Alterteksti u cilësua nga ideatorët si politika që do të mundësonte tekste shkollore cilësore përmes konkurrencës së lirë në tregun arsimor. Ndërkaq, të dhëna të shumta provojnë se pjesa më të madhe e teksteve alternative, nuk i plotësoi pritshmëritë e mësuesve dhe të nxënësve. Një vështrim mbi gjendjen dhe informacioni për politikën e re në këtë fushë, shtjellohen në vijim.
Zbatimi i Altertekstit hodhi bazat për ngritjen e shkollës tonë të teksteve shkollore. Nëpërmjet tij u krijua komuniteti i botuesve të teksteve, u vendos bashkëpunimi i tyre me institucionet arsimore dhe u provuan disa instrumente për menaxhimin e procesit. Gjithashtu, u përmirësuan cilësia e lidhjes, ngjyrat e ilustrimeve, faqosja e tekstit, fortësia e tij dhe cilësia e kopertinës. Njëherazi, të prekshme janë pasojat që rrodhën nga deformimi i konceptit, i pasqyruar në kuadrin ligjor dhe, prej këndej, në përgatitjen dhe në marketingun e teksteve alternative.
Alterteksti, siç u ofrua, i qëndroi bukur aspiratës për arsim cilësor. Megjithatë, tani, ka të dhëna që bindin se Alterteksti, i konceptuar dhe i zbatuar kështu, e shteroi funksionin e tij, pasi nuk arriti të sigurojë bashkëveprimin ndërmjet aspiratës dhe nevojave, mjeteve e mundësive tona.
a) Nevoja. Kërkimi dhe praktika shkollore bashkëkohore e konsiderojnë tekstin shkollor, mjet që ndihmon nxënësin dhe mësuesin në procesin e nxënies. Teksti e plotëson cilësisht funksionin e tij, vetëm kur i referohet, sa më mirë të jetë e mundur, nivelit, kërkesave dhe interesave të nxënësve për të cilët hartohet. Për këtë, shtëpitë botuese profesionale, përgatitin programin mësimor (që mundëson arritjen e standardeve kombëtare) dhe seri tekstesh alternative, që mësuesi të mund të zgjedhë tekstin që vlerëson se u përshtatet më mirë nxënësve të tij. Për ilustrim, sot, për nxënien e matematikës në klasat e nivelit fillor, p.sh., një tekst ndihmon të kalohet më lehtë nga niveli konkret, në atë figurativ dhe më pas në nivelin abstrakt të mendimit (seritë e teksteve të Singaporit, të njohura dhe nga Departamenti Anglez i Arsimit); një alternativë tjetër nxit ndërtimin e operacioneve mendore të përfshirjes, zbulimit, shqyrtimit dhe ndërlidhjes së gjërave (seritë e “Oxford International Primary Maths); sikundër, një e tretë ndihmon kuptimin e të nxënit dhe e përforcon atë përmes veprimtarive me shkrim, veprimeve praktike dhe diskutimeve në grup (seritë e “Nelson International Primary Maths”). Seri të tilla tekstesh alternative ilustrojnë kuptimin për tekstin alternativ. A janë të tilla tekstet që mbushin sot çantat e nxënësve tanë? A po i ndihmojnë tekstet mësuesit që të bëjnë atë për të cilën kanë nevojë nxënësit e klasës së tij?
b) Mjetet. Në kontekstin e përgjithshëm, cilësia e teksteve alternative arrihet përmes konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të barabartë dhe transparente. Një konkurrencë e tillë, edhe pse nuk është “shkopi magjik” që siguron tekste cilësore, është pa dyshim më e mira. Por, për arsimin, si e mirë publike dhe vetjake, konkurrenca e lirë nuk është qëllim, por mjet përmes të cilit plotësohet aspirata për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, pavarësisht kushteve dhe rrethanave vetjake. Prandaj, sigurimi i teksteve cilësore kushtëzohet nga ligjet, sendërtohet nga ente profesionale të licencuara dhe të akredituara dhe mundësohet nga funksionimi dhe nga mbikëqyrja e mirë e rregullave për prodhimin, tregtimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë dhe inspektimin e veprimtarive. Tashmë, evidenca të bollshme provojnë që në secilin aspekt Alterteksti u deformua. Kufizimet dhe mangësitë në kuadrin ligjor ndikuan jo pak sistemin e procedurave, transparencën dhe llogaridhënien dhe prodhuan mori tekstesh, të ofruar si alternative, por që, përgjithësisht, dallojnë mes tyre thjesht nga elemente formale si ngjyra, cilësia e letrës apo e dizenjimit. Në këtë mjedis edhe politika nuk mbeti dorëjashtë. Fakte të shumta dëshmuan konfliktet e interesit, cenuan praktikën e certifikimit të teksteve dhe të tregtimit të tyre dhe shndërruan jo pak administratorë të çdo niveli në tregtarë të teksteve. Koncepti i deformuar, për të mos thënë spekulativ, për tekstin shkollor alternativ dhe kuadri ligjor i mangët që rrodhi prej tij e shpërfytyruan rolin e konkurrencës, duke e kthyer atë në mjet për siguruar zona ku botuesit të shesin librat e tyre.
c) Mundësitë. Edhe pse ligji kërkon që mësuesve t’u vihen në dispozicion të gjitha alternativat, që të mundet të zgjedhin, ata, përgjithësisht, kanë njohur dhe përdorur vetëm një tekst. Por, edhe sikur të krijoheshin mundësi reale për të kundërtën, mësuesit tanë nuk janë trajnuar, as në fazën e përgatitjes universitare, as më pas, për të analizuar dhe për të vlerësuar tekstin shkollor. Nga ana tjetër, në Shqipëri nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë qendër për trajnimin e hartuesve të teksteve, as përpjekje për të vendosur lidhje me qendra të certifikuara për ekspertizë (Instituti Eckert – Gjermani apo Giulio Einaudi editore – Itali, për të thënë disa syresh) dhe as programe, qofshin dhe fakultative, për këtë qëllim. Në tërësi, kufizimet e konstatuara në shumë tekste dëshmojnë mungesën e kompetencës profesionale të pjesës më të madhe të botuesve dhe të autorëve për shtjellimin e aspekteve disiplinore, pedagogjike e didaktike; ndryshe, kufizimet e tyre: a) për mënyrat si i ndërton nxënësi njohuritë / kompetencat në një fushë të caktuar; b) për vështirësitë që ai ndesh; c) për mënyrat për t’i përballuar ato.
Në sintezë – sikundër thekson Znj. Nikolla, ministrja e Arsimit dhe Sportit – Alterteksti e shndërroi konkurrencën e lirë dhe të ndershme, nga një proces thellësisht bashkëpunues ku gjithkush përfiton, në praktika kufizimi dhe klientelizmi. Ai, thjesht, formuloi aspiratën, por nuk arriti të interpretojë korrelacionin mes aspiratës, nevojave, mjeteve dhe mundësive të shtetit, të shoqërisë dhe të komuniteteve arsimore; për pasojë, ai nuk ia doli të nxitë ose të frenojë faktorët që ndikuan në cilësinë e tekstit shkollor.
B. Kjo gjendje në fushë, doemos, nxit hartimin e një politike të re, tranzitore, karakteristika e së cilës është: tekste të reja unike për gjuhën, letërsinë, historinë dhe gjeografinë shqiptare dhe linjat e plota të programeve dhe të teksteve për fushat e matematikës dhe të shkencave natyrore dhe teknike, të marra nga vende europiane të cilat spikatin për tekstet cilësore.
Në tërësi, ndryshimet e propozuara, ruajnë gjithë sa koha provoi si vlera të Altertekstit dhe mënjanojnë mangësitë apo deformimet e konstatuara. Kështu, me përfshirjen në kuadrin ligjor të standardeve për tekstet shkollore, botuesve, vlerësuesve dhe përdoruesve të teksteve u sigurohet sistemi i munguar i referimit. Përdorimi i standardeve për certifikimin e teksteve të reja, që do të hartohen në kuadrin e reformës, siguron pasqyrimin në tekste të koncepteve kurrikulare bashkëkohore. Njëherazi, këto standarde janë unifikuar me ato të Kosovës.
Tekstet e reja do të rezultojnë si produkte të konkurrencës së botuesve, vendas ose të huaj, përmes konkurrimit me tekste të reja përpara një Komisioni ekspertësh dhe mësuesish të kualifikuar. Politika e re, gjithashtu, krijon mundësi që botuesit shqiptarë të legjitimojnë marrëdhëniet me botues të huaj, për lëndët e matematikës dhe të shkencave natyrore.
Komisioni do të miratojë për t’u pilotuar në sistem, për një vit, tekstin që renditet i pari në konkurrim. Theksojmë se analiza e tekstit dhe shqyrtimi i tij nga mësuesit gjatë procesit të pilotimit, krijon mundësi të mëdha që secili prej tyre të shprehet për cilësinë, arritjet dhe kufizimet eventuale. Pas përmirësimeve të mundshme të tekstit nga botuesi, të kërkuara tashmë ligjërisht, Komisioni do ta certifikojë atë për t’u përdorur për një periudhë kohore të caktuar.
E konceptuar kështu, politika e tekstit shkollor unik: a) respekton parimet e arsimit cilësor dhe të mundësive të barabarta, për të gjithë nxënësit; b) respekton parimet e barazisë, të transparencës dhe të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, pasi çdo shtëpi botuese, vendase ose e huaj, ka të drejtë të konkurrojë me produktet e saj; c) nxit realisht shtëpitë botuese për prodhimin e teksteve alternative vërtet cilësore; d) krijon kushte optimale që mësuesit të mund të shprehen për cilësinë e teksteve, pasi t’i përdorin ata gjatë një vitit shkollor.
Ne shkrim permendet konkurenca, tregu, ligjet e rregullatore te tregut. Pra duket qaete qe gara eshte kush shet me shume tekste. Po kush duhet ta vlersoje nese nje tekst eshte me vlere? E pa pranueshme idea qe mesuesi te zgjedhi se cili tekst eshte me me vlere. Mesuesi nen presionin e fukarallekut nga njera ane dhe e parave te ofruara nga botuesi nga ana tejater do te zgjedhi tu shese nxenesve tekstin qe i siguron me shume te ardhura per familjen e tije. Me ligjet e tregut ky mesues eshte krej ne rregull Vlere ka ai tekst qe te siguron me shume para Mrepo ky lloj rregulli funksionon per mallrat e konsumit por jo per dijet. Nxenesit nuk jane kliente apo konsumatore dijesh qe pasi ta kene konsumuar mallin te thone i pelqeu apo jo. Pasi te jete keqmesuar edhe keqformuar nje nxenes ai nuk mund te shkoje ne nje shkolle(lexo dyqan) tjeter per te blere dije te tjera se keto te parat nuk i pelqyen
Nese ne Shqiperi nuk ka asnje person te certifikuar per te shkruar tekste mesimore, atehere kush do i shkruaje edh ekto tekstet qe do pilotohen? Pse Pellumb, nuk e nise kete inisiative kur more detyren ne MAS, ne menyre qe shtepite botuese te kishin mundesi te merrnin masa, te merrnin masa te investonin ne buirme njerezore per te derguar specialiste ne keto qendrat qe permenden, etj?
Elona, vleresoj komentin tuaj, por me duhet të të them se nuk eshte detyra dhe as kompetenca ime te hartoj tekste. Jane botuesit ata qe investohen per kete. Ne pergatitem, qe ne gushtin e shkuar “Standardet per tekstet shkollore” qe i referohen kurriklules se re. Atje eshte qartesuar sa s’ka më edhe ideja e teksteve alternative.
Ndihma tjeter qe Ministria po ofron, eshte vendimi per te futur ne sistem tekstet nga shtepi botuese te huaja. Tani botuesit shqiptar po bashkepunojne me ta. Le te shpresojme se do te kuptojne se kujt i thone tekste te mira, e keshtu, te mund te futemi nje nje faze te re cilesore edhe ne kete fushe.
Por, Z.Karameta a eshte e drejte qe te kemi ende ne treg teskte me vetem nje autor? Une kam pare edhe tekste te huaj, por kane nga 3-4 autore dhe per me teper jane me grada shkencore ose me pervoja ne mesimdhenie e projekte arsimore 20-25 vjecare. A do te kemi edhe ne tekste te tilla unike!!!!!!!!!
duhet rithemeluar instituti i studimeve poedagogjike dhe drejtoria e librit shkollor, me specialiste e metodiste si dikur, sigurisht mbi nje platforme te re.
Eshte kollaj te prishesh e veshtire te ndertosh! Aq me teper ne kushtet e interesave financiare, qe kane dale ne plan te pare (edhe per ministrine e arsimit vete)
Po, Enver idea jote eshte fantastike. Duhet ringritur institutet dhe ta kene ato pergjegjesine per tekstet e jo grupet e punes apo komisionet qe asnjehere nuk i dime se nga kush perbehen?!
Altina, edhe pse nuk e kuptova argumentin tuaj – pra, jeni apo jo, dakort per mundesine e kufizuar te botuesve shqiptare per te prodhuar tekste alternative – vertet mendoni se ka ne Ministri, injorante apo te marre qe te mos kuptojne vleren dhe rendesine e teksteve vertet alternative? Une kam argumentuar mjaftueshem se kufizimet konceptuese per tekstet alternative dhe pasojat qe rrodhen prej tyre, e kthyen Altertekstin, nga politke qe siguron tekste te mira, ne politike qe ndan zonat e konkurrences per te siguruar fitime. A jeni ju dakord me kete?