Trungu i Moisive, i ka dhënë herëpashere vendit dhe popullit figura të nderuara në fusha të ndryshme siç ishte, Aleksandër Moisiu, një artist me përmasa europiane e botërore, po ashtu dhe Gjeneralin Spiro Moisiu, si ushtarak madhor e Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë Nacional-Çlirimtare, që së bashku me drejtuesit e tjerë dhe ushtrinë heroike partizane, bënë luftën dhe i sollën Shqipërisë lirinë e pavarësinë nga pushtuesit nazi-fashistë. Nga kjo familje e nderuar, doli dhe pasardhësi i fundit, Alfred Moisiu, edhe ky një ushtarak madhor e politikan i sferës së lartë, që ndoqi rrugën e të Atit dhe me punën e kontributin e tij, i la emër të mirë vetes dhe familjes Moisiu.
Alfredi, lindi në Shkodër në 1929, kur i ati Spiro Moisiu kryente detyrën si ushtarak në ushtrinë e monarkisë shqiptare. Ai u rritë dhe kaloi fëmijërinë në ato vite të vështira, kur familja e tij dhe kryesisht i ati Spiro Moisiu, shërbente në disa rrethe e krahina të vendit. Së fundi, u përfshi dhe në luftën Antifashiste Nac. Çl. në vitet 1942-44. Atëhere djali i tij Alfred Moisiu, në moshën adoleshente, kuptoi se ç’ishte lufta partizane dhe detyrat e vështira që kish marr mbi vete i Ati, Spiro Moisiu për t’i dal zot vendit, kur ishin ngritur në këmbë rinia dhe i gjithë populli patriotë shqiptarë në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë.
Alfredi, periudhën e pushtimit fashist italian, e përjetoi në moshën fëminore. Italia fashiste krahas pushtimit, përqëndroi punën dhe në propagandën për edukimin e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare me ideologjinë fashiste dhe me dashurinë për Italinë. Në këtë kuadër, u morën masa që dhe rinia shkollore, si pjesa më e përshtatshme për t’u ndërgjegjësuar, të organizohej sipas modelit fashist italian në “Balila”, ku përfshiheshin moshat e reja të shkollave fillore, në “Giovani fashista”, moshat e klasave më të rritura dhe në “Avanguardista”, moshat rinore e adoleshentëve, që bënin dhe stërvitje paraushtarake. Këta të rinj, i edukonin kryesisht me ide fashiste, i mësonin të nderonin “alaromana”, u mësonin dhe këngë fashiste italiane. Të gjitha këto formacione të rinjësh, visheshin dhe me uniforma të caktuara fashiste, që shiteshin në dyqane me furnizime të ardhura nga Italia. Në pushimet verore të shkollës, organizonin dhe dërgimin e grupeve të tilla në kampe rinore në Itali.
Në kujtimet e tij, Alfred Moisiu shkruan se: -“Një ditë, si gjithë fëmijët e tjerë edhe unë iu drejtova tim Eti për të blerë uniformën e “Balilit” dhe të më lejonte të shkoja me grupet e nxënësve në kampet verore të Italisë. Por ai ma preu rreptësisht menjiherë:
-Nuk ke nevojë ti të vishesh me uniformë fashiste si “Balil”, as dhe të shkosh në Itali në kampe për pushime. Jo, do qëndrosh këtu në Shqipëri bashkë me familjen”.
Me këtë qëndrim, Spiro Moisiu pavarësisht se ishte nëpunës i asaj kohe në ushtri, ai nuk e lejoi djalin që të merrte edukatën fashiste, duke i vënë rëndësi edukimit të fëmijëve me ndjenjat e urrejtjes ndaj pushtuesit dhe edukimin e tyre me ndjenjat patriotike atdhetare.
Ato kohë të viteve 1942-43, lufta po merrte përmasa të mëdha dhe radhët e ushtrisë partizane po shtoheshin nga dita në ditë. Alfred Moisiu këto situata i përjetoi jo më si fëmijë, por në adoleshencën e tij 13-14 vjeçare.
E gjithë familja e Spiro Moisiut, i ka përjetuar nga afër tmerret e rreziqet e luftës. Alfredi, si djali më i rritur, përjetonte çdo çast merakun për Babë Spiron, komandantin e luftës, që kalonte ditët e netët e atij dimri të egër jashtë në ftohtë e acar maleve me dëborë, shto këtu dhe rrezikun e luftës me plumbat që mernin çdo ditë jetë njerëzish. Pra, veç rreziqeve që i kërcënoheshin familjes, nënë Aspasisë dhe motrës e vëllait të vogël, ai përjetonte dhe merakun për Babë Spiron, i cili shpesh mungonte edhe me muaj të tëra në familje.
Alfredi në kujtimet e tij shkruan, se në disa raste ai ndodhej pranë Babës, pranë luftëtarëve të lirisë, sidomos në Helmës të Skraparit, ku shokët partizanë e angazhonin dhe si korrier për të çuar letra nga njeri fshat në tjetrin, shoqëruar me partizanë. Pra, megjithse i vogël adoleshent, edhe ai e ndihmoi luftën, e veshi në kokë festen e partizanit me yllin e kuq në ball, duke bëlbëzuar nën buzë këngën: “O i vogël o partizan”!
Ai u rrit në luftë, u rrit pranë Komandantit të luftës dhe të gjitha këto, ushqyen në mendjen dhe në ndjenjat e tij, dashurinë për armën ushtarake, dëshirën e zjarrtë për t’u bërë oficer, pse jo dhe komandant si Babë Spirua. Dhe me këto ëndërra e kujtime, Alfredi përjetoi jo vetëm vitet e stuhishme të luftës, por dhe pas çlirimit të vendit.
Pas çlirimit, festoi dhe ai gëzimin e fitores si gjithë të rinjtë e gjithë populli në mbarë vendin. Kudo ndihej entusiazmi i vrullit të aksioneve për zhdukjen e pasojave të luftës, ndërtimin e urave e rrugëve të shkatërruara nga lufta, hapja e shkollave e tjera. Alfredi vazhdoi gjimnazin në Tiranë. Një ditë në përfundim të gjimnazit, midis shokësh, ai mësoi se persona të veçantë po regjistroheshin për të vazhduar studimet jashtë shtetit dhe konkretisht në BS. E vetmja degë që mund të shkoje për studime jashtë shtetit në ato vite të para të pasçlirimit, ishte shkolla ushtarake. Dhe këtë dëshirë një ditë ia shfaqi Babë Spiros.
-Dua të shkoj në shkollë në BS,- i tha,- është shkollë ushtarake.
-Jo,- i tha i ati,- ushtarak, në asnjë mënyrë! Shiko për ndonjë degë civile.
-Eshtë e çuditëshme,- shkruan midis të tjerave Alfredi,- prindërit në mjaft raste, të zhgënjyer nga karriera e tyre, nuk dëshirojnë që fëmijët të ndjekin të njëjtën rrugë.
Por Alfredi ishte familjarizuar tashmë me profesionin e ushtarakut, që nga lufta ku kaloi pothuaj vitet e fëmijërisë, shto dhe modelin e prindit që e kishte për ditë në shtëpi. Vishte kapelen e Babës me shiritat e verdhë ngjyrë ari, shihte spaletat e gjeneralit dhe këto kishin depërtuar thellë në ndjenjat e dëshirat e tij dhe nuk kishte burrë nëne t’a largonte nga ky pasion. Pastaj, vajtja për studime në BS, ishte një ëndërr, që nuk mund t’a realizonte kushdo. Dhe një ditë, kjo ëndërr u bë realitet. Alfredi nisi studimet ushtarake në BS, Ishin vitet e para të pas çlirimit, kur dhe marëdhëniet midis dy shteteve tona ishin në kulmin e tyre më të mirë.
Ishin vitet 1946-48 kur Alfredi vazhdoi studimet në shkollën ushtarake të xhenjos në Moskë dhe më pas në Petërsburg të BS. Zgjodhi degën e xhenjos, për faktin se i pëlqente inxhinjeria e ndërtimit dhe kur mendonte se gjermani gjatë largimit nga Shqipëria, shkatërroi pjesën më të madhe të urave në rrugët nacionale, ai mendonte se pas studimeve, do angazhohej si inxhinjer për ndërtimin e tyre. Dhe vërtetë kështu ndodhi, në mbarim të studimeve, shërbeu në repartet e xhenjos dhe dha sa mundi kontributin e tij, veç të tjerave në fushën ushtarake edhe në ndërtimin e urave dhe rrugëve të shkatërruara nga lufta.
Në vitet 1952-58, Alfred Moisiu sërish me studime, por tani në Akademinë e Lartë të Inxhinjerisë Ushtarake në BS. Sigurisht, pasioni për këtë degë, bëri që rezultatet në shkollë i pati të larta, ku i përfundoi me “Medalje të Artë”. Në ato kohë, Shqipëria nuk kishte Akademi Ushtarake, ajo u hap si “Shkollë e Lartë Ushtarake” në vitin 1958, dhe në nivel “Akademie Ushtarake” në vitin 1961. Pas kthimit nga BS, Alfred Moisiu emërohet në Drejtorinë e Xhenjos në Ministrinë e Mbrojtjes. Në ato kohë vazhdonte ende problemi i ndërtimit të urave dhe rrugëve, si dhe ngritja e reparteve ushtarake. Alfredi u ngarkua të projektonte dhe vendosjen e njerës nga armët më të sofistikuara të atyre viteve, Raketave tokë-ajër “SAM-i”, që priteshin të vinin nga BS, mbas vizitës së Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959. Kjo bazë raketash u ndërtua në zonën e Ndroqit, në afërsi të kthesës që të çonë në Pezë.
Në atë kohë, u ndërtuan dhe disa vepra të tjera ushtarake të rëndësishme siç ishin, Aeroporti i Kuçovës për avionët ushtarak MIG-19 dhe MIG-15 e 17-të. Në vitet 1958-59 u ndërtua Aeroporti i Skuadriljes së Helikopterëve në Farkë të Tiranës. Në vitin 1974 u ndërtua Aerodromi i Regjimentit të Aviacionit Luftarak të Gjadrit në Lezhë e tjera. Në të gjitha këto vepra, ka qenë dhe mendja e dora e inxhinjerit ushtarak, Alfred Moisiu.
Ishin vitet kur Shqipëria ishte shkëputur nga kampi komunist i lindjes me BS në krye, po ashtu dhe nga Traktati Ushtarak i Varshavës dhe problemet e mbrojtjes po mernin çdo ditë një prioritet të veçantë. Ishte shtruar direktiva jo vetëm e shtimit të reparteve ushtarake në vendet strategjike e kufitare, por edhe çështja e fortifikimit e strehimit të ushtrisë dhe të popullsisë civile. Ky ishte një aksion i madh, me një kosto që Shqipëria e pagoi shtrenjtë në kurriz të ekonomisë së vendit dhe mirëqënies së popullit, pasi konsumoi një buxhet të lartë valuator. Alfred Moisiu ato kohë ishte në Drejtorinë e Xhenjos në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u desh të merrej drejtëpërdrejtë me këto probleme.
***
Shqipëria s’kishte ekperiencë në fushën e fortifikimeve ushtarake, ndaj u desh të merrej përvoja e shteteve komuniste siç ishin, Koreja e Veriut dhe RP e Kinës, me të cilat Shqipëria pas shkëputjes nga Kampi Komunist i Lindjes, u lidh ngusht me këto shtete aziatike. Koreja e Veriut kishte disa vite që kish dal nga lufta e gjatë me Korenë e Jugut. Një delegacion nga Ministria e Mbrojtjes, ku bënte pjesë dhe Alfred Moisiu, u dërgua në këto vende, ku panë nga afër gjithçka që kishin fortifikuar e bunkerizuar si Koreja dhe Kina, duke parë nga afër përvojën e fortifikimit ushtarak të tyre, ku kishin ngritur kudo tunele për ushtrinë dhe për institucionet shtetërore, po ashtu dhe për popullsinë civile. Panë pothuaj një qytetërim nëntoksor, me reparte, fabrika e uzina ushtarake të futura në tunele, po ashtu dhe fabrika e institucione të tëra të strehuara nën tokë, si dhe strehime masive të popullsisë, që llogariteshin me shpenzime shumë të larta buxhetore, që kish ndikuar shumë në nivelin e ulët të mirëqënies së popullit, ku atje vrehej kudo varfëri, veçanërisht në zonat rurale.
E gjithë kjo përvojë, shërbeu dhe për fortifikimet e bunkerizimet që u realizuan edhe në vendin tonë, ku u çanë male e kodra për tunele masive, u mbush çdo pëllëmbë tokë në Shqipëri me kupola zjarri e strehimi, që sot e kësaj dite kanë mbetur si relike e dëshmi historike të një lufte të ftohtë, që megjithse u shpenzuan miliona e miliona lekë e valuta, nuk funksionuan e nuk i shërbyen vendit e popullit as dhe një ditë, nuk i shërbyen në asnji rast qëllimit për të cilin u ngritën.
Sigurisht, gjithë ky investim i madh ishte shumë i nevojshëm për situata lufte në kushtet që ndodhej Shqipëria në ato vite, por ç’e do që ajo luftë mbeti në horizont, në imagjinatën tonë, pasi populli që e pagoi kaq shtrenjtë atë investim, nuk e mendonte se Shqipëria një ditë të bukur e përmbysi atë sistem jo me luftë, as me fortifikimet e tunelizimet, por qetë e qetë, me disa protesta ku të dhunëshme e ku paqësore, me thirrjet “Liri-Demokraci” e me dy gishta lartë dhe vendi paqësisht gdhiu me shumë parti dhe me një sestem të ri demokratik të ekonomisë së tregut. Kështu, erdhi era e ndryshimeve demokratike në Shqipëri!
Alfred Moisiu, në kujtimet e tij shpesh hedh vështrimin në retrospektivë të karrierës së tij, ku përjetoi dhe ndryshimet tronditëse që ndodhën në ushtri në vitet 60 e 70, të shekullit që sapo shkoi, pas “Letrës së hapur” të KQ të PPSH në vitin 1966. Kjo lidhej me luftën kundër burokracisë në kastën ushtarake, për t’i dhënë ushtrisë një karakter më popullorë. Në kuadrin e qarkullimit të kuadrit, si pjesë e kësaj direktive, Alfred Moisiu lëvizi nga Ministria e Mbrojtjes dhe u emërua Komandant i Brigadës së “Urave të Rënda” në Kavajë, detyrë të cilën e kreu për rreth 5 vjet.
Në vitin 1971, Alfredi rikthehet sërish në Ministrinë e Mbrojtjes, por këtë radhë me një përgjegjësi më të lartë, në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Xhenjos, që vazhdoi të merrej intensivisht me problemet e fortifikimit, të cilat vazhduan për një periudhë të gjatë kohe. Ngritja në këtë detyrë, sigurisht ishte dhe një vlerësim për punën e tij si ushtarak dhe specialist.
Alfred Moisiu ka qenë dëshmitar në shumë nga ngjarjet kryesore që kanë ndodhur ato kohë në Ministrinë e Mbrojtjes në vitet 1973-74, sidomos ngjarja e “Tezave të Zeza” anti-parti në fushën e mbrojtjes, ku u goditë ish Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, që u cilësua “armik”, si dhe Gjeneralë e oficerë të tjerë madhorë në zinxhirin e hierarkisë ushtarake. Ajo ishte një furtunë e fuqishme në kupolën e lartë ushtarake, ku u shpallën armiq midis të tjerëve dhe shumë nga figurat e shquara të luftës Antifashiste Nac.Çl. Drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes iu ngarkua si funksion i dyfishtë, ish Kryeministrit Mehmet Shehu, që u emërua dhe Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë. Gjeneral-Leitnant Spiro Moisiu ato kohë ishte në pension dhe jo mirë me gjëndjen shëndetsore. Megjithatë ai i përjetoi me keqardhje, sidomos për shokët e bashkëpunëtorët e afër të kohës së luftës.
Mehmet Shehu, në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, emëroi dhe stafin e ri drejtues me Zv/ministra të rinj. Në vitin 1981, kur sapo ishte ndarë nga jeta dhe Gjeneral Spiro Moisiu, Alfredi emërohet Zv/minister i mbrojtjes, që mbulonte sigurisht profilin e tij të investimeve xhenjere, ku përfshihej dhe fortifikimi i mëtejshëm i vendit. Pa kaluar shumë kohë, në dhjetorin e vitit 1981, ish Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Mehmet Shehu, vrau veten dhe u cilësua edhe ai, “armik i popullit”!
Vendin e tij e zuri një tjetër udhëheqës i nivelit të lartë në Byronë Politike, Kadri Hazbiu, që dhe ai pas pak kohësh, u shpall gjithashtu “armik” dhe u arrestua! Në këto situata, kur disa ministra mbrojtje u shpallën “armiq”, Ministër Mbrojtje i ri u emërua, Prokop Murra dhe ky anëtar i Byrosë Politike të KQ. Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u emërua Kiço Mustaqi, u emëruan gjithashtu dhe zv/ministrat e rinj. Në këto kushte, Alfred Moisiu nuk e gëzoi shumë kohë detyrën e Zv/ministrit, u shkarkua nga kjo detyrë dhe u dërgua në Burrel, shef xhenjo i Korpusit.
Alfred Moisiu në kujtimet e tij shkruan: “Ai nuk ishte një transferim i zakonshëm, as qarkullim, por një veprim me domethënie të fortë. Kur mbrita në Burrel në divizion, shoferi që më çoi, raportoi në telefon: “E solla atë plaçkën”! Pra, mbas 40 vjet shërbimi në ushtri në funksione të ndryshme drejtuese, po trajtohesha si “plaçkë”!
Akuza ndaj Ministrave të Mbrojtjes si “armiq të popullit”, përfshiu dhe shumë funksionarë të tjerë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, ku disa u cilësuan si bashkëpunëtorë në këtë grup, ndërsa një pjesë tjetër lëvizën dhe u dërguan në bazë në repartet ushtarake të terrenit. Një nga këta që lëvizën, ishte dhe ish Zv/ministri Alfred Moisiu. Pa kaluar shumë kohë, në analizat që u bënë në organizatat e partisë në Korpusin e Burrelit dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, Alfred Moisiu u akuzua për “mungesë vigjilence”, si titullarë pranë ish Ministrave, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, që dolën “agjentë” e “armiq”! Dhe me këtë akuzë, ai u shkarkua sërish nga shef xhenjo i Korpusit dhe u emërua një shkallë më posht, shef xhenjo i Brigadës së Burrelit. Dhe kur mbushi moshën 55 vjeç, sipas ligjit ushtarak të asaj kohe, u nxorr në pension.
Ndryshimet e sistemit politik në vitin 1990, e gjetën Alfred Moisiun në jetën e tij normale në pension. Krijimi i pluralizmit politik, bëri që të lindnin parti të reja, që kërkonin largimin nga skena politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, që ishte rreth 45 vjet në pushtet dhe kërkohej marja e pushtetit demokratik nga partitë e reja për të realizuar pluralizmin politik. Dhe u mendua të krijohej një qeveri e re teknike, që do drejtonte vendin për një kohë, deri në zgjedhjet e ardhshme politike. Dhe kjo qeveri teknike u krijua në dhjetor të vitit 1991 me Kryeministër një intelektual të ri, Vilson Ahmeti dhe ministra përfaqësues nga të gjitha forcat politike dhe nga shoqëria civile.
Kryeministri Vilson Ahmeti, për formimin e qeverisë, mendoi të përfshinte dhe Alfred Moisiun nga shoqëria civile, si ushtarak madhor dhe me përvojë në drejtimin e ushtrisë, duke i propozuar detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Alfredi e pranoi dhe kjo qeveri drejtoi vendin deri në prill 1992, kur nga zgjedhjet që u zhvilluan, fitoi Partia Demokratike dhe aleatët e saj të djathtë, që krijuan qeverinë e re me Kryeministër Aleksandër Meksin dhe President Sali Berisha.
Në këtë qeveri të re të Partisë Demokratike, Ministër i Mbrojtjes u emërua Safet Zhulali, një nga drejtuesit kryesor të kësaj partie. Alfred Moisiu u largua nga funksionet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në vitin 1994, u krijua “Shoqata Shqiptare e Atlantikut të Veriut”, ku ai u zgjodh në krye të kësaj shoqate. Në programin e saj shtrohej detyra e njohjes më mirë të NATO-së, programet e qëllimet e saj dhe edukimin e masave me kulturën euroatlantike. Këtë organizëm, Alfred Moisiu e drejtoi edhe vite më pas, kur me propozim të partive politike u përzgjodh si kandidaturë konsesuale për President i Republikës, të cilin e zgjodhi përfundimisht Parlamenti i Shqipërisë në qershorin e vitit 2002.
Alfred Moisiu, president mbi palët, mbi politikanet, Nano dhe Berisha.
Viti 2002 ishte një vit i trazuar edhe në jetën politike të vendit. S’kishin kaluar veç 5 vjet nga trazirat tragjike të vitit 1997 dhe politika shqiptare përjetonte ende pasojat e atij konflikti tejet të ashpër, që çoi vendin në prag të një lufte civile. Partia Socialiste, që erdhi në pushtet pas vitit 1997, po ashtu po kalonte një krizë të saj të brendëshme, ku detyra e kryeministrit po kalonte në duar të ndryshme, nga Fatos Nano, tek Ilir Meta dhe më pas tek Pandeli Majko, që i përkisnin të njejtës parti. Pra vendi përjetonte një krizë të thellë edhe ndërpartiake.
Konflikti brenda lloit nga Nano tek Meta erdhi duke u ashpërsuar dhe kjo bëri që ky i fundit të shkëputej përfundimisht nga Partia Socialiste, partia mëmë dhe krijoi një parti të re politike, LSI-në, në vitin 2004. Kjo lëvizje politike në ato kohë, u duk sikur e prishi binomin PS-PD, duke dal në skenën politike si një parti e re, që krijoi një pol të tretë. Dhe vërtetë ashtu ndodhi, pasi ajo krijoi elektoratin e saj, duke marë votues si nga e majta dhe e djathta, por dhe nga ata asnjanës gri. Dhe siç tregoi përvoja më vonë, LSI-ja kaloi herë djathtas e herë majtas, duke krijuar mazhoranca fituese e të qendrueshme në pushtet.
Në vitin 2002, Presidentit aktual të Republikës, Rexhep Mejdanit, po i mbaronte mandati dhe partitë politike po nxirnin në skenë emra të rinj për kandidaturën e presidentit të ri. U diskutuan shumë emra, mjaftë prej të cilëve të dëgjuar dhe me reputacion, siç ishte ish ambasadori i Shqipërisë në Bruksel, Artur Kuko, një diplomat i ri dhe intelektual i përgatitur, që u pranua nga forcat politike si kandidaturë konsensuale. Personi e refuzoi propozimin për kandidaturën e tij, nuk e pranoi dhe situata mbeti përsëri pezull.
Në këto momente, doli në opinion emri i Alfred Moisiut, ish ushtarak i lartë në pension, emër i dëgjuar dhe nga një familje e nderuar e me reputacion të Moisive. Në një takim në tryezën e liderve politikë, ku ishin prezent drejtuesit e partive kryesore politike, Fatos Nano, Sali Berisha, Genc Pollo, Gramoz Ruçi dhe Fatmir Mediu, ku u diskutua kandidatura e Alfred Moisiut, u arritë në një konsensus, që u pranua nga të gjitha palët. Përpara këtij fakti, u thirrë personi për t’i marr mendimin dhe pasi u ra dakort, u vendos që kandidatura e Alfred Moisiut të dërgohej në Kuvend pa konkurent.
Të nesërmen në datën 24 qershor 2002, në prezencë të 124 deputetëve në sallën e Kuvendit, nga votimi, kandidatura e Alfred Moisiut mori 97 vota, kjo e mjaftueshme për të arritur fitoren dhe konsensusin politik në Kuvend, ku Alfred Moisiu u zgjodh President i ri i Republikës së Shqipërisë. Në librin “Kujtime” të tij, botim i vitit 2009, ai shkruan: “Në intervistën e parë që kam bërë në televizionin Top-Channel, gazetarja Rudina Xhunga më pyeti:
-Si është e mundur që një gjeneral ushtarak të meret me politikë? Unë iu përgjigja:
-Gjeneral, nga latinishtja do të thotë, i përgjithshëm, pra ata që e meritojnë këtë gradë, kanë aftësi edhe për drejtim shtetror, për detyra politike dhe për diplomaci”. Më tej Zoti Moisiu sqaron, se edhe në botë ka patur shumë drejtues shtetesh me prejardhje ushtarake, siç kanë qenë: Gjeneral Ajzenhaueri, President i SHBA, Gjenerali De Gol, President i Francës e tjerë.
Ditën e parë të zgjedhjes si President, pas betimit në parlament, ai shkoi tek varri i të Atit, Spiro Moisiu, ku në heshtje u betua se:-“Do të punojë sa më mirë dhe në mënyrë sa më të ndershme për vendin tim, për Shqipërinë, ashtu sikurse punove e luftove dhe ti Babë gjatë gjithë jetës tënde”!
Dhe me sa u duk, Alfred Moisiu këtë premtim u përpoq t’a mbante. Populli e ka vlerësuar punën e kontributin e tij, që edhe sot pas disa vitesh që ai nuk është më në atë detyrë, thuhet shpesh se: ”Alfred Moisiu, ka qenë një nga Presidentët që ka qendruar mbi partitë politike, më i suksesshëm dhe përfaqësues i unitetit të popullit, krahasuar me gjithë Presidentët e viteve të demokracisë”. Dhe me të vërtetë, Alfredi në gjithë mandatin e tij 5 vjeçarë si President, është përpjekur për të qenë i pa anshëm, pa u ndikuar nga asnji parti politike, pra mbi palët, mbi Nanon dhe Berishën, që ishin lider politik të asaj kohe. Në librin e kujtimeve të tij ai shkruan:
-“Sikurse im atë, unë i përkas gjithë Shqipërisë dhe askujt tjetër. Shqipëria nuk ka ngjyrë politike, ajo e gjitha është e jona dhe ne duhet të punojmë për t’a ndërtuar e zhvilluar atë sa më shumë. Për këtë qëllim, gjykoj se duhet të impenjohen të gjithë shtetarët, pavarësisht bindjeve të tyre partiake”.
Ky është një mesazh për të gjithë shtetarët, veçanërisht për Presidentët shqiptarë dhe titullarët e lartë shtetëror e politik, që të mos sillen si militant partie në këto detyra të larta e me shumë përgjegjësi. Ndaj presidenca e Alfred Moisiut, do të mbahet mend si modeli shëmbullorë i një shtetari të lartë, i një Presidenti që ka qëndruar mbi palët, mbi Nanon dhe Berishën, si dy liderë që kanë sunduar politikën tonë shumë gjatë, që në fillimet e saj, bile Berisha ende vazhdon dhe kërkon t’i imponohet sërish politikës, veçanërisht në PD. President konsensual je deri sa votohesh dhe bën betimin, pastaj je President i ligjit, i kushtetutës dhe i unitetit të popullit dhe jo i partisë që të propozon, apo që i përket.
Gjatë mandatit të Alfred Moisiut si President, situatat politike kanë qenë shumë të nxehta e konfliktuale, pasi Nano në mazhorancë dhe Berisha në opozitë, kishin shumë akuza e mosmarrëveshje ndaj njeri-tjetrit, si për reformën zgjedhore, për plotësimin e komisjonit qendror të zgjedhjeve, për ngritjen e komisjoneve parlamentare për hetimin e problemeve të veçanta që opozita i quante si shkelje ligjore e tjera.
Mazhoranca socialiste e drejtuar nga Kryeministri Nano nuk hapte rrugë, nga ana tjetër edhe Berisha në opozitë, gjithashtu ishte shumë agresiv dhe me një fjalor shumë të ashpër. Bile Berisha arinte deri aty sa t’i bënte presion Presidentit, që të shkarkonte Kryeministrin Nano, kur dihej që Presidenti nuk kishte asnji tagër kushtetues për të shkarkuar kryeministrin aktual, që ishte i zgjedhur nga një mazhorancë që kish fituar zgjedhjet në rrugë demokratike. Megjithse Berisha e dinte pengesën ligjore të Presidentit, ai bënte presion të vazhdueshëm, duke mbajtur ngritur tensionin politik në vend.
Nën presidencën e Alfred Moisiut, rroli i Presidentit ka qenë shumë aktiv dhe i pa anshëm. Kur ndeshte me mosmarveshje midis forcave politike mazhorancë-opozitë, ai organizonte konsulta, takime, ballafaqime dhe me sugjerime konkrete, arrinte që shumë nga situatat e acaruara, t’i zgjidhte me konsensus, mjaftë prej tyre me shumë lodhje, apo dhe në momentet e fundit të afateve ligjore kushtetuese.
Konkretisht, një nga problemet serioze dhe i vazhdueshëm, ka qenë problemi i zgjedhjeve politike, konkretisht reforma zgjedhore dhe sidomos deformimi dhe parregullsitë e konstatuara në zgjedhje, që deklaroheshin dhe si shkelje të ligjit. Opozita veçanërisht, i ka kontestuar gjithmonë, për të justifikuar humbjet që pësonte. Kanë qenë dhe mbeten ende aktuale edhe sot vjedhjet e votave në zgjedhje nga komisjonerët e partive, fallsifikime votash, votime familjare, blerje votash me lekë dhe thasë me mjell, e ushqime të tjera, ku implikonin më shumë njerëzit në nevojë, aktivizimi i njerëzve me precedent penal që bënin presion ndaj votuesve në favorë të njerës apo tjetrës forcë politike, veçanërisht ndaj dy partive të mëdha e tjera. Shpesh këto parregullsi janë ankimuar në gjykatën administrative dhe ka patur raste, që gjykata ka vendosur që zona dhe qendra të veçanta votimi t’i përsërisnin zgjedhjet, por në shumë raste mazhorancat nuk i kanë pranuar. Presidentit i është dashur të meret seriozisht me këto probleme, për t’i bindur drejtuesit e forcave politike dhe për të qetësuar situatën.
Një çështje madhore që ka preokupuar vazhdimisht në ato kohë Presidentin Moisiu, ka qenë dhe problemi i drejtësisë, veçanërisht korrupsioni në trupat gjyqësore e në prokurori, si dhe mos dënimi në masën e duhur të elementit kriminal. Gjithmonë diskutohej për të realizuar një reformë në drejtësi në të gjitha nivelet e gjykatave dhe prokurorive, por kjo asnjiherë nuk u realizua dot, pasi politika gjithmonë bëhej pengesë, nuk arrihej konsensusi dhe nuk kishte vullnet politik, pasi në çdo mandat zgjedhjesh, politika luftonte si e si të kapte e të shtinte në dorë drejtësinë. Kjo ishte dhe një nga arsyet, që drejtësia nuk u reformua dhe nuk vuri nën akuzë asnji politikan e pushtetar të korruptuar e të lidhur me krimin.
Herëpashere dilnin probleme të reja. Lindi një debat i madh midis mazhorancës socialiste dhe opozitës demokratike, pra midis Nanos dhe Berishës, për problemin e zgjedhjes së Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që bëhej fjalë për një kandidaturë propozuar nga opozita dhe konkretisht nga Partia Republikane, aleate e PD-së. Kjo kandidaturë dihej që nuk pranohej nga mazhoranca socialiste, por e keqja ishte se nuk e pranonte as PD-ja, pra as Sali Berisha. Kjo kandidaturë vërtetë propozohej nga Presidenti, por ishte Kuvendi që e votonte dhe duhet të siguronte 2/3 e votave. Presidentit iu desh një përpjekje e madhe për të arritur konsensusin e forcave politike në votim. Së fundi, me shumë përpjekje, u arritë që kandidatura në fjalë të merte 84 vota, që i siguruan mazhorancën e nevojshme.
Pikërisht, këtu qëndronte aftësia dhe personaliteti i ish Presidentit Alfred Moisiu, i cili duke qenë i pa anshëm dhe mbi palët politike, ka patur të drejtën morale dhe ligjore të ndërhyrjes me kopetencë dhe me autoritetin e përfaqësuesit të unitetit të popullit dhe të Kushtetitës së vendit, duke dhënë mendime për zgjidhjen e krizave dhe jo duke mbajtur anën e njerës apo tjetrës parti.
Dihet tashmë, që Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe kopetencat e Presidentit janë disi të kufizuara, po kaq ishin edhe kur ishte Zoti Moisiu në këtë detyrë. Por ai me ndershmërinë, autoritetin ligjor dhe pa anësin e tij partiake, krijoi portretin e një Presidenti kopetent e me autoritet që i dëgjohej fjala dhe i ulte palët politike në tryezë për zgjidhjen e krizave.
Gjatë mandatit të tij, Presidenti Moisiu zhvilloi dhe shumë vizita zyrtare në shtete të Europës, në OKB, në SHBA dhe në vendet fqinje me Shqipërinë, e deri dhe në forcat tona komando ushtarake në Afganistan. Këto ishin vizita të suksesshme, që kishin karakter njohje të mëtejshme të Shqipërisë, për të forcuar më tej marëdhëniet dy-palëshe ekonomike e politike.
Në vitin 2005, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe u realizua rotacioni politik, ku pushteti pas tetë vitesh në opozitë u fitua nga PD-ja dhe aleatët e saj. Sali Berishës nuk i pritej sa të rikthehej sërish në pushtet, pas gjithë asaj humbjeje të thellë që pësoi pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997, kur drejtonte PD-në dhe shtetin si President i Republikës. Ai nisi t’i bënte presion Presidentit Moisiu, që të shpallte sa më parë mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Por Presidenti nuk mund t’a merrte këtë vendim, pasi Komisjoni Qëndror i Zgjedhjeve nuk e kish çertifikuar ende rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, në një kohë kur dhe gjykata nuk kishte dhënë ende vendimet për zonat e qendrat e votimit të kontestuara. Kjo krijoi një tension politik, ku dhe militantët e PD-së, brohorisnin e qarkullonin rrugëve me makina e flamurë partie për të festuar fitoren.
Në shtypin e ditës, përveç lajmeve për rotacionin e pushtetit nga e majta në të djathtë, shkruhej që: “Presidenti Moisiu ndodhej midis 4 zjarreve, presionit të PD, të PS, zbatimit të kushtetushmërisë dhe situatës së tensionuar politike që krijonte Berisha për t’u rikthyer sa më parë në pushtet”. Por si në të gjitha rastet edhe kjo situatë u menaxhua me kujdes e durim nga Presidenti dhe gjithçka u normalizua.
Presidenti Moisiu asnjiherë nuk e pa veten peng i kompromisit që krijuan forcat politike, veçanërisht dy partitë e mëdha. Pas atij konsensusi e kompromisi, kur parlamenti votoi pro Presidentit të ri Moisiu, pas kësaj, ai konsensus e kompromis u kthyen në ligj, në vendim kushtetues. Në kujtimet e tij, Presidenti Alfred Moisiu shkruan: “Pas betimit në parlament, unë nuk isha më President konsensual, por përfaqësues i unitetit të popullit”.
Presidenca e Alfred Moisiut, ka kaluar momente të vështira e delikate, por vendimarjet e tij pa pasione e pa anshmëri, krijuan një klimë stabiliteti kushtetues në vend. Ky qëndrim i drejtë mbi partitë, krijoi më shumë besim tek populli ndaj institucionit të Presidentit të Republikës dhe rriti shpresat për një zhvillim progresiv të vendit. Detyrat shtetrore e politike janë të përkohëshme sipas mandateve politike që përcakton kushtetuta, më pas ky shtetar e politikan bëhet pjesë e popullit, e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Pra, funksionet nuk janë të përjetëshme, ndaj pas largimit nga këto poste, çmohet e vlerësohet figura e personaliteti i njeriut. Dhe kur kjo figurë mbahet e pastër, e pa njollosur dhe e pa korruptuar, ai person mbetet njeri i respektuar dhe i nderuar nga populli. Një shëmbull i lartë mbetet dhe figura e ish Presidentit Rexhep Mejdani, i cili gjithashtu diti të ruaj me dinjitet ekuilibrat politik dhe ka mbetur personalitet i nderuar nga opinioni publik. Kështu dhe figura e ish Presidentit Moisiu, që edhe sot pas kaq vitesh, që ai s’është më në atë detyrë, shihet me shumë respekt, duke i thënë shpesh, “Presidenti Moisiu”! Kjo është merita e politikanëve dhe shtetarëve të lartë, që të dinë t’a ruajnë me dinjitet jo vetëm karriken dhe emrin e lartë të shtetarit, por ka rëndësi figura dhe personaliteti moral e shoqëror edhe kur nuk janë më në ato funksione.
Gjatë mandatit të tij si president, u hodhën hapa të rëndësishme në drejtim të partneritetit me NATO-n dhe zhvillimin e marrëdhënieve drejtë integrimit të Shqipërisë në BE. Alfred Moisiu nuk ishte vetëm aktiv si President i Republikës gjatë ushtrimit të funksionit të tij, por dhe pas përfundimit të mandatit, ai vazhdon të jetë aktiv dhe në “Forumin Civil 2010”, i cili edhe sot është një forum aktiv i përbërë nga një grup intelektualësh ekspertë nga politika, shkenca, gazetaria dhe jurisprudenca, të cilët japin kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve politike në vend.
Kështu ka mbetur emri i Alfred Moisiut, President, njeri i nderuar dhe i respektuar, duke lënë pas konsiderata të mira, vetes, familjes Moisiu dhe Babait të tij, Spiro Moisiut, emri dhe vepra e të cilit, kujtohet, nderohet, e do vlerësohet sot e në të ardhmen, si modeli i një Gjenerali trim e atdhetar, me kontribute të larta ndaj popullit e Atdheut. S’ka si të jetë ndryshe, që dhe i biri, Alfred Moisiu, i një brezi më pas, diti t’a mbaj lartë emrin e Atit të tij, Gjeneral Spiros, si dhe të gjithë familjes atdhetare Moisiu, duke merituar plotësisht një thënie të hershme e të mençur të popullit që: “Dardha bie nën Dardhë”.

Respekte