Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike për punimet që po bëhen në Kryeministri, ka sjellë në vëmendje rikonstruksionin e Presidencës dhe Bashkisë së Tiranës, të cilat u bënë me donacione private. Në faqen e tij në rrjetin social Facebook, zyrtari socialisti ka deklaruar se Presidenti Nishani rikonstruktuar kopshtin e institucionit dhe kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka mobiliuar zyrën me donacione private. “Meqë PD ka kritikuar Kryeministrin Edi Rama për punimet në Kryeministri, duke e akuzuar se përse po e bën me donacione, po sjell më poshtë shkrimin për donacionet private me të cilën u rikonstruktua Presidenca nga Bujar Nishani. Në ceremoninë e inaugurimit, ka qenë i pranishëm madje edhe vetë Kryetari aktual i PD, Lulzim Basha. Ky i fundit, po me donacione private rikonstruktoi zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sapo Rama u largua prej saj”, – denoncon zoti Peza. Për të vërtetuar këtë ai paraqiti një shkrim të publikuar më 27 nëntor 2012, i cili është i bazuar në njoftimin zyrtar të Presidencës, ku tregohen detaje për këto dhurime private. Më poshtë vijon i plotë ky shkrim.
Përurohet kopshti i ri i Presidencës. Nishani: Me donacione private
Publikuar më 27.11.2012 | 20:20
TIRANË – Sot në një ceremoni të veçantë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, në prani të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bashkëshortes së tij, Aurela Basha, Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve Michael Granoff dhe anëtarëve të Kabinetit përuroi sot pasdite mbylljen e punimeve rikonstruktuese të kopshtit që rrethon ndërtesën e institucionit, punime të cilat janë kryer me donacione private në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Gjatë ceremonisë, Presidenti Nishani në prononcimin për mediat u shpreh se punimet rikonstruktuese kishin si qëllim të përcillnin për opinionin publik një imazh të ri dhe estetik të ndërtesës së Institucionit të Presidentit, si simbol i Kreut të Shtetit.
“Shqipëria, Kosova, e të gjitha trevat shqiptare sot janë të përfshira në festë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Presidenti dhe stafi i tij menduan të punojnë gjatë këtyre ditëve dhe me rastin e 100-vjetorit t’i japim një imazh të ri ndërtesës së Institucionit, kopshtit përreth ndërtesës si simboli i Kreut të Shtetit, si simboli i institucionit kryesor të vendit. Unë gjej rastin që në këtë mbrëmje përurimi të këtij kopshti të bukur sonte, të falenderoj të gjithë donatorët, të cilët bënë të mundur një imazh kaq të këndshëm, estetik për Institucionit e Presidentit. Falenderoj ata, të cilët na dhuruan një ulli 450-vjeçar! Gjithashtu falenderoj skulptorin e talentuar, Helidon Xhixha, i cili na dhuroi këtë skulpturë, por edhe të gjithë donatorët e tjerë! Falenderoj në mënyrë të veçantë Bashkinë e Tiranës, zotin Basha, i cili mbështeti jo vetëm idenë e Presidentit të Republikës, por punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë bërë vërtetë një punë të admirueshme dhe profesionale në krijimin e këtij mjedisi kaq estetik dhe të këndshëm. Unë dëshiroj të falenderoj zotin Granoff, që është sonte me ne në këtë ceremoni, por njëkohësisht dëshiroj të falenderoj të gjithë punonjësit e administratës së Institucionit të Presidentit, të cilët me idetë dhe me angazhimin e tyre, bënë të mundur që të ofrojmë një mjedis të tillë për besueshmërinë e Institucionit më të rëndësishëm të shtetit”, theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit nënvizoi më tej se me punimet është sjellë edhe një risi, ajo e hapjes së institucionit për qytetarët. “Ky është vërtet Institucioni që simbolizon Kreun e Shtetit, por është Institucioni i shtetit shqiptar, dhe të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë dëshirë të shikojnë, të admirojnë e të shijojnë bukuritë e Institucionit më të lartë të shtetit shqiptar, do t’i kenë të gjitha këto mundësi. Së bashku me administratën, po shohim mundësinë që në ditë të caktuara të javës të hapin Institucionin e Presidentit edhe për qytetarët edhe në mjediset e brendshme, ku vërtet në këto mjedise çdo ditë të punohet, të mendohet për të mirën e vendit. Njëkohësisht të jenë të vizitueshme e të prekshme edhe nga qytetarët shqiptarë”, tha Presidenti Nishani duke vlerësuar punën e të gjithë atyre që bënë të mundur këtë imazh të këndshëm për Institucionin e Presidentit në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Ideja për rikonstruksionin e kopshtit të godinës së Institucionit të Presidentit të Republikës lindi me synimin për t’i dhënë godinës dhe kopshtit që e rrethon një imazh dinjitoz dhe estetik siç i ka hije institucionit të Kreut të Shtetit. Me asistencën e Ndërmarrjes Nr. 1 pranë Bashkisë së Tiranës u bë i mundur pastrimi i territorit të jashtëm të institucionit. Gjatë punimeve janë rikonstruktuar tërë sheshi kryesor me pllaka të bardha, pllakat e rrugicave të kopshtit, sistemi i ndriçimit të jashtëm të godinës, sistemi i ujitjes, rrjeti i ujësjellës kanalizimeve, janë krasitur pemë të vjetra, si dhe është risistemuar lulishtja. Punime rikonstruksioni janë kryer në një siperfaqe prej afro 6 mijë metrash katrorë, që përbën kopshtin ku shtrihet ndërtesa.
Projekti i rikonstruksionit të kopshtit është realizuar nga një studio italiane në Milano, e cila ka realizuar edhe rikonstruksionin e disa vilave qeveritare në Itali. Janë hequr pemët që konsideroheshin të rrezikshme për shkak të vjetërsisë së tyre, rreth 6 plepa e dy pisha, të cilat janë zëvendësuar me 6 pemë (Melja), disa pemë të tjera të veçanta, mbi 200 rrënjë bimë dafine, jasemini, pemë të ulta zbukuruese dhe një numër shumë i madh lulesh të larmishme dekorative. Njëkohësisht, bari i vjetër është hequr dhe zëvendësuar me një tapet bari të ri i mbërritur nga Italia, si dhuratë. Kopshtin tashmë e hijeshon edhe një pemë e bukur ulliri 450-vjeçar, si simbol i paqes, i cili është dhuruar nga Fiera del Levante dhe rajoni i Pulias në shenjë të miqësisë shekullore mes dy vendeve.
Sistemi i ndriçimit të jashtëm të godinës është shtruar tërësisht i ri, falë asistencës së studios së arkitektit italian me famë ndërkombëtare, Italo Rrota, i cili ka realizuar ndriçimin e Katedrales “Notre Dame” në Paris, Vilën Novecento në Milano, si dhe shumë prej shtëpive dhe ambjenteve nëpër botë të stilistit të famshëm Roberto Cavalli. Një aspekt i rëndësishëm i punimeve ishte edhe heqja e bimëve kacavjerrëse nga rrethimi ballor i institucionit, me qëllimin e hapjes së tij ndaj qytetarëve. Gjithashtu në sheshin kryesor të kopshtit në të djathtë është vendosur një skulpturë moderne inoksi e realizuar nga skulptori i suksesshëm shqiptar Helidon Xhixha.
Dy skulptura të tjera inoksi me ngjyrat e flamurit kombëtar, të dhuruara nga autori Helidon Xhixha janë vendosur në hollin kryesor të ndërtesës. Të gjitha punimet për rikonstruksionin e kopshtit janë kryer me donacione private në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

HAJDUTI GJITHMONE KA ULURITUR…….”KAPENI HAJDUTIN”!!!
Duhen stimuluar donatoret kur vërtet dhurojne vlera për institucionet shtetrore!Mire ka bere Nishani qe ka kryer punime me donatore,pasi nuk futet dora ne xhepin e SOVRANIT,si bente Berisha me mitingjet,urdhrat për pagesa shtetrore partise PD!Shume shpejt SOVRANI do heq subvenciknimet për te gjitha partite politike! duhet ulur numuri i parlamentareve duke shikuar edhe ligjin per ta bere jeten parlamentare shqiptare,si ajo zvicerane ku parlamentaret nuk paguhen nga shteti!…Nuk ka perse të kete Seli partish dhe administrate partiake burokratike!Shembulli i M5S ne Itali qe nuk ka seli,nuk merr subvencione shtetrore,dhe ulur rroga e deputetit sa e një punëtori;eshtë përvoje me të tjera risi,që dhe SOVRANI shqiptar do dije ti beje pa pasur Njesha partiake mbi krye!…Duhen stimuluar donacionet si prioritet i ekonomise se lirë,pa cënuar buxhetin e shtetit qe është xhepi i SOVRANIT!…Zbrit në fushëlojë dhe ti qe lexon kete koment!Ti je SOVRAN,je NJESH i demokracise reale!…Demokraci e drejtperdrejtë do shpëtoi Shqipërinë!…Ta pergatisim me kurajo!