Ambasada Amerikane këshillon gjithmonë shtetasit e vet për të shmangur trazirat dhe vendet që mund të paraqesin rrezik për jetën e tyre. Por një mesazh i kësaj ambasade për shtetasit e vet që mban datën 28 dhjetor i porosit amerikanët të bëjnë kujdes edhe gjatë festimeve, pasi përveç fishekzjarrëve, shqiptarët qëllojnë edhe me armë në raste festash. Ambasada Amerikane në njoftimin e saj u kujton shtetasve të vet, rezidentë në Shqipëri, se “nga plumbat qorrë të shtënë me armë zjarri për shkak të festimeve mund të pësohen plagë serioze, madje edhe vdekje”.
Ambasada informon se të shtënat me armë zjarri në raste festash janë fenomen i zakonshëm, ndaj qytetarët amerikanë duhet të tregohen të kujdesshëm sidomos në momentin e ndërrimit të viteve. Gjithashtu Ambasada këshillon që edhe spektakli i fishekzjarreve të ndiqet në distancë të sigurt. “Ambasada USA i informon qytetarët e vet se fishekzjarrët dhe të shtënat festive me armë zjarri janë fenomen i zakonshëm në Shqipëri dhe shtohen ndjeshëm gjatë festave. Qytetarët amerikanë duhet të tregojnë gjithë kujdesin e nevojshëm gjatë sezonit të festimeve dhe rekomandohen t’i ndjekin fishekzjarret nga një distancë sigurie, veçanërisht gjatë natës së ndërrimit të viteve. Ambasada USA këshillon gjithashtu të gjithë qytetarët amerikanë të shmangin turmat e mëdha, ku individë shtinë me armë për të festuar”, thuhet në mesazhin e 28 dhjetorit.