Ekdpedita për ngjitjen e majës më të lartë të Kontinentit të Amerikës Veriore, Denali (e njohur edhe me emrin Mc Kinley) e përbërë nga tre shqiptarë, Iglin Shyti, Gerti Pishtari dhe Gjergj Bojaxhi, po ashtu dhe dy amerikanë, një anglez dhe një gjerman, ka arritur të ngrejë kampin në lartësinë 4.350 metra.
Ka dy ditë që alpinistët kanë fjetur në këtë lartësi dhe kanë sjellë nga kampi i mëposhtëm të gjithë bazën material dhe ushqimet e nevojshme që u duhen për në Kampin e Sipërm.
Levizjet për në Kampin e Sipërm do të fillojnë të shtunën dhe në rastin më të mirë mund të përfundojë ngritja dhe plotësimi i tij me gjithshka duhet aty të Dielën.
Kampi i Sipërm do të ngrihet në lartësinë mbi 5.000 metra dhe do të shërbejë si pikënisja për të synuar ngjitjen e majës Denali.
Deri në këtë moment gjendja e alpinistëve tanë mësohet të jetë e mirë. Temperaturat e ulta, erërat e fuqishme, ajri i rralluar dhe terreni i mbuluar kryesisht me akull janë pengesa të cilat janë kapërcyer.
Për të arritur deri këtu alpinistët kanë kryer disa udhëtime me ngjitje dhe zbritje për të mbartur (deri në 30 kg) dhe njëherësh duke tërhequr me slitë ngarkesa (deri në 50 kg).
Udhëtimi kalon në terren tërësisht të bardhë (e bardha e Alaskës njihet si e veçantë) me borë dhe akull. Kjo bën që alpinistët gjatë gjithë ditës, për çdo veprim ditor, të jenë të lidhur me litarë e kështu të gatshëm për të siguruar njëri-tjetrin në rast të ndonjë të papriture.
Me këtë kuptohet rrëshqitja ose rënia në plasat e akullit (këto quhen krevasa), të cilat janë të shpeshta në itenerarin e ngjitjes në Denali.
