Italia i premton Policisë së Shtetit mbështetjen e mëtejshme logjistike për të zbuluar sipërfaqet e mbjella me lëndë narkotike. Në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, drejtori Haki Çako priti në një takim ambasadorin e Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani.
Objekt i këtij takimi të cilësuar si i rëndësishëm, ka qenë trajtimi i disa argumenteve të përgjithshme në kuadër të një bashkëpunimi të gjithanshëm mes dy vendeve. Janë diskutuar në veçanti tre prej këtyre pikave. Ku më kryesorja mbetet bashkëpunimi i mëtejshëm dhe mbështetja që Italia dhe ambasadori Gaiani i japin Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
“Pika e dytë, e trajtuar lidhet me ripërsëritjen e misionit të avionëve të mbikëqyrjes ajrore të territorit nga Guardia di Finanza, në bashkëpunim me Universitetin e Napolit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme të Italisë, për identifikimin e parcelave me kanabis në territorin e vendit tonë”, thuhet në njoftimin zyrtar për këtë takim.
Misioni ka nisur prej vitit 2012 dhe më i rëndësishmi ka qenë vitin e kaluar në Lazarat dhe janë cilësuar të suksesshëm. “Ambasadori Gaiani ka theksuar se edhe për këtë vit Italia ka siguruar fondet për kryerjen e këtij misioni të konsideruar të rëndësishëm nga të dy palët”, vijon njoftimi. Diplomati ka vlerësuar “rolin e drejtorit Çako, atë kohë në krye të Policisë Gjirokastër, ku u demonstrua efikasitet dhe rezultat për heqjen e Lazaratit dhe Shqipërisë nga harta e drogës”. Mësohet se pala italiane do të kryejë së shpejti një mision vlerësues për fillimin efektiv të misionit.
Së treti ambasadori ka kërkuar “mbështetjen e palës shqiptare në Panairin Ndërkombëtar “Expo Milano 2015” në Itali, i cili ka për objekt shkëmbimin e informacioneve për akte terroriste apo për akte të tjera të sferës kriminale që mund të përgatiten nga elementë kriminalë terroristë apo organizata terroriste”. Kryepolici Çako e ka pranuar bashkëpunimin, duke konfirmuar angazhimin e Policisë së Shtetit.
