Ambasada, raport Hrushovit: Anijet jugosllave provokacione në portet shqiptare

anazapta

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(19)

Arkivat sekrete ruse

Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Biseda e diplomatit rus V. A. Burjakov me Sekretarin e Parë të MPJ të RPSH, J. Andoni, datë 2 dhjetor 1958 mbi disa aspekte të marrëdhënieve shqiptaro-greke e shqiptaro–jugosllave dhe raportin sekret të ambasadës nisur në Moskë. Incidentet e 29 janarit dhe 5 shkurtit me anijet jugosllave “Ushje” dhe “Sllopa” që futen në portet ushtarake në Durrës e Vlorë pa lejen e autoriteteve shqiptare.

 

Arkivat: Shtypi i Beogradit ka filluar një sulm të ashpër kundër Enver Hoxhës, ndërsa diplomatët jugosllavë rekrutojnë dhe hedhin në aktivitet armiqësor bashkëpunëtorë të saj në Shqipëri. Anijet jugosllave, në mënyrë demonstrative futen në portet shqiptare pa leje. Në Shqipëri po zhvillohen gjyqe kundër të akuzuarve të cilësuar si persona të vënë në shërbim të jugosllavëve.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Më 2 dhjetor të vitit 1958, diplomati i BRSS në RPSH, V. A. Burjakov, pasi ka siguruar informacionin e plotë (atë zyrtar dhe nëpërmjet linjave të tij) nis urgjent në Moskë një raport sekret lidhur me situatën e rëndë në Shqipëri si pasojë e acarimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë e Greqinë, deri në incidente të hapura.

Nga arkivat sekrete ruse të kësaj periudhe (përfshirë dhe në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut) në vazhdim jepet biseda e regjistruar e diplomatit rus Burjakov, me Sekretarin e Parë të MPJ të RPSH,

J. Andoni, mbi disa aspekte të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe shqiptaro–jugosllave, dërguar Kremlinit më 2 dhjetor 1958, si dhe raporti sekret i ambasadës së BRSS në RPSH për vitin 1958 “Mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe shqiptaro-greke, dërguar më 28 shkurt të vitit 1959, në të njëjtin destinacion…

 

2 dhjetor 1958

Sekret

Ekzemplar nr. 2

Nga ditari i V. A. Burjakov

 

Kisha një bisedë me Sekretarin e Parë të MPJ së RPSH, Jovan Andoni. Gjatë bisedës Andoni u ndal në disa çështje të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe shqiptaro-jugosllave.

Për sa u përket marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, Andoni më tregoi se në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit të këtij viti, u mbajt në Tiranë mbledhja e komisionit shqiptaro-jugosllav, për çështjet e përmbushjes së marrëveshjes midis RPSH dhe FNRJ, lidhur me shfrytëzimin e ujërave në zonën kufitare. Ky komision u krijua me iniciativën e palës shqiptare, e cila donte të koordinonte çështjen mbi ndërtimin e një tuneli, për të marrë ujë nga liqeni i Ohrit, për hidrocentralin shqiptar, që miqtë kanë ndërmend të ndërtojnë. Pala jugosllave nuk dha miratim për ndërtimin e një tuneli të tillë, pasi theksoi, se kjo do të çonte në pakësimin e nivelit të ujit në lumin Drini i Zi, i cili pjesërisht rrjedh nëpër territorin jugosllav. Nga ana e vet, jugosllavët ngritën çështjen e ngritjes së hidrocentralit të tyre mbi lumin Drini i Zi, për të cilin nuk dha miratim pala shqiptare.

Në këtë rast, shqiptarët paralajmëruan se nëse pala jugosllave fillon ndërtimin e hidrocentralit të përmendur mbi lumin e Drinit të Zi, pa e koordinuar me RPSH, atëherë, ata nuk do të koordinojnë çështjen e ndërtimin të tunelit nga liqeni i Ohrit. Pala shqiptare theksoi, se jugosllavët shfrytëzojnë ujërat e lumenjve që derdhen në liqenin e Ohrit, pa miratimin e RPSH, gjë që mund të çojë në uljen e nivelit të ujit. Në fund të mbledhjes u vendos që për këtë çështje të bëhet mbledhja e komisionit në Beograd. Afati i thirrjes së saj, nuk është bashkërenduar, nga që jugosllavët ngulnin këmbë që ajo të bëhet pas tre –katër muajsh, ndërsa pala shqiptare mendon se për studimin e duhur të gjithë kompleksit të çështjeve, të cilat do të diskutohen në mbledhjen e radhës të komisionit, do të duhet një periudhë më e gjatë kohe.

E falënderova Jovan Andonin për bisedën.

Sekretari i Dytë i ambasadës së BRSS në RP të Shqipërisë:

V. Bujakov.

(Burimi: KPSS…, RGANI, F.5, Op. 50, D. 154, L. 1-5. Nr. 54. Origjinal).

 

*      *     *

(Nga raporti politik i ambasadës së BRSS në RPSH për vitin 1958 “Mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe shqiptaro-greke. Jo më vonë se 28 shkurti i vitit 1959)

Tepër sekret

Ekzemplar nr. 2  

 

Ambasada raporton, se në veprimtarinë e vet të përditshme gjatë vitit 1958, ajo është udhëhequr nga vendimet e Kongresit XX të PKBS, nga udhëzimet e Partisë, qeverisë dhe MPJ të BRSS. Ajo ka drejtuar përpjekjet e organizatave dhe kolektivave sovjetike, për t’u dhënë ndihmë më të mirë miqve shqiptarë, në ndërtimin e socializmit dhe në forcimin e mëtejshëm të miqësisë me BS dhe me vendet e Kampit Socialist.

Veprimtaria e ambasadës për politikën e jashtme është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me MPJ të Shqipërisë dhe me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Demokracive Popullore, si dhe ka propaganduar politikën paqësore të shtetit sovjetik tek populli shqiptar dhe korpusi diplomatik.

Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave

Në fillim të vitit, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë në aspektin shtetëror janë karakterizuar nga një farë përmirësimi, veçanërisht në fushën e tregtisë, rregullimin të një radhë çështjesh kufitare, organizimit të lidhjeve kulturore, teknike dhe sportive. Në janar, në Beograd u zhvillua seksioni i komisionit shqiptaro-jugosllav, për rregullimin e çështjeve që dalin nga marrëveshja e datës 5 dhjetor 1956, mbi shfrytëzimin e përbashkët të ujërave në zonën kufitare. Palët, shkëmbyen mendime lidhur me përdorimin e lumenjve dhe liqeneve kufitare. Ranë dakord për rregullat e peshkimit si dhe shqyrtuan problemin mbi shkëmbimin e të dhënave meteorologjike.

Përveç këtyre, u bë edhe shkëmbimi i konventës së letrave ratifikuese, mbi karantinën, luftën me dëmtuesit dhe sëmundjet e bimëve bujqësore. Në prill, midis organizatave tregtare shqiptare e jugosllave u nënshkruan kontrata për furnizimet reciproke me mallra për vitin 1958. Të dyja vendet ndërmorën hapa për organizimin e lidhjeve kulturore e sportive. Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në nëntor 1957, ndërmjet organizatës turistike shqiptare “ALBTURIST” dhe organizatës turistike jugosllave “SPUTNIK”, në vitin 1958 u parashikua të vinin në Shqipëri, dy grupe turistësh jugosllavë me 40 vetë. Në përgjigje të vizitë së ansamblit artistik shqiptar dhe në përputhje me marrëveshjen u caktuan ndeshjet e ekipeve të futbollit, në Korçë e Shkup.

PPSH nga ana e vet kishte si synim, që të gjente rrugët e afrimit me LKJ, (ndërprerjen e propagandës kundër udhëheqjes jugosllave në shtypin shqiptar; pjesëmarrjen e një delegacioni të rinisë shqiptare në kongresin e rinisë jugosllave, në janar 1958), por në këtë drejtim nuk u arritën suksese të dukshme.

Në marrëdhëniet midis udhëheqjes shtetërore e partiake të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, nuk u vendos besimi i duhur e reciprok.

Në esencë, udhëheqësit e LKJ nuk e ndryshuan qëndrimin e vet negativ dhe në një sërë rastesh përbuzjen ndaj udhëheqësve të PPSH. Ata vazhduan të përsëritnin veprimet e ndërhyrjes në punët e brendshme të RP të Shqipërisë. Kjo vërtetohet me: zhvillimin e veprimtarisë informative të punonjësve të misionit jugosllav, rasti me dërgimin e projekt-programit të LKJ, kur ai iu drejtua të gjithë krerëve të misioneve diplomatike në Beograd, me përjashtim të të dërguarit të RP të Shqipërisë; i dërguari shqiptar nuk u ftua të merrte pjesë në Kongresin e VII të LKJ; deklarata e Titos në Kongresin e VII të LKJ, se marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë ende vazhdojnë të mbeten jo normale, për faj të palës shqiptare; thëniet e punonjësve të misionit jugosllav, se është e pamundur të arrihet përmirësimi i marrëdhënieve jugosllave – shqiptare, derisa në Shqipëri, të jenë në pushtet udhëheqësit e tanishëm etj. Udhëheqësit shqiptarë nga ana e vet, vazhduan të sillen me mosbesim të madh, ndaj udhëheqësve të Jugosllavisë dhe nuk i konsideronin ata komunistë internacionalistë, me të cilët mund të vendosen marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

Prandaj, është plotësisht e kuptueshme, se miratimi i programit revizionist nga ana e Kongresit VII të LKJ, si dhe mungesa e dëshirës së udhëheqësve jugosllavë, për të marrë në konsideratë kritikën e partive komuniste e punëtore motra, në adresë të tyre, shkaktoi menjëherë një ashpërsim të theksuar, ndërmjet Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Udhëheqësit e PPSH, duke iu përmbajtur vijës së përgjithshme të partive komuniste e punëtore motra, bënë kritikë ndaj tezave revizioniste të programit të LKJ dhe filluan të demaskonin udhëheqësit jugosllavë, si revizionistë, tradhtarë të socializmit, armiq të marksizëm-leninizmit, bashkëpunëtorë të imperialistëve amerikanë dhe përçarës të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare.

Acarimi i marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë në aspektin partiak, çoi në keqësimin edhe të marrëdhënieve shtetërore dhe në ndërprerjen e lidhjeve kulturore e sportive. Një ndër shkaqet ishte edhe vrasja nga organet jugosllave, e qytetarit shqiptar Hasan Shpata, i cili po kthehej në atdhe nga RFGJ, përmes Jugosllavisë. Për këtë rast, qeveria shqiptare i dërgoi disa nota qeverisë jugosllave, ku i kërkonte vënien para përgjegjësisë të fajtorëve për krimin e bërë, si dhe dëmshpërblim, për dëmin që i ishte shkaktuar familjes së të vrarit.

Qeveria jugosllave jo vetëm që nuk i plotësoi këto kërkesa të qeverisë shqiptare, por edhe refuzoi të pranonte notat e saj. Në të njëjtën kohë, ajo mori masa për të justifikuar veprimet brutale të organeve të veta. Më 9 dhe 16 gusht, në shtypin e Beogradit u botuan dy njoftime speciale të agjencisë TANIUG, mbi akuzat që bëheshin përmes notave të qeverisë shqiptare, në adresë të organeve jugosllave, notat e së cilës u klasifikuan si të “paargumentuara, keqdashëse, të gënjeshtra, dhe shpifëse”. Një pozicion i tillë i qeverisë jugosllave, për çështjen e Hasan Shpatës, ndihmoi në acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në aspektin shtetëror. Në gusht, qeveria shqiptare tërhoqi përkohësisht të dërguarin e saj në Beograd, i cili tani ndodhet në Tiranë. Në shtator u largua nga Shqipëria i dërguari jugosllav. Të dyja palët morën masa për forcimin e kufirit dhe vendosjen e një vëzhgimi të rreptë ndaj veprimtarisë dhe lëvizjes së punonjësve të misioneve diplomatike. Në të njëjtën kohë, në Shqipëri u forcua propaganda kundër jugosllave dhe përkatësisht në Jugosllavi ajo kundër shqiptare.

Në shtator-nëntor, në shtypin shqiptar u botuan një radhë artikujsh dhe materialesh të tjera, në të cilat kritikohej dhe dënohej ashpër politika e ndjekur nga qeveria Jugosllave ndaj Shqipërisë dhe ndaj pakicës kombëtare shqiptare, që jetonte në Jugosllavi. Në këta artikuj e materiale thuhej në veçanti, se qeveria jugosllave duke filluar nga viti 1943, ka zhvilluar kundër Shqipërisë një politikë armiqësore, qëllimi i së cilës përmblidhet: në përmbysjen e udhëheqjes së tanishme shqiptare, me në krye Enver Hoxhën; në shkëputjen e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik; në privimin e pavarësisë dhe shndërrimin e saj në koloni jugosllave. Udhëheqja jugosllave ndjek vijën e asgjësimit dhe të likuidimit të pakicës shqiptare, që jeton në Jugosllavi, ndërsa diplomatët jugosllavë në Shqipëri, ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit, rekrutojnë spiunë e diversantë nga kontingjenti i tradhtarëve të popullit shqiptar etj. Në artikujt që i janë adresuar udhëheqjes jugosllave, janë përdorur shprehje të ashpra, të tilla si, “banda fashiste e Titos, kolonizatorë, diversantë, xhelatë, sadistë, etj.”

Në shtypin jugosllav bëhej dhe bëhet propagandë e ashpër antishqiptare, që ka për qëllim të diskreditojë regjimin shtetëror dhe shoqëror të Shqipërisë dhe drejtuesit shtetërorë e partiakë. Më 29 shtator, në artikullin e botuar në gazetën “Borba” është deklaruar se: “regjimi i Enver Hoxhës është i tillë, për nga natyra e vet, gjithçka që është me të vërtetë socialiste, humane dhe demokratike e quan poshtërsi”. Në tetor – nëntor 1958, GSID i Jugosllavisë, i drejtoi MPJ së Shqipërisë dy nota, në të cilat theksohej, se qeveria shqiptare zhvillon një politikë armiqësore lidhur me Jugosllavinë. Në mbështetje të kësaj, notat i referoheshin artikullit të gazetës “Bashkimi” të datës 9 shtator, fjalimit të M. Shehut të datës 20 tetor në Tropojë, fjalimit të Spiro Kolekës më 6 nëntor dhe të Enver Hoxhës më 7 nëntor. Notat, gjithashtu i tërhiqnin vëmendjen qeverisë shqiptare se bërja e një politike të tillë, në marrëdhënie me Jugosllavinë i vështirësonte kontaktet normale midis dy vendeve. MPJ e RPSH refuzoi t’i pranonte këto nota, sepse në to i bëhej një trajtim jo i drejtë politikës së shtetit shqiptar.

Kohët e fundit, marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë u acaruan edhe më shumë. Më 29 janar të këtij viti, anija jugosllave “Ushje” u fut në portin e Durrësit dhe doli nga ai pa lejen e organeve kompetente shqiptare. Më 5 shkurt, anija jugosllave “Sllopa” hyri në ujërat territoriale të Shqipërisë dhe hodhi spirancën në afërsi të bazës ushtarako-detare, në gjirin e Vlorës, pa njoftuar autoritetet shqiptare, me pretekstin e keqësimit të presupozuar të motit. Në lidhje me këto, MPJ e Shqipërisë më 31 janar dhe më 13 shkurt i drejtoi misionit jugosllav në Tiranë, dy nota. Në notat e përmendura, deklarohej protesta e vendosur kundër shkeljes së ujërave territoriale shqiptare nga anije jugosllave, duke theksuar se përgjegjësia për të gjitha pasojat e rasteve të tilla, të përsëritura nga ana e anijeve jugosllave në ujërat e portet e RP të Shqipërisë, bie mbi qeverinë jugosllave.

Në fund të vitit 1958 dhe në janarshkurt të këtij viti, gjykatat jugosllave dënuan me afate të ndryshme burgimi, disa persona me kombësi shqiptare, sikur gjoja ata ishin dërguar në Jugosllavi, nga organet e zbulimit shqiptar, për të zhvilluar punë spiunazhi e diversioni. Më 17 shkurt, GSID e Jugosllavisë i transmetoi të dërguarit të Përkohshëm me Punë të Shqipërisë në Beograd, Rako Naçit një notë të shkruar mbi bazën e materialeve të proceseve gjyqësore, që u përmendën më sipër. Rako Naçi, pasi u njoh me përmbajtjen e notës refuzoi ta pranonte atë. Të nesërmen, kjo notë u botua në shtypin jugosllav dhe u transmetua me radio. Në këtë notë të GSID të Jugosllavisë pohohet, së qeveria shqiptare bën një politikë armiqësore ndaj Jugosllavisë, ndërhyn në punët e brendshme të saj, dërgon në vend spiunë dhe diversantë, duke theksuar se një politikë e tillë, bie në kundërshtim jo vetëm me marrëdhëniet normale ndërmjet dy vendeve fqinje, por dhe acaron marrëdhëniet e tyre dhe përbën rrezik për çështjen e paqes në këtë pjesë të botës.

Po në atë ditë, më 17 shkurt, MPJ e Shqipërisë i transmetoi misionit jugosllav në Tiranë një notë proteste, për procesin gjyqësor të organizuar nga qeveria jugosllave më 9-10 shkurt të këtij viti, në qytetin e Prizrenit, kundër Hifiz Mustafa Hoxhës, i cili gjoja ishte dërguar në Jugosllavi nga organet e zbulimit shqiptar, për të zhvilluar aty veprimtari spiunazhi e diversioni. Në këto nota të MPJ së Shqipërisë deklarohet, së procesi gjyqësor në Prizren ishte provokacion, dhe se akuzat e ngritura në këto raste, kundër misionit të RPSH në Beograd dhe organeve shqiptare, se ato ndërhyjnë në punët e brendshme të Jugosllavisë, kundër RP të Shqipërisë, nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin dhe bëhen me qëllime të caktuara, për të shtrembëruar politikën paqësore të RP të Shqipërisë dhe për të ushqyer fushatën armiqësore, që ndiqet në Jugosllavi kundër RP të Shqipërisë dhe vendeve të tjera socialiste. Gjithashtu, në këto nota vihet theksi se faktet e shumta dhe të njohura mirë, dëshmojnë, se pikërisht, qeveria jugosllave dhe personeli i misionit të saj në Tiranë, zhvillojnë sistematikisht veprimtari armiqësore në forma të ndryshme kundër Shqipërisë.

Sekretari i Parë i KQ të PPSH, shoku Enver Hoxha, në bisedën e zhvilluar më 18 shkurt të këtij viti me ambasadorin sovjetik, mbi proceset gjyqësore antishqiptare në Jugosllavi, tha se të gjitha këto procese, janë thjesht provokacione, sepse organet shqiptare, (kanë vepruar) në përputhje me vendimet e Byrosë Politike të PPSH dhe nuk zhvillojnë kurrfarë veprimtarie zbulimi në Jugosllavi. Shoku Enver Hoxha supozon se acarimi i tanishëm i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, mund të çojë në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis tyre.

V. Ivanov – ambasadori i BRSS në RP të Shqipërisë.

(Burimi: KPSS…., RGANI, F. 5 Op. 49, D. 111, L. 1, 102-107, 109 -110, 124, 126. Nr. 56. Origjinal).

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Letrën sekrete të 21 prillit 1959 të ambasadorit rus në Shqipëri V.Ivanov drejtuar Moskës “Mbi disa masa të KQ të PPSH dhe të qeverisë së RPSH në fushën e politikës së brendshme e të jashtme…”.

-Bisedën e diplomatit rus A. M. Zubov, me diplomatin jugosllav, M. Vujoviç, mbi reagimin e Jugosllavisë ndaj vizitës së Hrushovit në Shqipëri dhe ndaj krijimit të instalimeve atomike amerikane në Greqi.

-Bisedë e 18 qershorit 1959 të ambasadorit rus V. I. Ivanov, me ministrin e Punëve të Jashtme Behar Shtylla, mbi krijimin e një zone jo bërthamore në Ballkan, mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Greqinë)

 

 

SHPJEGIME SHTESË NË ARKIVA

-Kur G.K. Zhukov nga data 8 deri më 26 tetor 1957 ndodhej për vizitë në Jugosllavi e Shqipëri, u mbajt Plenumi i KQ të PKBS (27-28 tetor), që shqyrtoi “çështjen e Zhukovit”, të fabrikuar gjatë kohës së mungesës së tij në Moskë. G.K. Zhukovin e liruan nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe e përjashtuan nga radhët e Presidiumit t

-V.I. Ivanov (1905) – 1953 – 1955 zv. kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Socialiste Federative Sovjetike të Rusisë. Në vitet 1955 – 1957- ambasador i BRSS në Republikën Popullore Demokratike të Koresë (KNDP). Në vitet 1957-1959 ambasador i BRSS në Shqipëri. Që nga viti 1960 me punë diplomatike.

-Baza sovjetike luftarake-detare e Vlorës u krijua, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të BRSS më 26 korrik 1957 (shiko N.V.Vasiljev, V. A. Gavrillov qorrsokaku ballkanik. Fati historik i Jugosllavisë në shek. XX). M., “Geja interum”, 2000, c.27

 

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • mendoj pak,sikur ne krye te shtetit shqiptar mos te kishim pas ENVER HOXHEN dhe MEHMET SHEHUN,por te ishin drejtues sale berisha,jemin gjana apo bleona qerreti?!sot nuk do te ekzistonim me mbi faqen e tokes.
    duhet te studiohet sa me shpejt rreziku qe paraqet gega dhe kultura perkatese per kombin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *