Protesta e qytetarëve në shenjë revolte ndaj vendimit të fundit të presidentit Gjorge Ivanov për të amnistuar politikanët nga ndjekja penale, rezultoi me përleshje mes policisë dhe protestuesve, pasi këta të fundit u përpoqën të çanin kordonin policor dhe të vazhdonin drejt selisë së VMRO-DPMNE-së, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).
Situata u përshkallëzua para Ministrisë së Drejtësisë, në momentin kur protestuesit u parandaluan të vazhdonin drejt selisë së VRMRO-DPMNE-së dhe filluan të hedhin gurë dhe mjete tjera të forta drejt forcave policore dhe ndërtesës së ministrisë, pas së cilës policia përdori forcë fizike për të shpërndarë turmën e protestuesve.
Policia arrestoi dhjetëra protestues, ndërsa ka edhe të plagosur, mes të cilëve edhe gazetarë.
Protesta e sotme filloi para zyrës së Prokurores Speciale, ku manifestuesit i dhanë përkrahje asaj për të vazhduar hetimet dhe më pas marshuan në Zyrën Kombëtare të presidentit Ivanov në qendër të qytetit.
Më pas ata u drejtuan drejt parlamentit, ku kordoni policor parandaloi t’i afrohen ndërtesës.
Sipas presidenti Ivanov, amnistia ndaj politikanëve do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike në vend si dhe në përmirësimin e marrëdhënieve dhe zvogëlimin e tensioneve mes forcave politike të ndryshme dhe mbështetësve të tyre.
