Në fillim të vitit 2019, Rumania mori për herë të parë presidencën gjashtë mujore të Bashkimit Europian.
Në një intervistë në televizionin News24, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Mircea Perpelea, foli mbi prioritetet e kësaj presidence.
“Rumania, krahas prioriteteve madhore si emigracioni, Brexit, Buxheti Afatgjatë Evropian, prioritet do të ketë dhe situatën në Ballkan dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit. Ky është një subjekt kompleks. Rumania ka pohuar gjithmonë që, të paktën për Shqipërinë ofron gjithë mbështetjen por sigurisht dhe për vendet e tjera, por mund të them që me Shqipërinë, Rumania ka një numër të madh lidhjesh të vjetra dhe të qëndrueshme, kështu që mund te them se Shqipëria gëzon të gjithë mbështetjen e Rumanisë për këtë proces historik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori rumun.
Për sa i përket këshillave të Bukureshtit për një proces, ambasadori Mircea Perpelea tha:
“Ato janë pjesë e kapitujve të cilat Shqipëria dhe vendet e tjera të cilat duan të bëhen pjese e Bashkimit Evropian duhet t’i përmbushin. Në qoftë se më pyesni mua personalisht, unë nuk mund të thosha gjë tjetër përveçse, pas dy vjetësh përvoje në Shqipëri, vendi juaj duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm, sepse që kur kam ardhur këtu, kam parë shumë gjëra pozitive dhe ndryshime për mire. Ky ritëm duhet mbajtur dhe sigurisht duhet të kihet parasysh dhe përvoja e vendeve të tjera, ndoshta dhe e Rumanisë, sepse dhe ne kemi pasur një periudhë të ngjashme para anëtarësimi, kur na u desh të plotësonim kushtet e nevojshme“.
v.l/ Dita
