Shqipëria është në depresion, ka nevojë për ilaçe shëruese dhe kura inkurajuese. Reforma në drejtësi duhet të fillojë me një paqe sociale, e cila fatkeqësisht, për faj të politikës dhe politikanëve, në Shqipëri nuk është e mundur. Ka dy vjet që “1 milion shuplakat” presin reformën dhe drejtësinë, por më kot. Asistojmë në debate parlamentare që fillojnë me: “ti ke vjedhur kaq…”, “ti ke vjedhur aq…”, “ju keni vjedhur kaq…”, “ju keni vjedhur aq…”. Njëra palë akuzon tjetrën dhe tjetra i rikthehet me akuza. Sa të vërteta janë akuzat, asnjë nuk është ulur t’i vërtetojë. Kjo sepse në Shqipëri politikanët, përtej së majtës dhe së djathtës, janë tolerantë ndaj njëri-tjetrit edhe pse akuzat janë për shifra marramendëse aq sa dhe borxhi i jashtëm i Shqipërisë. Kush vuan? Populli, dhe mirë t’i bëhet. Një popull që veneron torturuesin, hajdutin, mashtruesin, oratorin manipulator, pak e ka edhe kaq.
Reforma në drejtësi duhet të fillojë nga organet e drejtësisë dhe nga politika. Të gjithë ata që janë të akuzuar, qoftë edhe me sloganet e së drejtës së akuzës për politikë, duhet të japin dorëheqjen nga çdo lloj posti, qoftë të shumicës apo të pakicës pa pushtet. E njëjta gjë me gjykatësit dhe prokurorët të cilët nuk duhet të konsiderohen “perëndi”. Perëndi është vetëm sovrani dhe vetëm ai ka të drejtë të japë pushtet dhe ta heqë atë (sipas Kushtetutës).
Prandaj duhet të zbrazen burgjet nga pseudokriminelët e arrestuar për një cigare hashash, të rehabilituarit edhe nga dënime afatgjata. Të studiohet rast pas rasti çdo i dënuar dhe të aplikohet amnistia me kusht deri në 5 vjet nga një komision gjithëpërfshirës i përbërë nga organet e drejtësisë, të administratës së burgjeve, shoqërisë civile (të pa manipuluar) dhe të rifillojë zbatimi i ligjit. Dënimet alternative të jenë princip i gjykatësve dhe jo dënimi si një presion për detyrim korruptiv.
Një amnisti e përgjithshme me kusht do t’i jepte paqe shumë familjeve dhe personave. Flas për familje si një trung e jo vetëm përbërëse e thjeshtë. Do t’i jepte frymë shtetit, shoqërisë. Do të përkthehej në fuqi e shtetit që di të dënojë, por edhe të falë dhe në një mundësi investimi për të nesërmen.
Kjo paqe sociale do të mundësohej nga një tryezë e përbashkët e të gjitha partive politike, por përderisa të kemi lojë kungulleshkash çdo të enjte në parlament, asgjë nuk ka për të ndodhur.
E ardhmja nis me paqen, depresioni social nga humbja e saj. Shqipëria ka kohë në tranzicion, nuk i dihet data e mbarimit, sepse nuk dimë atë të fillimit…
Letër e nënshkruar
Ardi Omeri
