Në këto vite dështimesh në rrugëtimin drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian kemi
dëgjuar të dalë nga gojë e Kryeminstrit vetëm një justifikim. Dhe çuditërisht, ky i yni është i vetmi
kryeminstër në botë të cilit ia ka marrë kapistallin e qeverisjes nga duart opozita, duke e bërë kështu
të pamundur ëndrrën e shqiptarëve për integrim. Opozita nuk voton tre ligjet, thotë ai, ndaj ne nuk
vemi dot në Europë të dashur bashkëatdhetarë.
Habia në popull është e madhe. Në atë popullin e vogël, atë që diktatori quante dikur vegjëli, të
përbërë nga njerëz të thjeshtë, me burime të pakta ekonomike ose gati të zeruara falë boom-it
ekonomik që po përjeton Shqipëria, pa miq e njohje të rëndësishme e që rropatet për pak drejtësi
lart e poshtë institucioneve shtetërore, s’ka si të mos të ketë habi, madje dhe zemërim. Po si ore,
qënkemi vetëm tre hapa larg Europës dhe kjo Opozita, cinikja dhe e papjekura opozitë, na ka zënë
rrugën e nuk la lë të shkojmë përpara me ëndrrën tonë. Patetike!
Kryeminstri, i cili duket të ketë një vizion krejt të tijin të realitetit shqiptar, nuk ka aq vend në
memorie sa të arrijë të përmbledhë informacione e të dhëna mbi çështjet si Gërdeci, 21 Janari, apo
dhe çështje të cilat nuk kanë fatin e mirë të karakterizohen si të një rëndësie të veçantë për opinionin
publik. Nuk duket të ketë sepse ndryshe nuk kemi si e shpjegojmë naivitetin apo çiltërsinë e
argumentimit të tij. Ndryshe do të na duhej të mendonim se Kryeminstri akuzon qëllimisht
Opozitën, duke kërkuar kështu një justifikim, pak a shumë si ai struci që kërkon të fshihet duke
strukur kokën në rërë. Pse të mos ta dojë Ai Integrimin?! A nuk është e palogjikshme që dikush të
mos të dojë diçka që për karrierën e tij politike përfaqëson arritjen më të lartë, atë që do i garantonte
hyrjen në librat e Historisë nga derë e parme?
Çështja është se Kryeminstri ynë do por nuk mundet! Nuk është në gjendje, nuk është i gatshëm dhe
pamundësia e tij politikisht gjenetike, e cila buron si rrjedhojë e mentalitetit destruktiv dhe frymës
anti-institucionale që ai përfaqëson, është arsyeja e vetme për pamundësinë e realizimit të ëndrrës
tonë europiane. Në këtë rrugëtim tetëvjeçar të qeverisjes së tij, ai nuk është ndalur për asnjë moment
dhe për asnjë arsye në personalizimin e institucioneve të shtetit, në rrënimin e ekuilibrave ndër-
institucional nëpërmjet një politike të verbër dhe në kundërshtim total me frymën e Kushtetutës, me
kërkesat dhe standartet europiane dhe perëndimore të shtetbërjes.
Ky politikan, me pedigree prej diktatori lindor, ka infektuar të gjithë sistemin shtet me
personalizmin e tij të dhunshëm dhe të shurdhët. Gjërat nën drejtimin e tij nuk mund të shkojnë
ndryshe. E vërtetoi këtë në ’97, po na e vërteton dhe në këtë 8 vjeçar të udhëheqjes së tij. Nuk ka
sesi të mos jetë kështu!
Këto ditë lajme të mira erdhën prej një nga vendeve fqinjë ballkanikë. Vetëm para pak ditësh
gjykata e kryeqytetit kroat, Zagreb, dënoi me dhjetë vjetë burg ish-kryeministrin kroat, Ivo
Sanader. Akuza, mitmarrje në momente të ndryshme të karriersë së tij politike. Interesante janë
dhe motivimet që mbështesin vendimin. Shprehet Gjykata kroate duke e përkufizuar Sanaderin
si “arkitektin e një sistemi qeverisës i cili merrte vendime duke u bazuar në vullnetin e vetëm
dhe interesat personale të të pandehurit”, dhe sesi kjo sjellje ka kontribuar në rritjen e klimës të
mosbesimit ndaj politikës, krijimin e perceptimit tek të rinjtë “se suksesi dhe pasuria mund të
arrihen vetëm duke shkuar kundra vlerave dhe etikës të bashkëjetesës në shoqëri”.
E njëjta histori dhe përtej Adriatikut. Silvio Berluskoni me të humbur pushtetin u dënua me katër
vjet burg, me akuzën për mashtrim në dëm të sistemit fiskal. Dhe këtu gjykatësit argumentojnë
sesi krimi në fjalë ish realizuar falë pushtetit politik të personalizuar e të shndërruar në mënyrë të
pandarshme në një me vullnetin dhe dëshirat vetjake.
Është pikërisht kjo gjë që i kërkohet Shqipërisë, kjo do të ish pashaporta për realizimin e ëndrrës
tonë si komb. Jo që të dënohet detyrimisht një Kryeministër, por që sistemi i drejtësisë të
funksionojë, që të funksionojë mekanizmi që mbron shoqërinë nga degradimi i shtetit në një vegël
në duar të megalomanëve. Loja demokratike nuk pengon askënd të garojë në të ashtëquajturën garë
për qeverisjen e vendit, të paktën jo paraprakisht pa patur arsye të bazuara për ta bërë këtë.
Kështu duhen kuptuar kritikat konstruktive që Qeveria holandeze i drejton Shqipërisë, në arsyetimin
e vendimit të saj për të refuzuar dhënien e statusit. Raport progresi i tetorit 2012 nënvizon qartazi
faktin që kjo qeverisje ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit. Kjo dhe për faktin që nuk ka arritur
të krijojë një historik të qëndrueshëm mbi hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet e krimeve të lidhura
ngushtë me korrupsionin në të gjitha livelet. Jo sepse nuk ka patur mundësinë, thjesht nuk ka dashur
ta bëjë një gjë të tillë. Arsyet i dimë tashmë të gjithë ne shqiptarët.
Ne e vuajmë këtë anomali në përditshmërinë tonë. Ne shohim sesi pushteti shpëton pa u ndëshkuar
edhe pse provat e një korrupsioni dilagant janë mëse evidente. Kultura e pandëshkueshmërisë e
kultivuar gjerësisht dhe tashmë e institucionalizuar, është rrjedhojë e paevitueshme e kësaj politike
e cila mbart gjenetikisht virusin e një personalizmi autokratik.
Nuk është se Kryeministri nuk do. E përsëris, ai thjesht nuk mundet. Nuk mundet kur nuk heziton
të mohojë forcën e ligjit, detyrueshmërinë e vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë
atëherë kur nuk i leverdis atij. Nuk mundet kur paturpësisht nuk heziton të pohojë se çështja e
Qarkut të Fierit është e ndarë nga çështja e integrimit. A thua se Fieri është një shtojcë e territorit të
Republikës, pa të cilën kjo e fundit mund të bëjë shumë mirë.
Të gjithë e dimë pse ai po lufton ta mbajë këtë qark me çdo kusht. E kemi akoma dhe më të qartë
sidomos pas lajmit se Komuna Topojan, në rrethin e Kukësit, ka pësuar rritje demografike ndër
më të mëdhatë në vend. Çdo shqiptar e di mirë se ku e ka hallin Kryeministri ynë. Nuk e ka as tek
integrimi e as tek drejtësia. Hallin e ka tek vota dhe sesi të arrijë ta vjedhë atë përsëri. Kjo është në
thelb dhe gjeneza e tij politike. Pushtet me çdo kusht, dhe në dëm të shqiptarëve.
Amen. Fjale te arta.
Sholla e opinges nuk do thumba ,por shqelma e grushta thirrni ne ndihme Migjenin dhe merrjani borxh nje grusht te fuqishem.