Ambasadori i OSBE në Krimet e Rënda, nënshkruhet memorandumi

J L

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ka shkuar sot në mëngjes, në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Borchardt mbajti një takim  me Prokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Ambasadori i OSBE nënshkroi me drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një memorandum mirëkuptimi për: “Bashkërendimin, Koordinimin, bashkëpunimin dhe Komunikimin midis Policisë Gjyqësore dhe Prokurorisë në Procedimet Penale”.

Prokuroria njofton se qëllimi i këtij Memorandumi është përcaktimi i bashkërendimit të angazhimit të palëve në lidhje me termat dhe kushtet për të cilat bien dakord OSBE dhe  Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Sipas kësaj marrëveshjeje OSBE do t’i kryejë veprimtaritë e përshkruara në Nenet e memorandumit, në përputhje me rregulloret, rregullat dhe politikat në fuqi të OSBE-së, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë.

“Në varësi të dispozitave të këtij Memorandumi, OSBE synon të kryejë një punë  studimore, e cila konsiston në një analizë dhe shqyrtim të plotë të kuadrit ligjor aktualisht në fuqi, që rregullon dhe ndikon në bashkëpunimin e policisë gjyqësore dhe prokurorisë,” njofton Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Nga ana e saj, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të mbështetëse dhe do ndihmojë për mundësimin e një procesi të qetë për sa i përket grumbullimit të të dhënave që do të zhvillohet në terren, në formën e pyetësorëve dhe intervistave.

Gjithashtu do të mundësojë akses në informacionin e saktë në lidhje me organizimin e personelit brenda institucionit, si numri total i prokurorëve, policisë gjyqësore, gjinia, mosha e tyre, etj. si edhe do të lehtësojë procesin e shpërndarjes dhe grumbullimit të pyetësorëve brenda institucionit, duke siguruar që ky proces të kuptohet brenda radhëve të prokurorëve dhe policisë gjyqësore.

Do të sigurojë akses në mjediset e saj për personelin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, të caktuar për të kryer analizën, si dhe të mundësojë një hapësirë të përshtatshme për ata që të ndërmarrin aktivitetet e tyre.

j.l./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *