Familja e Erjon Alinjit, ish-ushtarit të forcave komando, akuzojnë Almir Dacin, i njohur si ishimam i xhamisë së Leshnicës, si personin që ka dërguar njëriun e tyre në Siri, ku mendohet se ka gjetur vdekjen gjatë luftimeve.
ABC News ka siguruar dosjen e plot që Prokuroria për Krime të Rënda ka dorëzuar në gjykatë, ku në mesin e provave materiale është administruar edhe dëshmia e të afërmve të Erjon Alinj. Para prokurorisë, ata kanë deklaruar se djali i tyre ishte frekuentues i xhamisë së Leshnicës dhe gjatë kësaj kohe është indoktrinuar dhe më pas dërguar në Siri nga imami i fshatit Almir Daci.
Që nga viti 2013, familja thotë se nuk ka pasur kontakte me djalin e tyre, duke e cilësuar të humbur. Ndërsa prokuroria, referuar përgjimeve të Almir Dacit dhe personave të tjerë të arrestuar në Shqipëri, pretendon se 26 vjeçari është vrarë gjatë luftimeve në Siri kundër forcave të regjimit të Bashar AlAsadit. SIpas dosjes voluminoze, thuhet se Almir Daci në fund të vitit 2013 është larguar nga Shqipëria së bashku me familjen drejt Sirisë.
33-vjeçari Daci, sipas prokurorisë, është një nga drejtuesit e luftëtarëve shqiptar në fraksionet e ISISit në Siri e Irak. Hetuesit thonë se me largimin nga Shqipëria, Almir Daci ka vazhduar kontakte dhe bisedat me dy imamët e vetshpallur tashmë të arrestuar, Genc Balla dhe Bujar Hysa. Gjatë bisedave telefonike, që prokuroria pretendon se i ka përgjuar dhe ndodhen në dosje, Daci kërkonte me ngulm nga dy imamët që t’i dërgonin sa më shumë besimtar mysliman shqiptar që t’i bashkohen luftës së shenjtë në Siri e Irak.
Në disa prej këtyre përgjimeve, prokuroria ka siguruar bisedat e shumta mes Almir Dacit dhe Bujar Hysës, ku i kërkonte këtij të fundit që të dërgonte djem të fuqishëm dhe të stërvitur me armët. Por, në mesin e shumë bisedave telefonike, ishimami i Leshnicës Almir Daci kërkon nga Balla dhe Hysa t’i dërgojnë edhe para për të blerë armë dhe ushqyer, duke pretenduar se gjendja është e keqe. Gjatë këtyre bisedave telefonike, prokuroria thotë se është provuar se Almir Daci është njëri nga shqiptarët më aktiv në luftime në Siri, si dhe personi i kontaktit me të dyshuarit në Shqipëri, ku edhe i njofton herë pas here për shqiptarët që ndodhen në Siri apo familjarët e tyre.
Sipas prokurorisë, është provuar që Almir Daci ka konsumuar tre vepra penale, atë të “Rekrutimit të personave për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, ‘Nxitjes e urrejtjes ose e grindjeve fetare’ dhe ‘Pjesmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj’, të gjitha këto në bashkëpunim.
