Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut
“Kadriu erdhi fshehtas e qëndroi një orë tek Mehmeti. E përcolli Fiqreti. Kishte një dosje-çantë kur iku. Më tha: Ali, askush mos e marrë vesh ardhjen time sonte!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e radhës së gjyqit ndaj Kadri Hazbiut (data 23 gusht 1983), ka vazhduar deponimi i të pandehurit Ali Çeno, ish-përgjegjësi i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. Pasi ka dëshmuar për ‘veprimtarinë agjenturore në dobi të agjenturave të huaja të Fiqret Shehut e djemve të sajë në Suedi e Paris’, praninë e dijeninë e tij në disa nga këto takime, ai është ndalur tek dy vizitat misterioze të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut në vilën e Mehmet Shehut, pak orë para se ish-kryeministri i Shqipërisë, të vetëvritej…..
Vazhdojnë deponimet e Ali Çenos.
Ali Çeno:-Harrova të them se për sa i përket letrës së parë, kur u ktheva në Shqipëri pas 2-3 ditëve që qëndrova pushim, armiku Mehmet Shehu më thotë: Ti Ali mos u bëj merak, mos u mërzit e mos u shqetëso për letrën që unë të dhashë për atë mikun tim që kisha në Amerikë, sepse këtë problem e di dhe Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. Sepse ky është miku im, miku i Kadriut, është dhe miku i Feçor Shehut…. Duke qenë për gjueti pas ndonjë muaji në Lezhë, në Krujë, Kadri Hazbiu më ka marrë, duke qenë bashkë me gjithë personelin që ishim aty. Pra, Kadri Hazbiu më ka marrë me vete dhe më tha: Ali, si shkove në Paris, si kalove me shërbimin. I thash kalova shumë mirë. Më tha, Skënderi si ishte, Ganiu si ishte. I thash se ishin shumë mirë. Shiko se për letrën që i ke dërguar atij mikut të Mehmet Shehut, jam në dijeni edhe unë, më tha. Atë e kam mik unë, e ka mik edhe Feçori, atë e njohim edhe ne. Këto janë probleme partie, më tha, e shtetërore, dhe goja duhet mbajtur e mbyllur, të mos bëhen llafe pazari.
Për sa i përket letrës që unë do të merrja nga Suedia, se poli agjenti Mehmet Shehu më tha kur shkova në Suedi, se do të merrja dhe përgjigjen e një letre që do të më jepte Skënderi. Pasi ndenja disa ditë, siç tha edhe Gani Kodra, ai ka marrë disa herë në telefon. Në një rast kam folur edhe vetë. Më tha që të nisesha sa më parë në Shqipëri. Do të nisem me grupin e PÇ, i thash. Skënderi unë e kam pyetur se cili ishte ky person. Skënderi mu përgjigj se ky person është një profesori im që kthehet nga Amerika, kjo në thonjëza, se ky ka qenë person i agjenturës amerikane. Që Skënderi takohej vazhdimisht me këtë person dhe që unë nuk e dija që Skënderi do të takohej me këtë person të agjenturës amerikane, pasi mori letrën, u vendos data, preva biletën për tu nisur me grupin e PÇ në Shqipëri. Kur u nisa për të ardhur më tha mbaje këtë letër dhe sipër kishte shkruar: Në dorë mamit!. Pasi u ktheva në Shqipëri, pa shkuar në shtëpinë time, kam shkuar në shtëpinë e tradhtarit Mehmet Shehu për të dhënë letrën që më dha Skënderi dhe ti thosha dhe për problemin që më dha Skënderi, nëse ishte i mërzitur apo jo. Aty, përpara po më priste Fiqret Shehu. E takova, më pyeti si e kalove. I thashë kaluam shumë mirë. I thashë ke dhe këtë letër që më ka dhënë Skënderi. Ajo më tha do shkoj të thërras Mehmetin se është ën zyrë që ta takosh edhe ti. Në këtë kohë doli tradhtari Mehmet Shehu nga zyra, kurse Fiqreti ndenji brenda në zyrë. Pasi ndenji disa minuta, Fiqreti doli dhe i tha tradhtarit Mehmet Shehu që shko Mehmet se ke harruar dokumentet në tavolinë. Po, tha ai, e u nis për të shkuar në tavolinë në zyrë. Unë këtu kuptova se ata shkuan për të lexuar letrën që u dërgonte Skënderi….
Armiqtë e këtij grupi kundër revolucionar, të përbërë nga poli agjenti Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e me radhë, që kërkonin përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri, siç e thashë, edhe që të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist. Kohët e fundit, më kujtohet rasti pas prishjes së fejesës, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, armiku i popullit Kadri Hazbiu, Nesti Nase e Llambi Ziçishti, kanë ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut kohë pa kohë. Natën në të ngrysur dhe ngjanin si ata kapuçonjtë e zinj që bredhin poshtë e përpjetë natën për të kryer akte kriminale kundër Partisë e pushtetit popullor.
Këtu do të ndalem në dy probleme kryesore por janë thelbësore, siç është data e 16 dhjetorit e vitit 1981, kur ka ardhur armiku Kadri Hazbiu në shtëpinë e Mehmet Shehut. Ne njoftoheshim zakonisht nga armiqtë Mehmet e Fiqret kur vinin persona të ndryshëm për ti pritur e për ti përcjellë si zakonisht gjithë personat e tjerë. Ndërsa ardhja e Feçor Shehut atë natë ka qenë misterioze, e pa njoftuar. Asnjë nga ne personeli i shërbimit nuk dinte gjë fare që do vinte Feçor Shehu në shtëpinë e Mehmet Shehut. Ndryshe nga herët e tjera, si armik e si dhelparak, ky nuk kaloi nga rruga kryesore e Komitetit Qendror, por erdhi hajdutçe, si të thuash, duke u futur në lulishten që ishte bri Komitetit Qendror dhe që nxjerrë përballë shtëpisë së tradhtarit Mehmet Shehu. Në kohën që ky po vinte me të shpejtë, kishte ulur dhe kokën, oficeri i shërbimit i bie ziles. Unë menjëherë kthej kokën nga xhami, se isha në lokalin e shërbimit të sigurimit të oficerëve dhe shoh se po vinte Feçor Shehu me të shpejtë. Dola që ta merrja dhe ta shoqëroja për ta futur në shtëpi. Por nuk arrita dot se ky po ecte me shpejtësi drejt hyrjes kryesore. Tek porta kryesore e ka pritur Fiqret Shehu. Ky shoqërohej nga shoqëruesi i tij, Besnik Kasa.
Më kujtohet se ishte data 16, sepse poli agjenti Mehmet Shehu sapo mori takim me zëvendëskryeministrin rumun dhe e kam të freskët këtë datë. Armiku Feçor Shehu, në shtëpinë e Mehmet Shehut ka ndenjur rreth një orë. Kur ka dal që andej, ai përsëri u përcoll nga Fiqreti tek porta, doli duke pasur në dorë një çantë të vogël me zinxhir. Përshtypje na bëri të gjithëve ne shokëve, se po bëheshim gati për të ikur nëpër shtëpitë tona, nuk na foli fare. Ashtu siç ishte, me kokë ulur, iku po saj rruge që erdhi, nëpërmjet lulishtes. Pastaj hipi në makinë. Se çfarë makine dhe cili shofer ishte nuk e di…..
Për sa i përket datës 17 dhjetor që armiku Kadri Hazbiu ka ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut, dua të them këto gjëra. Sa mbaroi mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror në darkë, Mehmet Shehu, pasi ishte vënë në zdrukth nga Udhëheqësi i Partisë dhe Byroja Politike, ishte bërë si një pulë e lagur. Nuk fliste fare, dhe pa na folur fare, ai u drejtua drejt shtëpisë dhe u fut brenda në ‘të. Në këtë kohë kam shkuar në lokalin e shërbimit të oficerëve për të dhënë porositë e rastit siç i jepja zakonisht, sepse isha përgjegjës i grupit dhe jepja porosi. Pasi kam ndenjur një farë kohe të vogël, u nisa e shkova në shtëpinë time. Pasi kam shkuar në shtëpi, u zhvesha, hëngra dhe bukë, bie zilja e telefonit. Doktor Llesh Rroku, mjeku i armikut Mehmet Shehu më thotë në telefon se Mehmet Shehu e mori në telefon dhe e pyeti se kush nga oficerët është sonte me shërbim aty. Lleshi i kishte thënë që është Dashamiri, Pëllumbi, por që më kishte parë dhe mua që shkoja në kuzhinën e armikut Mehmet Shehu për të marrë kuzhinierë për të shkuar tek shtëpia Nr 1 e Partisë, sepse ne shkonim zakonisht e luanim bilardo atje. Pasi e thirra në emër kuzhinierin, më thanë që nuk është. Kuzhina e shtëpisë është përballë portës anësore të shtëpisë që është përballë shtëpisë së Partisë, Nr 1. Pasi kam hapur derën, kam parë që anës murit po vinte një person që në fillim nuk e njoha se ishte errët. Pasi kam ecur 2-3 hapa, ai më thirri: Ali, ti je? Ju përgjigja po. Atëherë e njoha se ishte Kadri Hazbiu, si nga zëri, ashtu edhe nga pamja. Kadri Hazbiu më tha, do shkoj se më ka kërkuar Mehmet Shehu në telefon, dhe do futem brenda në shtëpi. Unë i thashë hajde hyjmë nga hyrja kryesore, se këtu nuk ka drita, është errësirë. Ai më tha jo, do të futemi këtej sepse në korridorin anësor të shtëpisë më pret Fiqreti. Ashtu vendosëm, u futëm brenda. Në të njëjtën kohë i thash Kadri Hazbiut se ajo dera është e mbyllur, se ne e mbyllim kur shkon ora 6 e gjysmë-shtatë me çelës, dhe çelësat rrinin në lokalin e shërbimit të oficerëve. I thashë që do shkoj të marr çelësat në lokalin e shërbimit. Kam shkuar, kam marrë çelësat dhe kam hyrë nëpërmjet shkallës që të shpie në korridorin anësor të shtëpisë , kam hapur derën, dhe së bashku me Kadrin, jam futur brenda. Pasi ecëm 3-4 hapa në korridor, atë e priste Fiqret Shehu. Fiqreti, në atë kohë më tha, ti Ali, do dalësh jashtë, më tha. Edhe unë ashtu veprova, dola jashtë dhe po prisja ta shoqëroja. Edhe Kadri Hazbiu, dua të theksoj, ka ardhur në mënyrë misterioze pa u njoftuar ne nga familja e tradhtarit Mehmet Shehu. Kur ka dalë Kadri Hazbiu nga shtëpia e Mehmet Shehut, dua të theksoj se ai kishte në dorë një si çantë, si dosje, dhe kur dolëm përjashta, e përcolla tek porta anësore. Ai më tha, për ardhjen time sonte, mos i thuaj njeriu, dhe u largua. Se nga kaloi, a nga lulishtja që të shpie tek shtëpia e Petraq Postolit, apo nga rruga që të çon tek ish-ndërtesa e Ministrisë së Jashtme, unë këtë nuk e kam parë fare. Ky nuk kishte njeri që ta shoqëronte, ishte fillikat vetëm.
Armiku Mehmet Shehu, armiku Kadri Hazbiu dhe armiku Feçor Shehu, bënin biseda armiqësore që ishin në kundërshtim me vijën e Partisë. Më kujtohet që në vitin 1974, kur Partia e izoloi e përjashtoi Beqir Ballukun, dhe në konvaleshencën e ushtrisë në Durrës bëhej me oficerët kryesorë të ushtrisë për demaskimin e Petrit Dumes e Hioto Çakos, kur janë kthyer për në shtëpi, kanë qenë të dy në një makinë. Në makinën e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu, dhe i tha që ne ti mbajmë në ushtri këta sepse i duhen ushtrisë. Fundja, ti caktojmë komandantë korpusi.
Një fakt tjetër tipik, që Kadri Hazbiu është dhe miku i ngushtë i Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorë i tij i ngushtë, është sepse, pasi dilnin nga shtëpia e Partisë Nr 1, bisedonin….. Një natë, kur kanë dalë nga shtëpia e Partisë Nr 1, unë isha ulur pranë portës, aty tek lulishtja, këta nuk më shihnin, kam dëgjuar një bisedë armiqësore që bënte Kadri Hazbiu me Mehmet shehun. Mehmeti i tha se po të ishte vetëm Beqir Balluku, ishte më lehtë. Por tani që këta u shtuan dhe u shumuan, ti Kadri dhe Feçori kini kujdes që këta, emrin tim të mos e zënë. Kadriu ju përgjigj, për këtë mos u bëj merak, se atje jam unë dhe Feçori. Kur hyri në shtëpi Mehmet Shehu, pasi u ndanë, më tha: Po ti ç’bën këtu. Hiç-i thashë. Çfarë, më tha, dëgjon bisedat që bëjmë ne udhëheqësit!? E di që të ikën koka?
Pas dy-tre ditësh unë i çova Kadri Hazbiut një pliko në zyrë. Kadriu më tha që ti e dëgjove Mehmet Shehun se çfarë të tha, këto janë gjëra me zarar, ai është personalitet i lartë i Partisë dhe shtetit dhe nuk lejojmë ne që ti dalë emri në hetuesi. Prandaj ti, për këtë problem, nuk është nevoja të bisedosh me njeri…
Bisedë tjetër armiqësore që ka bërë Kadri Hazbiu me poli agjentin Mehmet Shehu është dhe një rast tipik. Kur Kadri Hazbiu ishte ministër i Mbrojtjes Popullore, nuk më kujtohet me saktësi, por nga mezi i vitin 1981 afërsisht, poli agjenti Mehmet Shehu më ka dhënë një pliko për Kadriun. Unë hyra në zyrën e Kadriut në ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe ky kishte përpara një gazetë dhe më tha: Ali, dëgjoni ju se ç’ndodh në Kosovë!?. I dëgjojmë dhe i lexojmë , i thashë, në mënyrë të organizuar me gjithë efektivin e grupit. Duhet pasur kujdes, tha, se bën vaki, ndodh dhe këtu ndonjë trazirë. Edhe po ndodhi ndonjë trazirë, është ushtria ajo që vendos, është Ministria e Brendshme, jam unë, Veli Llakaj, është Garda. Në këtë kohë, Mehmet Shehu do të jetë jashtë Tirane, prandaj kemi radio, do të ndërlidhemi me radio edhe do të vijë Mehmet Shehu të stabilizojë gjendjen. Në të njëjtën kohë, ka hyrë dhe Feçor Shehu në zyrën e Kadri Hazbiut. Pasi më bërë këtë bisedë, e pyeta Kadri Hazbiun: Pse, çfarë trazirash mund të ndodhin këtu? Të dy njëherësh, me një gjuhë të përbashkët që i karakterizonte, më thanë: Jo mor Ali, kushdo që të ngrejë dorë kundër Partisë, ne do ti presim kokën. Po kjo është e qartë, i thash unë, do ti presim kokën se s’bën!. Ti si përgjegjës grupi, së bashku me grupin, të keni kujdes, ta ruani Mehmet Shehun si sytë e ballit, sepse Mehmet Shehu është figurë kryesore dhe mos i preket as jaka e këmishës. Në atë kohë, unë dola përjashta….
Një bisedë tjetër që ka zhvilluar armiku Kadri Hazbiu me poli agjentin Mehmet Shehu është dhe ky kur shkonte për gjueti. Ky (Kadriu), ishte një nga miqtë më të ngushtë që kishte tradhtari Mehmet Shehu. Këtë e mbante shumë afër. Një javë po të rrinte pa e takuar Kadri Hazbiun, ai do të merrte ta puthte, siç nuk puthte fëmijët e tij. Kadriu e puthte, sepse siç po provohet, është krahu i djathtë i Mehmet Shehut. Duke qenë ën Sarandë në vitin, nuk po më kujtohet viti, po për çdo vit e ka marrë Kadri Hazbiun me vete. Në një kohë, Mehmet Shehu bëri këtë bisedë, pasi mbaroi një çoje(ngritje të kafshëve të egra) në vendin që quhet mali i Kazanit dhe i Përmetit, dolën sipër për të bërë pushim. Ne ishim bërë si fener, se ashtu na përdornin këta armiq të tërbuar, xhelatë. Pasi dolëm aty, Mehmet Shehu, ishte dimër, kishte pirë nja dy gllënjka raki dhe i thotë këtij: Shiko, vijën e Beqir Ballukut tani e kemi kthyer në pikë turistike. Ç’ishte fundja Beqir Balluku, një kovaç. E morëm dhe e bëmë udhëheqës Partie! Në të njëjtën kohë që ushtarët e Gardës po transportonin derrat në krahë, nëpër ferra e driza, i thotë Kadri Hazbiut: Kadri, shiko se ç’është ushtria. Prandaj, ti që je ministër i Mbrojtjes, duhet të kesh kujdes, është ushtria ajo që vendos mbi fatet e popullit e të vendit!
Një tjetër bisedë që ka zhvilluar armiku Mehmet Shehu me Kadri Hazbiun e Feçor Shehun, është kur këta të tre kanë qenë për gjueti. Nuk më kujtohet me saktësi, në Velipojë apo në Kune, që i tha: Shiko si shkoi puna, e kisha unë Ministrinë e Brendshme, e more ti Kadri. E mora unë Ministrinë e Mbrojtjes, e more ti Kadri, dhe ministrinë e Punëve të Brendshme e mori Feçori. Prandaj, keni kujdes se keni në dorë dy ministri që janë shumë të rëndësishme. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Duke qenë pranë tij, unë kam shumë raste të aktivitetit që bënte. Për sa i përket letrës së parë, kur u ktheva në Shqipëri pas 2-3 ditëve që qëndrova pushim, armiku Mehmet Shehu më thotë: Ti Ali mos u bëj merak, mos u mërzit e mos u shqetëso për letrën që unë të dhashë për atë mikun tim që kisha në Amerikë, sepse këtë problem e di dhe Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. Sepse ky është miku im, miku i Kadriut, është dhe miku i Feçor Shehut…. Pra, është miku jonë…”
SOM 2
“Një natë, kur kanë dalë nga shtëpia e Partisë Nr 1, unë isha ulur pranë portës, aty tek lulishtja, këta nuk më shihnin, kam dëgjuar një bisedë armiqësore që bënte Kadri Hazbiu me Mehmet shehun. Mehmeti i tha se po të ishte vetëm Beqir Balluku, ishte më lehtë. Mehmeti i tha: Ti Kadri dhe Feçori kini kujdes që këta, emrin tim të mos e zënë. Kadriu ju përgjigj: Për këtë mos u bëj merak, se atje jam unë dhe Feçori. Kur hyri në shtëpi Mehmet Shehu, pasi u ndanë, më tha: Po ti ç’bën këtu. Hiç-i thashë. Çfarë, më tha, dëgjon bisedat që bëjmë ne udhëheqësit!? E di që të ikën koka?”
SOM 3
“Kur Kadri Hazbiu ishte ministër i Mbrojtjes, nga mezi i vitin 1981 afërsisht, poliagjenti Mehmet Shehu më ka dhënë një pliko për Kadriun. Unë hyra në zyrën e Kadriut. Ky kishte përpara një gazetë dhe më tha: Ali, dëgjoni ju se ç’ndodh në Kosovë!?. I dëgjojmë dhe i lexojmë , i thashë, në mënyrë të organizuar me gjithë efektivin e grupit. Duhet patur kujdes, tha, se bën vaki, ndodh dhe këtu ndonjë trazirë. Edhe po ndodhi ndonjë trazirë, është ushtria ajo që vendos, është Ministria e Brendshme, jam unë, Veli Llakaj, është Garda”
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e Ali Çenos:- Porositë që më dha Mehmet Shehu në Plenumin për Ushtrinë të vitit 1975 ku u shkarkuan dhe arrestuan si ‘puçistë’ gjeneralët Dume, Çako, etj…
-Ngjarja në Kuçovë me telefonat dhe kërcënimi i Mehmetit: Kush përgjon bisedat që bëj unë me Fiqretin?
-Biseda ‘armiqësore’ e Mehmet Shehut me Kadri Hazbiun gjatë gjuetisë në Lezhë.
Shikoje kush e vrau Mehmet Shehun http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww