Disa ditë pas përpjekjes së dështuar për tu arratisur nga burgu i Malandrinos, i dënuari shqiptar Alket Rizai tregon nga burgu për News 24 arsyet pse u përpoq të arratisej, dhe përse mbajti peng për 24 orë oficerët e burgut.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me moderatoren e emisionit me “Zemër të Hapur” Evis Ahmeti, Rizai rrëfen se tentativa e tij e radhës për tu aratisur erdhi pas drejtësisë së munguar.
Ai shprehet se nuk ka kryer asnjërën nga vrasjet për të cilat akuzohet, por se në Greqi njerëzit dënohen kot, sic thotë ai, thjesht se janë shqiptarë. Ai shkon më tej, duke akuzuar se policia greke ka keqtrajtuar dy bashkëpunëtorët e tij në tentativën e fundit për arratisje dhe i ka dhunuar fizikisht.
“Gjendja ime tani është shumë e mirë, ndodhi ajo që patë, mora peng 7 policë. E bëra për të dhënë një mesazh, na dënojnë kot se jemi shqiptar. Mua më akuzojnë kot. Më akuzojnë për 4 vrasje. Në këtë shtet nuk e gjen dot të drejtën, jo unë por të gjithë shqiptarët. Nëse për mua do kishte një fakt mirë, por nuk ka. Këtu keqtrajtohen të dënuarit, për incidentin e fundit, të huajve këtu ju thyejnë brinjët, nuk i cojnë as në spital. Kisha dy bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, ata janë keqtrajtuar”, thotë ai.
Duke folur për dënimin, Rizai shtoi se prokuroria dhe gjykata e kanë shpallur të pafajshëm por e kanë dënuar 72 qytetarë, që sipas Alketit ishin detyruar dhe rrahur nga policia që të dëshmonin kundër tij.
I pyetur se cfarë rruge do ndjekë ai për të qënë i lirë, Rizai shton, “Kush është ai qorr që nuk do sy. Nuk e di surprizën e radhës, por do riarratisem. Që nesër do doja të kthehesha në Shqipëri për gjykim, jam 100% i pafajshëm nuk po them se nuk jam ëngjëll, as djall por këta më kanë kapur për ngjarje që si kam bërë. Nuk kam lidhje fare me vrasjet. Fundja fundja e kam pranuar që kam grabitur bankat greke. Deri në pikën e fundit të gjakut tim do luftoj jo vetëm për vete por për mijëra shqiptar të dënuar padrejtësisht”, tha ai më tej