Aloe vera njihet për ndikimet pozitive në organizëm. Bima jeshile me xhelin “çudibërës” përdoret prej 2 mijë vjetësh për vetitë e saj terapeutike, të njohura nga të gjithë popujt e antikiteti. Në përgjithësi mund të themi se aloe vera ka efekt laksativ, heq shenjat që lënë plagët dhe kuron inflamacionin. Ajo njihet edhe për efektin e saj dobësues. Por le t’i shohim nga afër përfitimet që kjo bimë i sjell organizmit.
Është antiinflamator
Aloe vera redukton skuqjet, enjtjet dhe dhimbjet që shoqërojnë tensionin muskular, këputjet, tendinitet, mavijosjet, djegiet etj. Eliminon veprimin e temperaturës në plagë, duke vepruar si antipiretik. Është e efektshme edhe nëse përdoret në djegiet e lëkurës nga dielli.
Shëron plagët
Lloje të ndryshme të aloe verës shërojnë në mënyrë efektive plagët. Një studim i kryer në SHBA doli në përfundimin se koha e rigjenerimit pas një operacioni është më e shkurtër nëse lëkura trajtohet me aloe vera.
Forcon imunitetin
Aloe vera forcon mbrojtjen natyrale të organizmit, pasi ka aftësi baktericide, rigjeneron qelizat dhe është antiseptik. Ajo dezintoksikon dhe pastron organizmin, stimulon prodhimin e endorfinës dhe ka veprim qetësues dhe analgjezik.
Është burim energjie
Aloe vera hidraton indet, ekuilibron aparatin e tretjes në rast dizanterie apo kapsllëku. Është shumë ushqyese nëse konsumohet, pasi ka në përbërje proteina, karbohidrate, kripëra minerale, vitamina, aminoacide dhe enzima.
Pije me aloe vera?
Shumë njerëz janë të interesuar të dinë si mund të përgatiten pije me gjethet e aloe verës. Specialistët thonë se duhet bërë kujdes, pasi gjethet e bimës së kultivuar janë shumë të pasura me aloinë, efektet e të cilës nuk janë zbuluar ende plotësisht.
Mendohet se nëse pihet rregullisht në sasi të konsiderueshme, aloe vera mund të sjellë edhe dëme në organizëm, madje supozohet se mund të shkaktojë edhe abort. Pra, duhen marrë parasysh edhe efektet anësore, duke e përdorur bimën në mënyrë të moderuar.
Kuron dhëmbët
Një studim i kryer nga stomatologët indianë thekson se aloe vera ndikon pozitivisht në shëndetin e dhëmbëve dhe gojës. Studimi i publikuar në “General Dentistry” argumenton se xheli i aloe verës nuk ka asgjë më pak se pastat e zakonshme të dhëmbëve. Ai eliminon mikroflorën bakteriale nga dhëmbët dhe nuk ka asnjë efekt abraziv mbi mishrat apo zmaltin.
Megjithatë, studiuesit thonë se jo të gjitha këto veti mund të gjenden në produktet industriale që janë bërë me bazë aloe verën. Në fakt, është thelbësor procesi i nxjerrjes dhe transformimit të bimës. Në këto kushte, ajo që ju mbetet të bëni është që para se të përdorni një produkt të tillë, të siguroheni që është certifikuar nga organizmat e kontrollit si International Aloe Science Council, Inc. / Gazmira Sokoli

Uaaa ç’veti