Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, paralajmëroi futbollistët e tij të kenë kujdes nga Monaco në prag të sfidës së parë cerekfinale të Champions League që do të zhvillohet në Juventus Stadium. Sipas teknikut të bardhezinjëve francezët janë një skuadër më e vështirë për t’u eliminuar se Borussia e Dortmundit. Në lidhje me formacionin Allegri theksoi se për Pirlon dhe Barzaglin do të vendosë vetëm në momentet e fundit nëse do t’i hedhë në fushë si titullarë, ndërkohë që deklaroi së Tevez dhe Buffon janë riaftësuar plotësisht dhe do të luajnë që nga fillimi.
“Këto dy ndeshje do të jenë më të vështira për ne sesa dy përballjet ndaj Borussias së Dortmundit sepse kur luan ndaj një skuadre që pëson shumë pak gola, sfidat janë gjithmonë të vështira. Borussia është një skuadër më tepër sulmuese, ndërsa me Monacon është e kundërta pasi ata kanë kualitete të mëdha në mbrojtje. Kur ke përballë ekipe të tilla duhet të jesh i duruar dhe të luash me përulësi. Në këtë mënyrë ne duhet të zhvillojmë një ndeshje inteligjente për të arritur te rezultati i dëshiruar”.
Allegri nuk preferoi ta konsiderojë skuadrën e tij favorite në këto dy përballje, ndërkohë që shtoi se Monaco ka mbërritur me meritë në çerekfinale dhe është një skuadër për t’u respektuar maksimalisht.
“Monaco është një surprizë por unë mendoj se e ka merituar të jetë në çerekfinale. Kanë pësuar vetëm 4 gola deri në këtë fazë të kompeticionit, ata kanë shumë vlera madje në Francë kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Ne favoritë? Diçka të tillë e thoni ju gazetarët, por për ne do të jetë shumë e vështirë të kualifikohemi në gjysmëfinale”.
Nga ana tjetër trajneri i Monacos, Leonardo Jardim, bëri me dije se skuadra tij e respekton Juventusin por nuk e ka aspak frikë. Sipas teknikut portugez skuadra e tij është me meritë pjesë e çerekfinaleve të Championsit. “Për momentin asnjë nga dy skuadrat nuk është kualifikuar dhe ne do të shkojmë në Torino për të bërë lojën tonë. E respektojmë shumë Juventusin pasi ka në përbërje lojtarë të klasit të lartë Botëror, dhe unë mendoj se bardhezinjtë nuk varen vetëm nga Tevez. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne e kemi frikë Juventusin. Fakti që jemi pjesë e çerekfinaleve tregon se e kemi merituar të jemi në këtë fazë të Championsit. Asnjë skuadër nuk e kalon raundin pa luajtur prandaj ne do ta japim gjithçka për të vazhduar këtë ëndërr”.
