Ambasada amerikane zbardh takimin e kongresmenëve në Tiranë

Dita

Ambasada amerikane ka zbardhur takimet e kongresmenëve amerikanë. Në njoftimin për mediat, ambasada sqaron se Gus Bilirakis i Floridas, shoqëruar nga Përfaqësuesi Jack Kingston i Xhorxhias, si dhe Përfaqësuesi Gregory Meeks i Nju Jorkut, mirëpritën dhe vlerësuan marrëdhënien e ngrohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe shprehën falenderimet e tyre për përpjekjet e rëndësishme të Shqipërisë si një aleate e çmuar në NATO dhe vend mik i Shteteve të Bashkuara.

“Shqipëria ka dhënë kontribute të rëndësishme kundër ISIL, ka mbështetur fort të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe ka ndihmuar në mënyrë domethënëse për të përforcuar paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimeve të tyre, përfaqësuesit po ashtu shqyrtuan çështje të energjisë dhe mundësi për të zgjeruar lidhjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe diskutuan situatën e pakicave etnike të Shqipërisë. Delegacioni i Kongresit e përgëzoi Shqipërinë për vizitën shumë të rëndësishme të Papa Françeskut dhe shprehu respektin dhe admirimin personal për historinë e Shqipërisë me bashkëpunimin dhe tolerancën ndërfetare.

Anëtarët e Kongresit vizituan Shqipërinë si pjesë e një udhëtimi në rajon dhe u takuan me Zv. Kryeministrin Peleshi, Zv. Ministrin e Energjisë Bejtja, Zv. Kryetarin e Parlamentit Dule, si dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare të Shqipërisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *