“Amore a La Morra” apo dashuria që nuk njeh moshë

DITA Online

Jeta s’është veçse një varg ndryshimesh të natyrshme dhe spontane. Mos iu kundërvini atyre, sepse kjo shkakton vetëm dhimbje. Lëreni gjithçka të rrjedhë natyrshëm ….

Lao Tzu

“Sa titull i bukur e gjithë muzikalitet”, mendova sapo mora në duar librin e Doli Veli Ypit. Një lojë e goditur me tingëllimin e fjalëve, që më intrigoi duke më krijuar një lloj lektisjeje romantike sikur do të ulesha të shihja ndonjë film italian të viteve ‘60 me Marcello Mastroiani-n dhe Sofia Loren-in.

Më këtë ndjesi nisa leximin e librit, i cili më befasoi që në faqet e para. Më kishin thënë që ky roman ishte botimi i saj i parë, gjë që, sa më tepër lexoja, aq më e pabesueshme më dukej. Më rrëmbeu ai rrëfim i sinqertë, herë i ndrojtur, herë i trishtuar e herë plot humor, një rrëfim sa i thellë aq edhe  i natyrshëm. Një copëz jete e jetuar në një vend të huaj, larg prej shumëkujt, por fare pranë të papriturës, të panjohurës, të paprekshmes, ndanë një udhe që josh, që premton, por që shfaqet e zhduket, që herë të mbush me shpresë e herë duket sikur të mashtron.

Është rrëfimi i Lilit, shqiptares që i shërben një zonje të moshuar në vilën e bukur në fshatin piemontez La Morra. Lili është një nga emigrantet e panumurta, që u larguan nga Shqipëria në vitet ‘90, lanë shtëpitë e tyre, familjet, të afërmit, i dhanë lamtumirën punës si mësuese, mjeke, inxhiniere a punëtore fabrike për të shërbyer në familjet e huaja nëpër Evropë, për të siguruar më shumë të ardhura e për të ndihmuar familjet e rrënuara ekonomikisht.

Lili e pranon pa më të voglin ngurrim pozitën e saj të re, duke iu përkushtuar pa kushte dhe pa ankesa punës. Ajo nis një jetë që nuk e kishte imagjinuar kurrë. Kjo është jeta mes luleve të kopshtit, të cilat përkëdhelen nga përkujdesjet e saj; mes vreshtave të rrushit, që ndajnë shtëpitë e fqinjëve; shtratit të domateve kuqaloshe të herrur gjithë mjeshëtri prej duarve të saj; thirrjeve të zonjës zemërmirë, por zevzeke.

Lili nuk është emigrantja qaramane, e përvuajtur, që lyp mëshirë për jetën e kaluar. Përkundrazi, fjalët e saj të pakta dhe punët e shumta mbartin sakrificat e një nëne dhe gruaje, që pajtohet me çfarëdolloj kushtesh për të mbijetuar me dinjitet në realitetin e pashmangshëm. Për të e tashmja dhe e kaluara janë të pandashme.  Kujtimet tirren dhe mpleksen me ngjyrat e luleve, me zërat e një gjuhe të huaj, me fytyrat e dashura të mbetura përtej detit, ndërkohë që dikur diçka e re, e ngrohtë, marroke dhe ngacmuese hedh rrënjë në shpirtin e saj, që nuk e njeh fare moshën. Afër të gjatëdhjetave, ajo nuk i friket asaj ndjenje, madje luan me nofkat qesharake që i vë vetes. Është ajo çka s’do ta kishte besuar kurrë se do t’i ndodhte pikërisht asaj: një dashuri e re! E martuar, me burrin në Shqipëri, nënë e dy fëmijëve të rritur, emigrante, shërbyese,ajo guxon e bie në dashuri me doktor Massimo-n…

Nuk jemi mësuar ta hasim këtë në një roman shqiptar, ndonëse përditë ndajmë biseda mes mikeshash për momente apo ndjenja, të cilat nuk njohin moshë të dytë apo të tretë, e që na çorodisin, na frikësojnë apo na bëjnë të qeshim.

Pikërisht këtu u befasova nga mjeshtëria e autores dhe e kuptova që ky ishte nga ata libra që duhej lexuar e shijuar ngadalë. Një libër që nuk doja ta mbaroja, një ndjesi që më shoqëroi  deri sa mbylla faqen e fundit. Jetova me Lilin, u bëra mikja e saj e heshtur dhe mbështetëse. Nuk desha të frikësohej, nuk desha të mpakej ndjenja e saj. Kur ktheva faqen e fundit, e kuptova që kisha dhënë e marrë me të copëza shpirti.

Gjatë leximeve të një jete kam pëlqyer me dhjetëra personazhe, kam qeshur e qarë bashkë me ta, jam frymëzuar a frikësuar prej shumë syresh si dhe jam përpjekur të identifikohem me plot të tjerë. Lili hyri e ndrojtur, por zuri vend thellë mes më të paharruarave.

 

​ Rezarta ResoWorcester, Shtator 2018

v.l/ Dita

Share This Article
3 Comments
  • Ypi ( me kete mbiemer) me shkolle te larte !..po te ishte diktature kjo Doli nuk duhet te mbaronte te larten…u bene te gjithe si Pellumb Kulla…

    ‘” mori pjese ne levizjen populore per permbysjen e diktatures..dhe ja mbathi ne Itali..
    .
    Nje gje nuk kuptoj me keto “rrexuesit e diktatures”..

    .Pse keto “rrexusa” u larguan me shumice absolue dhe blegerijne nga Italia apo Pellumbkullosin nga Amerika…Pra pse iken si ballista ne 1944-1945 keto ‘rrexusat” dhe merren me morrat e amores.Ypxhixhi do thoshte i madhi Ceke dhe nuk qendruan ne Shqiperi te ndertonin ate fare demonkracije qe doli me zi se ” diktatura” qe conte kaq shume armiq kllase me shkolle te larte..dhe tani pellumbkullevizohen…

    • Si do te shkoje puna e Xhixhi ndac demokraci ndac komunizem…ti e shoket e tuaj do rrojn me cmirrë e xhelozi per gjithcka.e gjithkend… shkruaje vet i liber e flasim ..se kollaj me bo doktorr Zeqo Pilafin na shpia (meqi paske idhull ceken)
      Nga nji mik qe ju do te miren

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *