Ambasadori rus, Hrushovit: Qortoje Enver Hoxhën për marrëdhëniet me Titon!

anazapta

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(22)

Arkivat sekrete ruse

 

Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Biseda e 10 shtatorit 1959 e Ambasadorit rus V. I. Ivanov me Halim Budon mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe “Lëvizjen për bashkëpunimin ballkanik”. Bisedë e diplomatit sovjetik K. I. Novikov, me P. Bitën, mbi problemin e Epirit të Veriut dhe letrën e 20 tetorit 1959 të ambasadës së BRSS në RPSH, mbi marrëdhëniet reciproke të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë.

 

Ambasadori Ivanov: Të bëhet një bisedë personale me shokun Enver Hoxha, gjatë kohës së qëndrimit të delegacionit sovjetik në festimet e përvjetorit të XV të çlirimit të Shqipërisë, sepse biseda e zhvilluar më parë, gjatë kohës së mungesës në vend të shokut Enver Hoxha dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike të KQ të PPSH, nuk u mbajt parasysh në masën e duhur!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Nga dita në ditë, si pasojë e tensioneve në marrëdhëniet me fqinjët, në muajët e fundit të vitit 1959, situata në Shqipëri, më e vështirë. Porositë e Hrushovit për këtë problem, nuk po zbatohen me përgjegjësi nga Enver Hoxha. Për këtë, ambasadori sovjetik në Moskë Ivanovi, i shkruan që t’i heqë dhe një herë ‘veshin’ Enver Hoxhës. Sipas dokumenteve arkivore ruse (përfshirë në studimin e autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku), përkatësisht biseda e 10 shtatorit 1959 e ambasadorit rus V. I. Ivanov me Halim Budon mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe “Lëvizjen për bashkëpunimin ballkanik”, biseda e diplomatit sovjet K. I. Novikov, me P. Bitën, mbi problemin e Epirit të Veriut dhe letrën e 20 tetorit 1959 të ambasadës së BRSS në RPSH, mbi marrëdhëniet reciproke të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë, jepen detaje të plota për situatën….

 

 

 

(Bisedë e regjistruar e Ambasadorit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike në Republikën Popullore të Shqipërisë, V. I. Ivanov me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme H. Budo mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe “Lëvizja për bashkëpunimin ballkanik”

10 shtator 1959

Sekret

Ekzemplar nr. 2

 

Më 10 shtator i bëra vizitë zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, shokut Halim Budo dhe e njoftova se në Athinë, nën kryesinë e deputetit të parlamentit, Mërkuris, është krijuar organizata “Lëvizja për bashkëpunim ballkanik”, e cila ka si qëllim të realizojë bashkëpunimin mbi bazën e propozimeve të Kivu Stojka. I tregova atij mbi qëndrimin e qarqeve shtetërore të Greqisë ndaj kësaj organizate dhe dëshirën e miqve grekë mbi përshtatshmërinë e krijimit të organizatave analoge në Shqipëri, Bullgari e Rumani.

Shoku Halim Budo tha se për këtë çështje, ata kanë pasur një farë informacioni nga Bullgaria dhe mbajnë qëndrim pozitiv ndaj kësaj mase. Për sa i përket krijimit të një organizate analoge në Shqipëri, ata do ta konsultojnë çështjen me bullgarët e rumunët.

Në vijim të bisedës shoku Halim tha se kishte zhvilluar një bisedë me ambasadorin italian, ku ky i fundit u jep rëndësi të madhe, takimeve të shokut N. S. Hrushov me Ajzenauerin për zgjidhjen e problemeve të mprehta ndërkombëtare. Në bisedën me ambasadorin turk, ky i fundit u përpoq të theksojë me gjithfarë mënyrash, rëndësinë progresive të lidhjeve të Shqipërisë me Turqinë, duke theksuar se midis personaliteteve të shquara të Turqisë, ka edhe përfaqësues me nacionalitet shqiptar.

Për sa i përket marrëdhënieve reciproke me Greqinë, ai tha, se kohët e fundit nuk kanë ndodhur ndryshime esenciale. Lidhur me notën e protestës për rastin e vrasjes në kufi të një ushtari shqiptar, organet greke nuk kanë dhënë përgjigje për një kohë të gjatë. Në kohën e tanishme dërguan përgjigje, që mohojnë praninë e një fakti të tillë, dhe theksojnë se konflikte të ngjashme ndodhin vetëm sepse nuk është precizuar kufiri shqiptaro-grek, sepse mungojnë shenjat kufitare dhe sepse nuk është krijuar një komision i përbashkët, i cili do të mund të shqyrtonte konfliktet që lindnin. Halim Budo tha, se grekët para kësaj kanë theksuar se, Greqia ndodhet në gjendje lufte me Shqipërinë dhe prandaj këto probleme duhet të shqyrtohen në linjë ushtarake. Pala shqiptare do të dëshironte që këto çështje, të shqyrtoheshin në linjë qeveritare. Lidhur me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë kishte përgatitur dy projekt-konventa, njëra mbi vendosjen e shenjave kufitare dhe tjetra mbi krijimin e një komisioni të përbashkët. Ata presin miratimin e qeverisë së tyre për t’ia dorëzuar këto projekte grekëve përmes përfaqësuesit në OKB. Budo, nënvizoi se ata janë në kërkim të rrugëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me grekët dhe do të konsultohen me rumunët e bullgarët, të cilët kanë përvojë në këtë drejtim.

Më poshtë ai tha, se amerikanët dhe anglezët po bëjnë një sondazh për rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Kështu, ambasadat amerikane në Paris dhe në Beograd organizuan pritje, në të cilat u ftuan edhe ambasadat shqiptare, por më pas u kërkua falje nëpërmjet telefonatave se kishte ndodhur një gabim, sepse Amerika nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Përjashtimi i Shqipërisë nga Komisioni i Çarmatimit, flet për presionin e amerikanëve ndaj Shqipërisë në këtë drejtim. Gjendje analoge edhe me Anglinë. Megjithëse pala shqiptare, tha Budo nuk është kundër vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me këto vende, praktikisht, tani për tani, ajo nuk ka mundësi ta realizojë atë, sepse nuk di si mund ta bëjë një gjë të tillë.

V. Ivanov, ambasador i BRSS në R P të Shqipërisë.

Shënim: “Në arkiv. Material informativ. Shefi i Sektorit V. Lesakov, më 6 tetor 1959”.

(Burimi: KPSS, RGANI, F. 5, Op. 49, D. 211, L. 181-182. Nr. 69. Origjinal.

Nr. 57)

 

*       *       *

(Bisedë e regjistruar e këshilltarit të ambasadës të Bashkimit

të Republikave Socialiste Sovjetike në Republikën Popullore të Shqipërisë, K. I. Novikov, me shefin e sektorit të marrëdhënieve të jashtme P. Bita, mbi problemin e Epirit të Veriut, mbi qëndrimin ndaj Komitetit “Lëvizja për bashkëpunimin ballkanik”)

Më 1 tetor 1959

Sekret

Ekzemplar nr. 2

 

Gjatë bisedës shoku Bita u përqendrua në faktin që, në Greqi ishte zhvilluar një propagandë e gjerë armiqësore, që kishte si qëllim aneksimin e Epirit të Veriut Greqisë. Ai tha, se në muajin shtator, në qytetin Klivlend (SHBA) u zhvillua kongresi i përfaqësuesve të Epirit të Veriut. Në këtë kongres u deklarua se, problemi qipriot është më pak i rëndësishëm se sa problemi i Epirit të Veriut dhe ai u zgjidh në favor të Greqisë. Në vendimet e këtij kongresi u shpreh besimi se, problemi i Epirit të Veriut do të zgjidhet pozitivisht për grekët, megjithëse kjo do të kërkonte viktima dhe të derdhet gjak.

Pak kohë më parë erdhi nga SHBA në Greqi- tha më poshtë shoku Bita, sekretari i organizatës së Epirit të Veriut njëfarë Markrij, prift amerikan, i cili zhvilloi shumë biseda me priftërinj grekë dhe me pjesën më reaksionare të popullatës greke, që jeton në rajone kufitare me Shqipërinë. Në fjalimet e veta ai zhvilloi një agjitacion të theksuar antishqiptar.

Shoku Bita tha, se tashmë ata kanë në dorë gazetat, në të cilat shtjellohen vendimet e kongresit të Klivlendit, si dhe gazeta greke, në të cilat, ka shumë artikuj për këtë çështje. Në kohën më të afërme, pasi t’i përpunojmë ato, do t’i paraqesim për shqyrtim në Sekretariatin e Komitetit Qendror.

Nga ana e tij, shoku Bita foli për faktin se në Greqi është krijuar komiteti “Lëvizja për bashkëpunim ballkanik”, e cila kryesohet nga deputeti i parlamentit, Merkulis. Kjo lëvizje mbështetet nga një sërë deputetësh të parlamentit dhe nga rreth 40 përfaqësues të qarqeve të ndryshme shoqërore, të inteligjencës, si dhe të personaliteteve politike të Greqisë. Siç dihet, ky komitet i është drejtuar Shqipërisë, Rumanisë e Bullgarisë me dëshirën për të krijuar komitete të tilla, për të ndihmuar lëvizjen për bashkëpunim ballkanik. Udhëheqja e këtij komiteti interesohet se çfarë bëjnë vendet e Demokracive Popullore për t’i mbështetur ato, për çështjen e një lëvizjeje më të gjerë të vendeve ballkanike për bashkëpunim paqësor. Për këtë çështje, shoku Bita tha, se zëvendësministri, Mitrojorgji e ka parashtruar atë para Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Pala shqiptare nga ana e vet u këshillua me miqtë bullgarë e rumunë dhe u interesua se çfarë kanë ndërmend të bëjnë këta. Por, nuk kanë marrë prej tyre përgjigje të qartë, dhe deri tani çështja mbi krijimin e Komitetit të “Lëvizjes për bashkëpunimin ballkanik” ka mbetur e hapur.

Nga ana e tij, shoku Bita sqaroi rëndësinë e mbështetjes së “Lëvizjes për bashkëpunim ballkanik” të Greqisë, sepse një gjë e tillë, do të ndihmonte realizimin e asaj pjese të deklaratës së përbashkët sovjeto-shqiptare të 30 majit të këtij viti, ku flitet mbi krijimin e zonës së paqes në Ballkan.[1]

Shoku Bita tha, se në ditët e afërme, ata do ta studiojnë këtë çështje edhe njëherë dhe do të këshillohen me miqtë bullgarë e rumunë, se si ta ndërtojnë më mirë punën për bashkëpunimin ballkanik.

Në përfundim të bisedës shoku Bita foli mbi rezultatet e vizitës së shokut Hrushov në SHBA dhe mbi përgatitjen e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, lidhur me çështjen e zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë në BRSS.

K. Novikov, këshilltar i ambasadës së BRSS në RP të Shqipërisë.

Shënim: “Në arkiv: material informativ. Shefi i Sektorit V. Lesakov. 29.X.1959”.

(Burimi:KPSS, RGANI, F. 5, Op. 49, D. 211, L.  201-203. Nr. 71. Origjinal)

 

*          *          *

(Letër e ambasadës së BRSS në RPSH, mbi gjendjen në RPSH gjatë tremujorit të tretë të vitit 1959, mbi marrëdhëniet reciproke të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë).(Jo më vonë se 20 tetori vitit 1959)

Sekret

Ekzemplar nr. 2

 

Këshillat dhe rekomandimet që dha shoku N. S. Hrushov në maj të këtij viti, gjatë kohës së qëndrimit të tij për vizitë miqësore në RP të Shqipërisë, janë në qendër të vëmendjes së veprimtarisë të miqve shqiptarë. Partia e Punës e Shqipërisë dhe qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë kanë bërë një punë të qartë, për forcimin e paqes, uljen e tensionit ndërkombëtar dhe përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e tjera.

Qeveria e RP të Shqipërisë, duke ndjekur politikën e paqes dhe të uljes së tensionit ndërkombëtar, më 30 shtator 1959, doli me një deklaratë në mbështetje të Bashkimit Sovjetik, për çarmatosjen e plotë dhe të përgjithshme. Në deklaratë, theksohet se RP e Shqipërisë, mbështet plotësisht propozimin e Bashkimit Sovjetik për çështjen e mësipërme, si dhe vë në dukje se kjo iniciativë e qeverisë sovjetike, i përgjigjet interesave të gjithë njerëzimit dhe perspektivave të ruajtjes së paqes në të gjithë botën. Realizimi i këtij propozimi, thuhet më tej në deklaratë, është detyra më e rëndësishme e organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, në deklaratë theksohet se, RP e Shqipërisë si hap praktik për çështjen e forcimit të paqes në të gjithë botën, ka marrë masa për pakësimin e forcave të veta të armatosura. Qeveria e RPSH, ka shprehur gatishmërinë e vet për të marrë masa të mëtejshme në këtë drejtim, si dhe në aspektin e përmirësimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet, veçanërisht me shtetet fqinje.

Duke u nisur nga parimi i njohjes së sovranitetit të shteteve të tjerë, RP e Shqipërisë, në Sesionin XIV të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara foli për rivendosjen e të drejtave të ligjshme të Republikës Popullore të Kinës, në këtë organizatë.

Qeveria e RPSH-së reagoi ndaj rezolutës së Kongresit të SHBA, të 17 korrikut të këtij viti dhe ndaj deklaratës së presidentit Ajzenauer, lidhur me “javën e vendeve të robëruara”. Në Deklaratën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare për këtë çështje, më 6 gusht të këtij viti flitej se, si rezoluta e kongresit, ashtu edhe deklarata e Ajzenaurit i kundërvihen nocionit të sovranitetit e pavarësisë së shteteve sovrane, janë ndërhyrje në punët e brendshme të këtyre vendeve, nuk i përgjigjen frymës dhe parimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përshkohen nga fryma e “Luftës së Ftohtë”, dhe janë akt armiqësor jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe në drejtim të vendeve të tjera të Kampit Socialist.

Qeveria e RPSH, populli shqiptar janë shumë të interesuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes në Ballkan. Duke u nisur nga ky parim, Komiteti Shqiptar për Mbrojtjen e Paqes, më 12 korrik të këtij viti doli me një deklaratë, në të cilën sërish ngriti idenë e shprehur nga shoku N. S. Hrushov, mbi kthimin e Ballkanit në një zonë paqeje, të çliruar nga armët e raketat atomike. Kjo çështje, thuhet në deklaratë, është jetike për të gjithë popujt e Gadishullit Ballkanik.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të RPSH, shoku M. Shehu ka folur në mbështetje të propozimit të qeverisë së Rumanisë, të bërë më 6 korrik të këtij viti, mbi mbajtjen e një mbledhjeje të kryetarëve të qeverive të shteteve ballkanike dhe për lidhjen e një traktati të sigurimit reciprok midis tyre. Ajo mbështeti plotësisht deklaratën e qeverisë sovjetike të datës 25 qershor të këtij viti, lidhur me kthimin e Ballkanit dhe të zonës së Adriatikut, në një zonë pa armë e raketa atomike.

Në marrëdhëniet reciproke të RP të Shqipërisë me Jugosllavinë për periudhën e kaluar, nuk kanë ndodhur ndryshime të dukshme. Ato vazhdojnë të mbeten mjaft të tensionuara. Ç’është e vërteta miqtë shqiptarë, në muajin korrik të këtij viti e kthyen në Beograd të dërguarin e tyre. Ndërkaq, as pala shqiptare e as pala jugosllave, nuk kanë bërë hapa të mëtejshme në çështjen e përmirësimit të marrëdhënieve reciproke, në aspektin shtetëror. Deri tani, nuk është emëruar i dërguari jugosllav në Tiranë. Jugosllavia duket hapur, se po e zvarrit zgjidhjen e kësaj çështjeje. Vonesën në emërimin e të dërguarit punonjësit e misionit, e shpjegojnë me vonesën e përzgjedhjes së kandidaturës, si dhe me akuzat e shqiptarëve ndaj udhëheqjes jugosllave.

Vlen të vihet në dukje se, miqtë shqiptarë në shumicën e fjalimeve të tyre, për këtë çështje përdorin shprehje shumë të ashpra, shpesh herë ofenduese në adresë të udhëheqjes jugosllave, gjë që, padyshim, nuk ndihmon në demaskimin ideor të revizionizmit, por vetëm çon në acarimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kështu për shembull, në fjalimet e Enver Hoxhës, në kooperativën e bashkuar të fshatit Sofratikë, më 20 qershor të këtij viti, me rastin e hapjes së kanalit në Çukës, e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, më 8 korrik, gjatë takimit me rininë e qytetit të Tiranës, e Hysni Kapos, më 12 gusht, në Konferencën e VI të dalluarve të përgatitjes luftarake të policisë popullore, e Abdyl Këllezit, më 30 shtator, në mbledhjen kushtuar krijimit të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri – Kinë” dhe shumë të tjerëve, është vënë në dukje se, banda e renegatëve të Beogradit, me në krye Titon është agjenturë e imperializmit, armiq të marksizmit dhe armiq të betuar të popullit shqiptar. Mendimet e miqve shqiptarë për udhëheqësit jugosllavë vështirë se ndihmojnë demaskimin ideor të revizionizmit. Ato, në më të shumtën janë të paargumentuara dhe përdoren nga jugosllavët për të akuzuar miqtë shqiptarë dhe, në veçanti, shokun Enver Hoxha, për ekzagjerim të Luftës së Ftohtë, për acarim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje, si armik i unitetit dhe bashkëpunimit të shteteve ballkanike. Ndërprerja e thënieve të tilla të miqve shqiptarë, të botuara gjerësisht në shtyp do të ishte sipas mendimit tonë, një moment pozitiv.

Miqtë shqiptarë, si më parë, përpiqen të rregullojnë marrëdhëniet me fqinjin e tyre jugor – Greqinë. Qeveria e Shqipërisë ka shprehur dhe shpreh gatishmërinë për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike me Greqinë. Miqtë shqiptarë kanë propozuar të lidhin me Greqinë marrëveshjet e mëposhtme: mbi evitimin e incidenteve kufitare, mbi ndërtimin e shenjave kufitare, mbi shkëmbimin tregtar, mbi bashkëpunimin për luftë kundër epidemive në zonën kufitare, mbi vendosjen e lidhjeve postare. Ndërkaq, qeveria greke nuk po ecën në rrugën e lidhjes së këtyre marrëdhënieve dhe vazhdon të bëjë një fushatë armiqësore lidhur me RPSH.

Në intervistën e tij, dhënë redaktorit kryesor të gazetave bullgare “Rabotniçesko Diello” dhe “Zemledjelçesko Znamja” të 11 gushtit të këtij viti, Kryetari i Këshillit të Ministrave të RP të Shqipërisë Mehmet Shehu, për këtë çështje deklaroi, se personalitete e zyrtarë grekë kanë përsëri pretendime për Shqipërinë e Jugut, e cila, gjoja, është pjesë përbërëse e territorit grek. Qeveria shqiptare, duke u përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet me Greqinë, i jep ndihmë Bullgarisë për forcimin e lidhjeve me Greqinë. Shqipëria e ka mbështetur propozimin e Bullgarisë për të lidhur një traktat mossulmimi me Greqinë, gjë që u përgjigjet interesave të popujve të gjithë vendeve ballkanike.

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë vazhdojnë të mbeten të tensionuara. Miqtë shqiptarë, nuk i ndërpresin akuzat publike ndaj shtetit jugosllav, i cili i shfrytëzon ato, për të fajësuar Shqipërinë në acarimin e marrëdhënieve midis shteteve ballkanike, vendeve të Demokracive Popullore dhe Jugosllavisë, dhe se pengon vendosjen e lidhjeve normale ekonomike e kulturore.

Duke synuar përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, ambasada e konsideron të nevojshme, që për këtë çështje, të bëhet një bisedë personale me shokun Enver Hoxha, gjatë kohës së qëndrimit të delegacionit sovjetik në festimet e përvjetorit të XV të çlirimit të Shqipërisë, sepse biseda e zhvilluar më parë për këtë çështje, gjatë kohës së mungesës në vend të shokut Enver Hoxha dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike të KQ të PPSH, nuk u mbajt parasysh në masën e duhur.

V. Ivanov, ambasador i BRSS në RP të Shqipërisë.

“Sqarim: KQ i PKBS mori vendimin që të dërgojë në Shqipëri një grup specialistësh, me në krye shokun Esaullov, për të dhënë ndihmë në përcaktimin e perspektivave të ekonomisë, i cili do të fluturojë për në Shqipëri me avionin më të afërt (29.12.1954). Materiali mund të depozitohet në arkiv. Shefi i sektorit V. Lesakov, 29.12.1959.

(Burimi: KPSS, RGANI, F. 3, Op. 49, D. 210, L. 242 – 245, 264 – 265.Nr. 73. Origjinal).

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Promemorien e 5 tetorit 1960 të ambasadorit të BRSS në Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë, I.K. Zamçevski, drejtuar shefit të seksionit evropian (nr. 5) në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BRSS, S. T. Astavin, mbi Paktin Ballkanik).

-Mbështetja e Moskës për lidhjen e bashkëpunimin e Jugosllavisë me Greqinë e Turqinë dhe pasojat që erdhën nga izolimin e Shqipërisë.

-Arkivat Sekrete:Ideja e Moskës për ‘Paktin Ballkanik’, roli i Greqisë, Jugosllavisë dhe mënjanimi i Shqipërisë nda diskutimet për projektin.

Share This Article
2 Comments
  • Cfardo mundet te nxiren nga arkivat,por nje gje duhet te mesoje populli shqiptar,qe Tito per nga dipllomacia e vinte Enverin tone ne maj te bilbilit!
    Te zotit jepini hakun,ska rendesi se eshte me origjin Kroate!

  • Titon Enveri yne e vuri ne maje te bilbilit dhe partaqiti para gjithe botes. Klysheve te serbit apo kroateve ne dash tu vije mire ne dash tu vije keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *