Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, organizuan një takim konsultativ me Lidershipin e 31 organizatave rinore të Tiranës.
Takimi u realizua pranë zyrave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Pjesëmarrësit në takim diskutuan rreth problematikave dhe vështirësive që hasin gjatë punës së tyre, sidomos organizatat e reja. Ata parashtruan një sërë sugjerimesh që kishin të bënin kryesisht me lehtësimin e procedurave administrativo-fiskale, prioritarizimin e kuotëzuar mundësisht në përqindje të adresuar specifikisht për rininë, në financimet e ardhëshme të AMSHC-së.
Pjesëmarrësit gjithashtu ngritën dhe sërë pyetjesh teknike në lidhje më procesin e aplikimit, për të cilat u përgjigjem përfaqësuesit e Agjencisë në fjalë.
Pak ditë më parë Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Zyrën pranë Kryeministrisë dhe TACSO Albania zhvilloi një konsultë të gjerë me shoqërinë civile rreth prioriteteve të Thirrjes së radhës.
Ky takim u organizua në ambjentet e EU Info Centre dhe ishte vazhdimësia e një serie konsultimi të nisur online që në datë 15.01.2015, nëpërmjet një formati elektronik, ku OJF-të dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me fushat prioritare që duhet të përfshihen në financimet pëe 2015-n.
Drejtori Ekzekutiv i AMSHC-së Andi Kananaj bëri një përshkrim të shkurtër rreth rolit dhe rëndësisë së forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, për të rritur ndikimin dhe qëndrueshmërinë në raportet mes tyre.
Stefano Calabretta, përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së për Shoqërinë Civile dhe të Drejtat e Njeriut, shpjegoi fillimin e bashkëpunimit midis AMSHC-së dhe strukturave të Delegacionit të BE-së, të cilat përkrhin shoqërinë civile në Shqipëri.
Në vazhdim, foli, Evis Qaja kordinatore në Departamentin e Programimit të Zhvillimit të Financimeve dhe Ndihmës së Huaj, pranë Zyrës së Kryeministrit, Z. Genci Pasko, drejtor i programit TACSO, si dhe Znj. Kozara Kati, në cilësinë e Anëtares së Bordit Mbikëqyrës të AMSHC.
Për këtë takim pati një interes të madh, tregues i të cilit ishte pjesëmarrja e lartë e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë që operojnë në sektorin e shoqërisë civile.
