Ana tjetër e Katerinës së madhe të Rusisë

Leda Hysa

 

E zonja në drejtimin shtetit, por edhe e pacipë në jetën seksuale

ZYLYFTAR HOXHA

Ndoshta edhe i kanë rënë kot më qafë, ndoshta edhe janë të vërteta, por edhe për Katerinën e Madhe të Rusisë, si dhe për shumë gra të famshme të tjera, ka me mijëra e mijëra faqe të shkruara, me mijëra filma, piktura e gravura që tregojnë anën tjetër të monedhës, jetën e saj private.

Është një rast unikal në botë që një grua të sundojë aq gjatë, 34 vjet dhe të drejtojë një perandori aq të madhe sa Rusia dhe të mos përflitet.

Ajo sundoi nga 9 korriku 1762, kur mori pushtetin pas grushtit të shtetit, ku u vra dhe burri i saj Pjetri III, deri më 17 nëntor 1796.

Ajo jo vetëm sundoi, por edhe e lulëzoi dhe e forcoi vendin në mënyrën më të mirë dhe më perfekte të kohës. Në periudhën e saj janë bërë ndërtimet më të bukura dhe të një stili të veçantë jo vetëm në qendër, por në të gjithë Rusinë.

Katerina II, e njohur për shkak të famës, si Katerina e Madhe, ka qenë me origjinë prusiane, ka lindur në Sttetin, Prusi më 2 maj 1729 me emrin e plotë Sophie Friederike Auguste von Anhalt-Zerbst-Dornburg.

Qeverisja e Katerinës rivitalizoi Rusinë duke zgjeruar territoret dhe duke u bërë një prej Fuqive të Mëdha të Europës. Ajo besonte në fenë luteriane, por më pas u kthye në ortodokse.

Princi Potemkin, gënjeshtra e bardhë  për të bërë për vete sovranen

Gjatë revoltës së Pugaçevit në krah të Katerinës u shqua bukuria e një ushtaraku që thuhej se ishte një ndër të përkëdhelurit e Caristes, i cili më pas u bë Gjeneral i Qeverisë në Jug të Rusisë. Ai ishte Gregori Potemkin, i cili udhëhoqi fitoren në Krimea gjatë Luftës kundër Turqisë (1768-1774). Për këtë fitore Katerina i dha titullin Princ.

Potemkin ishte natyrë karrieriste dhe gjithmonë kishte ëndërruar të mposhtte Greqinë dhe Turqinë, për t’i bërë një shtet të vetëm, si ai që do të sundonte më vonë si Princ.

Ndërkohë, princi Potemkin kishte dhënë prova se ishte besnik i sovranes dhe ishte i gatshëm që të ishte pjesë e projekteve të saj për të populluar territor e për të zgjeruar pushtetin e saj perandorak. Dhe kur mendoi se kishte dhënë kontributin e tij të paktën në realizimin e një pjese të projektit të saj për pushtet, ai guxoi të ftonte sovranen në një udhëtim përgjatë lumit Dniepër, për të parë tokat e pushtuara. Por nuk ishte koha dhe as mundësia financiare për të ngritur shtëpi në tokat e pushtuara e për t’i bërë ato të banueshme.

Megjithatë Potemkin nuk e humb toruan për të bërë për vete Katerinën, ndërton disa shtëpi prej kartoni të pikturuara, që nga larg ose më saktë nga anija me të cilën ata udhëtonin, dukeshin si shtëpi prej vërteti, kamuflazhi ishte një “dhuratë” që Katerina e vlerësoi shumë.

Gjëja e rëndësishme e këtij udhëtimit ishte se çdo gjë u bë në mënyrë teatrale edhe figurative, dmth aty ku do të kalonte karroca me politikanët krijoheshin peizazhe e imazhe që nuk ekzistonin në realitet në Rusi.

Në fillim nëpër rrugë u mbollën lule e bimë që rriteshin vetëm në vende të ngrohta e prandaj detyroheshin t’i ndërronin herë pas here deri sa të kalonte karroca (duke shpenzuar shuma parash të mëdha); që të jepni imazhin se  popullsia nuk jetonte në varfëri, u dërguan me forcë njerëz, të cilët u veshën në mënyrë që të jepeshin bukurinë e lumturinë e shoqërisë imperiale ruse.

Sidoqoftë, edhe se u mor vesh, bëhej fjalë për një lojë teatrale, që për të parën herë detyronte një popullsi të tërë të luante një rol pa u ndjerë fare e pa dhënë asnjë lloj problemi.

Kështu Princi bëri për vete Katerinën dhe lidhja e tyre dashurore, plot intriga dhe “gënjeshtra” nga ato që quhen të bardha u bë dhe dashuria më e madhe perandorake.

Festa dhe dashnorë me shumicë!…

Duke qenë e gjithëpushtetshme, që bënte ç’të donte dhe si të donte, Katerina e Madhe e Rusisë është ndoshta figura më e debatueshme në histori ndër të gjithë sundimtarët e botës, e njohur për perversitetin e saj ekstrem.

Kur shkruajnë për të, shumë autorë pëlqejnë të tallen duke thënë se: “Katerina ishte e madhe në fron, në shtrat dhe ndoshta edhe në stallë”. Kjo e fundit merr shkas nga fjalët që qarkullonin rëndom në kohën e saj se perandoresha bënte seks me kuaj, dhe se kjo gjë i pëlqente shumë.

Ajo pati shumë dashnorë, nga të cilët historia njeh 21, dhe organizonte festa me temë seksuale shumë shpesh. Dashnorë të saj qenë oborrtarë, por edhe oficerë, ushtarë, marinarë dhe muzhikë që ajo i gjente gjatë udhëtimit.

Po t’u zësh besë atyre që thuhen për të, ajo bënte seks të fortë, duke u paraqitur si një egërsirë e vërtetë. Shtrati i saj për mashkullin ishte një torturë e vërtetë, sepse ajo nuk e ndjente veten asnjë herë të ngopur dhe kishte qejf t’i nënshtronte e tallte burrat në mënyrat më të ulëta. Bënte lojëra seksuale nga më të ndryshmet dhe nga më të shumtat që kishte dëgjuar apo që i shpikte vetë.

Tregojnë për një djalë muzhik që ajo kishte gjetur në stepat e Kaukazit, se i jepte një lloj bari që ai të mos pushonte. Pas disa netëve djali i vdiq në duar nga mbidoza e barit.

Në jetën e përditshme nuk e kishte për gjë t’i mbante legalë dashnorët, në mënyrë që të mos e mundonte veten me komplekse dhe të ishte e lirë të bënte si të donte dhe kur të donte.

Katerina nuk është se aktivitetin seksual ilegal e nisi pasi mbeti e ve. Përkundrazi në libra thuhet se ajo që kur kishte burrin gjallë, Pjetrin Madh, ndoshta edhe për karshillëk, ftonte haptazi burra në dhomën e saj të fjetjes.

Bashkë me një nga dashnorët e saj, kontin Grigori Orlov, ajo rrëzoi nga pushteti të shoqin, Pjetrin dhe u shpall perandoreshë.

Katerina e Madhe ishte një princeshë gjermane e pafajshme kur u dërgua në Rusi dhe u bë bashkëshortja e Dukës së Madh, Pjetër, trashëgimtarit të fronit. Ai ishte një burrë jashtëzakonisht i keq dhe një car i dobët. Nga ana tjetër, mbretëreshës i pëlqente seksi dhe i duhej një trashëgimtar.

Pas vrasjes së Pjetrit, ajo kaloi nëpër duar shumë dashnorë, më i famshmi ndër të cilët ishte Grigori Potemkinj. Historia e Katerinës me Potemkinin është si ajo e Kleopatrës me Antonin dhe Cezarin.

Petërburgu, monumenti i parë dhe më i madhi

Në nder të burrit të vrarë, 20 vjet më vonë ajo ngriti qytetin e Petërburgut, i cili u projektua dhe u realizua nga skulptori francez Falconet dhe dy ndihmësit të tij. Në këtë kohë u ngrit monumenti që Katerina e dytë, ose Katerina e Madhe e Rusisë, i bënte themeluesit, Pjetrit të Madh.

Me siguri edhe vetë Pjetri, me gjithë vizionin e tij të gjerë, nuk e kishte imagjinuar që San Pjetërburgu do të kishte një ditë shtrirjen, bukurinë dhe magjinë që ka sot.

Katerina e  bukur, energjike, ambicioze, inteligjente dhe e vendosur, e kaloi me ëmbëlsi dhe elegancë qytetin nga stili barok në atë klasik.

Shpirtit të fuqishëm të Pjetrit të Madh ajo i shtoi inteligjencën dhe shijen e saj të hollë dhe e bëri Europën të shikonte e habitur mrekullinë arkitekturore e artistike që po realizohej në San Pjetërburg.

Mrekullia me emrin Carskoje Cello

Një tjetër monument i ngritur në kohën e Katerinës së Madhe është edhe Monumenti i Trashëgimisë Botërore – UNESKO-s – Carskoje Cello (Fshati i Carit), që ndodhet në periferitë e Shën Petërburgut, si rezidenca e mrekullueshme verore ceremoniale perandorake.

Gjatë gjithë historisë së vet Carskoje Sello ka qenë qendër e Perandorisë së madhe, në të cilën vendoseshin fatet politike të Rusisë dhe Europës, njëkohësisht edhe një monument unikal arkitekture, për zbukurimin e të cilit u ftuan piktorët më të mirë nga e gjithë bota. Kjo rezidencë ishte gjithashtu edhe Meka letrare për shkrimtarët, poetët, mendimtarët.

Carskoje Sello përjetoi vitet e shkatërrimeve dhe rimëkëmbjen pasuese dhe mrekullon në ditët tona të gjithë atë që vijnë për ta vizituar.  Kjo rezidencë është e rrethuar nga një park i mrekullueshëm. Ndër gjithë rezidencat e tjera perandorake Carskoje Cello është e famshme me kopshtet e veta, ansamblin arkitektonik të objekteve të parkut dhe pallatet e quajtur Ekaterinskij dhe Aleksandrovskij.

Më i famshmi prej kopshteve mbretërore është Parku Ekaterinskij. Atë cari Pjetri i Parë ia dhuroi bashkëshortes së vet të ardhshme, Ekaterinës në vitin 1710. Parku Ekaterinskij, i cili ndodhet mbi kodrën që lartësohet përpara fasadës së pallatit, është një krijim monumental i mrekullueshëm për mbretëreshën.

KATERINA E MADHE DHE SHQIPTARËT

Shqiptarët e Ukrainës, mirënjohës Katerinës së Madhe

Shqiptarët e Ukrahinës u shpërngulën në rajonin e brigjeve të detit Azov rreth 10 km larg brigjeve, ku u themeluan 3 fshatra: Devnenskoje, sot Taz, Gjeorgjevka, sot Tyshki, Gamovra, sot Xhandran, ku jetojnë edhe sot. Është  e dokumentuar që këtë tokë atyre ua dhuroi Katerina II e Rusisë.

Banorët janë toskë, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes osmane. Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra, është një përzierje e shqipes toske me rusishten. Zakonet, veshjet dhe tiparet dalluese mbeten të njëjta në të gjitha fshatrat.

Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë dhe nuk harrojnë të nderojnë kujtimin e Katerinës së Madhe që i bëri me prona.

Katerina, një batalion me amazona shqiptare në ushtrinë e saj

Në maj 1787, një pric austriak, por edhe një nga memorialistët më të shquar evropianë të shekullit XVII, ka zbuluar në Krime (Ukrainë) “200 femra apo vajza të bukura” të “një batalioni Shqiptarësh” (bataillon d’Albanoises) në shërbim të Katerinës së Madhe të Rusisë.

Libri “Lettres et Pensées” me autor Sharl-Zhozef de Linj (Charles-Joseph de Ligne), është botuar, në vitin 1809, nën kujdesin e shkrimtares së famshme franceze Madam dë Stal (Madame de Staël). Aty thuhet se në vitin 1787 Katerina II (e Madhe) filloi një turne të gjatë inspektimi në Taurida, që zgjati deri në muajin korrik. Turneu kishte si qëllim të demonstroheshin mundësitë ekonomike dhe ushtarake të Rusisë dhe territoriete rifituara. Me këtë rast Grigorij Potemkin, favorit i Katerinës nxori në paradë “batalionin e Amazonave”, që ishin shqiptare.

“Unë nuk pashë këtu fytyra të zbuluara femrash, përveç një batalioni shqiptaresh nga një koloni e vogël maqedonase e vendosur në Balaklava (Bullgari): 200 femra apo vajza të bukura, (të armatosura) me pushkë, bajoneta dhe ushta, kraharore amazonash dhe me flokë të gjatë dhe gërsheta të hijshme, po vinin drejt nesh në shenjë nderim…”, shkruan Sharl-Zhozef de Linj.

Ëmbëlsirë me rrënjë preshi nga një kuzhinier beratas

Periudha e mbretërimit të Perandoreshës Ekaterina e Dytë në historinë e Rusisë u shënua nga shkëlqimi i aristokratëve që rivalizonin me njëri- tjetrin në luks. Pallate luksoze, veshje luksoze, ballo luksoze e dreka të papara luksoze…

Kurse vetë Perandoresha Ekaterina e Dytë dallohej për shije tejet modeste, ishte pa pretendime. Një filxhan kafe pa sheqer sapo ngrihej i zëvendësonte Perandoreshës mëngjesin. Kafen Ekaterina e pinte shumë të fortë e me kajmak të trashë qumështi. Duke përdorur kafen, Ekaterina i jepte të drejtë vetes provuar këtë kënaqësi, që i privohej dhe ndalohej seksit femër në Rusi.

Edhe gjatë të ngrënit të drekës Ekaterina e Dytë ishte mjaft e përmbajtur, me shumë kufizime. Provonte nga pak 3-4 gjellë. Preferonte ushqimin më të thjeshtë:  supën e quajtur Shi (supë me lakër turshi, arme), mish lope të zier me një kastravec turshi, çorbë hirre. Pëlqente shumë gjellët e yndyrshme, mishin me dhjamë. Pas buke asaj i servirnin mollë dhe vishnje. Pinte vazhdimisht çdo mëngjes një gotë verë “Madeira”.

Mysafirët, meqenëse nuk hante ajo, rrinin edhe ata pa ngrënë. Por kur ajo shkonte për të fjetur, ata suleshin pas ushqimeve sikur edhe në kosh të ishin.

Midis gjellëbërësve të Ekaterinës ishte edhe një shqiptar nga Berati. Atë Katerina e kishte marrë vetëm për një lloj ëmbëlsire me rrënjë preshi , recetën e së cilës ai e mbante sekret. Dhe, ashtu si kafen, që nuk e pinte tjetër femër në Rusi, edhe këtë ëmbëlsirë ajo e kishte ndaluar për të tjerët, duke kërcënuar kushinierin se do ta vriste nëse merrte vesh që atë ëmbëlsirë e kishte provuar tjetër njeri.

Share This Article
4 Comments
  • Zylyf! Te tera mire i ke thene, po ne fund e prishe me ate guzhinjerin e Beratit qe bente embelsire me rrenjet e preshit! Ne bote kete embelsire vetem Josif Mio di ta gatuaj dhe asnje tjeter!

    • Zylyfi, o Babale, i ka bërë çamur, jo vetëm atë punën e guzhinierit beratas. Ka ngatërruar burrin e saj, Pjetrin III, që jo vetëm nuk ishte Pjetrin i Madh, sepse ai i Madhi, ishte Pjetrin I, dhe kishte vdekur me kohë, kur Katerina lindi, por quhet Pjetrin më i Vogël që ka patur Rusia. Nga të gjithë Pjetrat e Rusisë, vetëm njëri ka qenë I Madh. E si mund të quhet edhe burri i Madh, kur gruaja emërohet e Madhe, aq më tepër për Katherinen që ishte e Madhe në shumë fusha.

  • More Zylyftar ! Te kam ditur gazetar serioz ; po si mund te shkruash ne nji shtyp serioz marrezira te tilla qe nuk mund ti perfytyroje nji mendje e shendoshe: Edhe ne qoftese i kishe digjuar apo edhe lexuar ne ndonji “pacavure” ti s’kishe perse te na i bije ne faqet e ketij shtypi ; me mire ti kishe mbajtur per vehte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *