edi Rama. Kurse pas takimit dypalësh, do të ketë takim mes delegacioneve të dy vendeve. Në protokoll parashikohet që dy kryeministrat do të mbajnë një konference për shtyp. Gjithashtu edhe se dreka të zhvillohet po në Pallatin e Brigadave. Ndërkohë është në përpunim e sipër, sipas protokollit, edhe organizimi i takimeve të Vuçiç me Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin, kreun e Kuvendit, Ilir Metën dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranë, Lulzim Bashën. Kryeministri Vuçiç do të marrë pjesë në “Vienna Economic Forum”, që do të mbahet në vendin tonë. Në Forumin Ekonomik të Vjenës planifikohet të marrin pjesë kryeministrat e disa vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi. Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen kryeministrat e Moldavisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, e Serbisë, ndërsa pritet të konfirmojnë pjesëmarrjen edhe kryeministrat e Kroacisë dhe Maqedonisë.
Kryeministri i parë serb në Tiranë
Kjo do të jetë vizita e parë e Vuçiç në Shqipëri dhe vizita e parë e një kryeministri serb në Tiranë. As Josip Broz Tito gjatë kohës së Jugosllavisë nuk zhvilloi ndonjëherë vizitë në Shqipëri. Ndërsa vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd u zhvillua pas 68 vitesh (Enver Hoxha 1946), ku Edi Rama u takua me Vuçiçin në kryeqytetin e Serbisë, më 10 nëntor të vitit të kaluar. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanoviç, ishte para dy ditësh në Tiranë. I pyetur nga mediet serbe nëse ai është marrë me aspektet e sigurisë së vizitës së Vuçiç, ai as e mohoi dhe as e pohoi këtë gjë. Kujtojmë se gjatë vizitës së Ramës në Beograd, u angazhuan 5 mijë policë.

Reciprociteti duhet te jete I pari kriter ne politiken e jashtme te shtetit te shqiptareve.