– Kush është Artur Dojaka, politikani i ri çam për të cilin Ilir Meta tha se do të ishte “surpriza e 23 qershorit”. Çfarë thotë Eduard Zaloshnja për ndikimin e Aleancës Popullore të Dojakës në rezultatin e 23 qershorit, nëpërmjet qarkut delikat të Fierit. Edhe pse vetë Dojaka thotë: “Çdo votë, po përsëris, çdo votë që do të shkojë për Aleancën Popullore, do të ketë vëmendjen tonë maksimale, individ më individ pas 23 qershorit”.
Dy ditë më parë, kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh për të se “do të ishte surpriza e zgjedhjeve të 23 Qershorit”. Kur disa muaj më parë gazetari Alqi Koçiko botoi një portret të Artur Dojakës, në publik ngjalli veçanërisht kureshtje për mbiemrin e tij duke pasur parasysh Abaz Dojakën, i cili hodhi vite më parë themelet e rifutjes në axhendën politike të Shqipërisë të çështjes çame.
“Themelimi i shoqatës “Çamëria” në fillim të viteve ’90 nga folkloristi e studiuesi Abaz Dojaka (kushëri me Arturin), ishte një dritare shprese se çështja çame do të vihej në rrugën e një zgjidhjeje të drejtë dhe humane. Por ishte sidomos një vatër tek e cila çamët mblidheshin së bashku, diskutonin problemet e komunitetit e hidhnin dritë mbi vuajtjet që kishin pësuar”, shkruante Koçiko.
Tashmë Dojaka dhe Aleanca Popullore është një nga partitë që do ndikojë në mënyrë të spikatur hartën elektorale veçanërisht në qarqet me përqendrim të komunitetit çam. Analisti Eduard Zaloshnja, një njohës i mirë i kësaj harte, shkruante dje në blogun ResPublica se rezultati i Fierit përshembull, është vendimtar në atë që do të ndodhë më 23 qershor. Dhe aty Aleanca Popullore e Dojakës ka rol thelbësor.
“Kandidati që në 2009-n mori më shumë vota (rreth 4700) ndër partitë e vogla të koalicionit mazhoritar në Fier është biznesmeni çam Nimet Musaj. Sot është kandidati i partisë opozitare Aleanca Popullore. Në qoftë se ai do të jetë në gjendje të transferojë qoftë edhe gjysmën e votave që mori 4 vjet më parë, mbrojtja e 10 mandateve të koalicionit opozitar përforcohet ndjeshëm”, shkruan Zaloshnja.
Muajt e fundit Aleanca Popullore e Dojakës ka qenë ndër partitë më aktive me deklarata, tubime, konferenca e aktivitete të tjera. Vetë Dojaka ka cituar modelin e angazhimit të diasporës kosovare për atdheun e vet si një shembull i shkëlqyer. “Dhe ndjeshmëria e Kosovës për kauzën tonë është shumë e madhe. Kemi kontakte si me shqiptarët e Kosovës, edhe me ata të Turqisë, mes të cilëve ka shumë çamë”, thotë ai.
Janë shqiptarët e Çamërisë që u dëbuan si “turq” me disa valë raprezaljesh, kur në vitet ‘20 të shekullit të kaluar Greqia dhe Turqia kryen shkëmbimin e popullsive pas dështimit spektakolar ushtarak grek në Azinë e Vogël, nga dora e Mustafa Qemalit.
“Janë edhe ata, dëshmi e atij amaneti të vjetër”, thotë Artur Dojaka, “që të mbetet i ngulur në mendje dhe nuk të lë rehat. Një amanet që nuk blihet e as shitet me para e poste”. Më poshtë, një intervistë e kreut të Aleancës Popullore Artur Dojaka për Tirana Observer.
Z.Dojaka, përshëndetje. Komuniteti çam në këto zgjedhje do të futet me dy parti. Mendoni se do të dëmtoni njëra-tjetrën duke rrezikuar të mos keni më asnjë përfaqësues në Kuvend?
Komuniteti ynë jo tani, por historikisht ka qenë i dëshiruar për harmoni e bashkim jo vetëm sa u përket çamëve, por përgjithësisht faktorit shqiptar. Ndaj kjo ndjesi është krejt e kuptueshme. Po ashtu, ndjesia e këtij komuniteti të zgjuar e punëtor e ka bërë të vetëdijshëm se me emocionet, ndjenjat dhe pritshmëritë e tij është abuzuar dhimbshëm. Veprimtaria katërvjeçare e Idrizit e vërteton këtë. Partia apo, më saktë, ndërmarrja e tij i ka shërbyer si mekanizëm për të shtënë në dorë zyra patentash, licenca zhavorresh e turli lloj drejtorish të pushtetit.
Kjo zbulon kauzën e vërtetë të tij, por çamët kërkojnë tjetër gjë: Nëse kërkon përfaqësim në pushtetin politik, të duhet diplomacia, aksesi në Ministrinë e Jashtme, për ta bërë ndërkombëtarisht të njohur dhe ligjore çështjen tënde në çdo organizëm ku merren vendime me peshë. Spekulimet dhe butaforitë nuk gënjejnë dot më as kalamajtë. Komuniteti çam është i bashkuar. Do kenë rast ta bëjnë këtë konstatim të gjithë në 23 qershor. Ai që nuk i është bashkuar komunitetit është Idrizi. Dhe ndoshta edhe pyetja juaj pas disa ditësh do korrektohet; të shohim në listën e cilës parti do jetë z.Idrizi, PDIU apo ndonjë tjetër.
PDIU u zotua se do të bindte deputetë e Kuvendit për të miratuar rezolutën përpara zgjedhjeve. Nga ana tjetër kemi një rezolutë të vitit 2004 e cila sipas Servet Pëllumbit nuk është e miratuar ndërsa Idrizi deklaroi se ajo është miratuar. Si e shikoni gjithë këtë sorollatje dhe mungesë serioziteti që i bëhet rezolutën çame?
Pas tre vitesh e gjysmë, në sfondin e një zhgënjimi në rritje të komunitetit çam, befas vjen kjo rezolutë që përmendët ju me 13 rreshta. Një copë letër e pakonsultuar e negociuar me askënd, aq më pak me diplomacinë brenda dhe jashtë vendit, që u duk qartë se ishte një ekzibicion i zotit Idrizi. Por nëse ky është problemi i tij, problemi i komunitetit është se hapa të tillë e zhvlerësojnë dhe dëmtojnë çështjen. Dosja me emrin “rezoluta për çështjen çame” ka ekzistuar që në vitin 2004 kur Idrizi ishte drejtor doganash, e kur më pas protestat e çamëve morën përgjigje dhunën; në parim, çdo rezolutë e dokument tjetër me peshë është për t’u përshëndetur. Por kjo rezolutë ndoqi rrugën e gabuar: Pas prezantimit dhe dy javësh lobim, u deklarua se çdo pikë e saj mund të negociohej. “Ndërkohë që duhej bërë e anasjellta: Lobim, diskutime në komisionin e jashtëm parlamentar e sigurim mbështetjeje, pastaj prezantim. Por gjithçka u bë për fasadë, prandaj nuk pati asnjë reagim nga organizmat ndërkombëtarë, përveç deklarimeve negative të Greqisë. Kontributi i Idrizit sa u përket të drejtave të njeriut, do të mbahet mend vetëm në rastin e votës së tij pro Azerbajxhanit në Këshillin e Europës.
Çfarë do të bëni me rezolutën pas zgjedhjeve?
Të gjithë hapat e menduar janë në marrëveshjen që nënshkruam me Partinë Socialiste për koalicionin prezantuar në daljen e përbashkët me z.Rama. Jemi pjesë e këtij koalicioni fitues që kjo Rezolutë të kalojë në Kuvendin e ri, jo me marifete dhe falsifikime, por si vullnet i qartë dhe dinjitoz, me konsensus të të gjithë përfaqësuesve politikë të vendit, në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar.
Dy ditë më parë ju zhvilluat një takim publik me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Cili ishte qëllimi i këtij takimi dhe pse ju zgjodhi ju kur dihet se në koalicionin e majtë janë 40 parti?
Z.Meta e shprehu këtë kur foli mbi pritshmëritë e 23 qershorit. Por siç e theksova në takimin që ju përmendët, ne e filluam përpjekjen tonë në vitin 1991 me krijimin e Shoqatës “Çamëria”. Kemi vënë zemrën tonë, mundësitë tona dhe gjithçka tjetër në shërbim të një kauze që është amaneti i shenjtë i të parëve tanë. Çështja Çame duhet të bëhet çështje e shtetit shqiptar. Çështja çame nuk çohet përpara duke mbetur brenda kornizave të një komuniteti, sado i madh që të jetë ai. Ajo duhet të bëhet një çështje kombëtare dhe si e tillë, ajo duhet të adaptohet nga shteti shqiptar dhe strukturat e tij, duke filluar nga qeveria. Prandaj jemi sot pjesë e koalicionit “Aleanca për një Shqipëri Europiane” dhe të gjitha takimet e deritanishme dhe ato që vijnë janë në këtë funksion.
Ne do jemi aktivë në diplomaci dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Programi ynë është i qartë, dhe fatkeqësisht këto hapa duheshin hedhur shumë më herët. Së pari një lobim i fortë, serioz dhe i argumentuar pranë faktorit dhe organizmave ndërkombëtare, për të mbërritur në njohjen e një genocidi të mirëfilltë, dhe nisjen e procedurave për njohjen e të drejtave të mohuara padrejtësisht të një komuniteti të tërë. Kemi bërë përgatitje serioze dhe jemi të vendosur në materializimin e tyre në aksione konkrete politike e diplomatike.
I keni përzgjedhur kandidatët që do të përfaqësojnë Aleancën Popullore në zgjedhjet e 23 qershorit? Cili do jetë slogani juaj?
AP do të prezantojë kandidatë në qarqet e Vlorës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Tiranës dhe në të gjithë qarqet e tjera. Janë gra e burra të nderuar që kanë kontribuar për vendin, janë angazhuar edhe më parë. Slogani ynë është “Voto për veten tënde” dhe duke përfituar nga pyetja juaj, do doja të theksoja diçka të rëndësishme që ka të bëjë me këtë mesazh: Çdo votë, po përsëris çdo votë që do shkojë për Aleancën Popullore do ketë vëmendjen tonë maksimale, individ më individ pas 23 qershorit; e kemi këtë angazhim dhe këtë avantazh të cilin partitë e mëdha edhe sikur të duan, nuk e bëjnë dot me të gjithë për shkakun pikërisht se janë parti të mëdha. Nga Aleanca Popullore nuk do të ketë kurrë premtime boshe. Faleminderit për intervistën dhe përshëndes lexuesit e “Tirana Observer”, një nga gazetat e preferuara, që e lexoj përditë./Tirana Observer