Alket Rizai nuk dorëzohet, zbulohet tentativa tjetër për arratisje

anazapta

E kush tha se Alket Rizai do të dorëzohet? Policia greke ka ushtruar një kontroll në qelinë e tij duke zbuluar se shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe që para dy javësh tentoi arratisjen nga burgu, po planifikonte një tjetër arrati.

Sipas medias greke, “Proto thema”, nisur nga bëmat më të fundit të vetë shqiptarit, policia po mundohet ta mbajë në mbikëqyrje gjatë gjithë kohës për gjithçka që bën.  Kështu që ka realizuar një kontroll të befasishëm në qelinë e tij. Por ndërkohë ka gjetur në të materiale që tregojnë se i dënuari me burgim të përjetshëm po përpiqej që të ndërtonte një bombë artizanale, e cila dyshohet se do të përdorej si kërcënim për t’u larguar nga burgu. Zbulimi i bombës u bë nga punonjësit e forcave speciale.

Edhe më parë në qelinë e Rizait ishin gjetur pistoletë dhe dy granata në burgun e Koridhalos, ndërkohë që policia greke është shprehur e shqetësuar, duke deklaruar se armët mund të përdoreshin në një tjetër përpjekje të 39-vjeçarit për t’u arratisur nga burgu.

Dy javë më parë, ndërsa siç duket kishte dështuar për të realizuar një bombë, Rizai mbajti peng 6 gardianë burgu, duke gënjyer lidhur me bombën që kishte me vete.

“Fakti që gjetëm një bombë para se të përdorej, nisur dhe nga realizimi i thjeshtë i saj, nuk do të thotë se ajo nuk do të përdorej apo nuk do të bëhet sërish”, tha një nga zyrtarët. Në fakt në burg ata kanë gjetur si mjetet për të realizuar bombën artizanale, por edhe instruksionet e duhura se si duhej bërë.

Në qeli u gjet një tip kapaku plastik të cilin i dënuari po përpiqej që ta kthente në një objekt shpërthyes. Madje bomba kishte filluar të merrte formë ndërsa në të ishin lidhur edhe pjesët e tjera.

Gjithçka që u gjet në qelinë e Rizait mësohet se është dërguar në laboratore për t’u analizuar dhe për të zbuluar plotësisht se për çfarë do të përdorej. Gjithsesi për “Protothemën” një oficer i policisë deklaroi me bindje se “ishte një bombë e cila kishte detenatorin dhe eksplozivin, që në fakt janë edhe dy elementet kryesore për ta realizuar”.

Alket Rizai është dënuar nga shteti grek për vrasje me burgim të përjetshëm. Prej shumë vitesh tashmë ai vazhdon të pretendojë pafajësinë, por ndërkohë edhe të tentojë arratisjen. Emri i tij u bë i njohur në shtetin grek, pasi dy herë arriti të arratiset nga burgjet e sigurisë së lartë me helikopter. Tentativa e fundit e tij ishte dy javë më parë ku mori peng gardianë burgu ndërsa kërkoi në këmbim një makinë që të lirohej. Ai u dorëzua pas 24 orësh, ndërsa rezultoi se kërcënimi se kishte një bombë që do ta shpërthente, ishte thjesht një blof.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *