Altin Lala vazhdon të tërheqë vëmendjen e medias gjermane, por kësaj radhe si i ftuari special i Xhelil Musës, kosovarit të mirënjohur për aktivitetin e tij në Hamburg të Gjermanisë. Rekordmeni i kombëtares shqiptare, me 79 ndeshje, ishte i pranishëm në 30-vjetorin e themelimi të kompanisë hoteliere të Musës, në të cilën merrnin pjesë mbi 300 të ftuar. Midis emrave VIP ishin edhe përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova, midis tyre zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, ambasadori i Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu, si dhe atasheu ushtarak i Shqipërisë në Gjermani, Arben Demollari. Ndër emrat e tjerë të rëndësishëm ishin edhe deputeti i porsazgjedhur në Bundestagun gjerman, Metin Hakverdi si dhe ish-ministri i mbrojtjes, Folker Ryhe. Xhelil Musa është i njohur në ambientin futbollistik shqiptar, jo vetëm se gëzon licencën e agjentit të FIFA-s, por dhe si mikpritës i Kombëtares dhe i ekipit U-21 në vitet ’90 dhe 2000. Ai është gjithashtu edhe shefi i zyrës të talenteve në Gjermani dhe ka sjellë disa të tillë për provë në ekipet kombëtare shqiptare të moshave. Xhelil Musa ka themeluar dy ekipe futbolli me kosovarë në Hamburg. Lala dhe Musa kanë një marrëdhënie të veçantë midis tyre, pasi ka qenë ky i fundit që e ka ndihmuar ish-mesfushorin në ditët e tij të para në Gjermani, pas “arratisjes” nga ekipi Kombëtar U-17, menjëherë pas ndeshjes me Gjermaninë e saj moshe në vitin 1993.
