Rreth 220 të burgosur përfitojnë nga amnistia në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Mësohet se Drejtoria e Burgjeve ka nisur tashmë procedurat e lirimit të të burgosurve që kanë përfituar nga kjo amnisti.
Në bazë të kësaj amnistie, e cila u paralajmërua disa kohë më parë, përfitojnë lirinë e plotë rreth 220 të burgosur, ndërsa 160 të tjerë do të kenë një zbritje dënimi prej ¼-ës së dënimit të mbetur.
“Bazuar në ligjin nr.107, datë 08/ 11/2012, “Për dhënie amnistie”; në mbështetje të neneve 81/1-2, shkronja “ë” dhe 83/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, rreth 220 persona me liri të kufizuar do të përjashtohen nga ndjekja penale, vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit, sipas kritereve të dispozitave të ligjit të amnistisë, ndërsa për 160 të tjerë, do zbritet ¼ e dënimit të mbetur”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Procedurat e lirimit janë parashikuar të përfundojnë para mesnatës së sotme.