Lajmi për rrëmbimin dhe lirimin e kryeministrit libian mëngjesin e së enjtes, tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilët e lidhën ngjarjen me misionin e ndërmarrë 6 ditë më parë nga ekipi amerikan SEAL në Libi, ku u kap lideri i Al-Kaedës, Abu Anas al-Libi. Por, kush është Ali Zeidan, kryeministri i zgjedhur vetëm një vit më parë?
Është në krye të qeverisë libiane prej vetëm një viti, Ali Zeidan, i rrëmbyer në një hotel të Tripolit nga ish-rebelë të armatosur. Ishte rikthyer në vendin e lindjes në 2011-n, kur shpërtheu revolta kundër Gadafit.
I lindur në vitet ’50, në Vadan, (pjesë qendrore e Libisë), ai është konsideruar gjithnjë një liberal. Që nga vitet ’70 ka qenë në radhë të parë midis opozitarëve të regjimit të Muamar Gadafit. Pasi braktisi karrierën e diplomatit, në vitet në vijim dezertoi për të themeluar Frontin Kombëtar për Shpëtimin e Libisë. Prej asaj kohe Zeidan kaloi rreth 30 vjet në mërgim në Zvicër.
Pas rënies së Gadafit, u nominua si përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit në Evropë. Sipas “al-Jazeera”, ka pasur një rol kyç në bindjen e presidentit francez Nikolas Sarkozi për të mbështetur forcat kundër diktatorit. Ai u zgjodh kryeministër i Libisë në tetor të 2012-s, duke mundur në balotazh rivalin, Mohammed Al-Harari.
Disa orë pas shpërndarjes së lajmit për rrëmbimin e kryeministrit, BBC-ja raportoi se ai ishte liruar. Nëpërmjet një komunikate, Zeidan apeloi për ruajtjen e qetësisë në vend për të shmangur përhapjen e dhunë. “Shpresoj që çështja të zgjidhet me maturi, në mënyrë që të shmanget një përshkallëzim i situatës”, tha Zeidan i cili u shfaq në një takim me anëtarët e qeverisë.
Rrëmbim apo arrest?
Kreu i qeverisë u mor nga “Corinthia Hotel” në Tripoli, në të cilin jetonte, nga një grup personash të cilësuar si ish-rebelë. Një foto e kryeministrit në momentin e “arrestimit”, e paqartësuar ende nëse ishte vërtet i tillë apo rrëmbim, u shpërnda nga “Al Arabiya”. Në të, ai shfaqej me një këmishë ngjyrë bezhë gjysmë të kopsitur dhe me një mimikë të vrenjtur, i mbajtur në të dy krahët nga persona të veshur civilë.
Grupet ekstremiste islamike gjatë ditëve të kaluara kanë akuzuar kryeministrin se autorizoi në mënyrë sekrete misionin e forcave speciale amerikane më 5 tetor, i cili çoi në kapjen në Tripoli, të Abu al-Libi, terrorist i Al-Kaedës i konsideruar si ideatori atentateve në Nairobi dhe Dar es Salam (në vitin 1998), ku humbën jetën 220 persona.
Vetëm dy ditë më parë në një intervistë për “BBC”-në, Zeidan pranoi se Libia po përdoret si një bazë për të eksportuar armë në të gjithë rajonin dhe kërkoi zyrtarisht ndihmën e fuqive perëndimore. “Lëvizja e këtyre armëve rrezikon jo vetëm Libinë, por të gjithë vendet fqinje gjithashtu “, deklaroi ai.
Në lidhje me Abu al-Libi, në një konferencë për shtyp, ishte shprehur se qytetarët libianë kanë të drejtë të procesohen në tokën libiane dhe se çështja do të diskutohej me autoritetet amerikane. Tripoli zyrtar kishte paraqitur një notë proteste për shkeljen e sovranitetit të territorit të tij. Ambasadorja amerikane në Libi, Deborah Jones, u thirr nga ministri i Drejtësisë për qartësime, ndërsa Kongresi Kombëtar kishte kërkuar ridorëzimin e menjëhershëm të al-Libit. Gjithsesi, Zeidan ishte shprehur se sulmi nuk do të kompromentonte marrëdhëniet e Libisë me Shtetet e Bashkuara.
Nga ana tjetër, grupet radikale islamike lëshuan një apel për të goditur objektivat amerikane dhe të vendeve të saj aleate. Kërcënimet e shtynë Pentagonin që të zhvendoste në bazën italiane të Sigonelas (Siçili) 200 marinsat e gatshëm për të vepruar në operacione evakuimi dhe shpëtim pengjesh.
Dy grupe ish-rebelësh konsiderohen si përgjegjës të “arrestimit” të Ali Zeidanit. Ata tashmë janë pjesë e “Dhomës e revolucionarëve në Libi” dhe “Brigatës së luftës kundër krimit”, që në teori varen nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme. Një nga rrëmbyesit marrja e kryeministrit ishte urdhër i prokurorit, por qeveria e mohoi këtë fakt./D.Gjuzi