Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International” u është drejtuar me shkresë zyrtare institucioneve të Kosovës për ndërhyrjen e Policisë në zyrat e Vetëvendosjes vitin e kaluar.
Pas hetimit që kjo organizatë ka bërë, i ka shkruar letër ministrit të Brendshëm, atij të Drejtësisë, drejtorit të Policisë, shefit të BE-së dhe Avokatit të Popullit, raporton KTV.
Në raport konstatohet se në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës për të arrestuar Albin Kurtin më 28 nëntor 2015 ka pasur përdorim të tepruar dhe abuziv të forcës nga policia, për të cilin AI shprehet e shqetësuar.
Në veçanti, “Amnesty International” vlerëson se angazhimi i policëve të armatosur në një nivel të tillë është krejtësisht i pavend. Raporti vë në pah se krejt ajo forcë e policisë kishte shkuar në zyrat e Vetëvendosjes për të arrestuar një individ të vetëm.
