Analfabetë me diplomë

anazapta

Vendimi i Qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi për themelimin e tri universiteteve të reja publike: në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë, ka kaluar të enjten për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, duke u shoqëruar me debate. Deputetët, përfshirë edhe kreun e Legjislativit, Jakup Krasniqin, kanë alarmuar se në Kosovë po nxirren analfabetë me diplomë. “Nuk kemi pse ta fusim kryet në zall e mos të shohim se kemi arrit të krijojmë nxënës të shkollës së mesme analfabetë. Prandaj, mos të krijojmë edhe analfabetë me njerëzit që kanë diplomë universiteti. Pra, kjo është frika ime”, ka qenë ky shqetësimi që ka ngritur i pari i Parlamentit, i cili ka pyetur ministrin e Arsimit, Ramë Buja, nëse ka “menduar” mirë për rritjen e numrit të universitete publike.

“A është arritur cilësia e duhur në universitetin publik që e kemi për të shkuar në hapin tjetër, pra themelimin e universiteteve tjera? Gjithashtu, a ka ndonjë planifikim për nxjerrjen e kuadrove dhe ekspertëve të ndryshëm?”, ishin këto disa nga shumë pyetje që shtroi Krasniqi. Ai madje ka adresuar kritika te përfaqësuesit e institucioneve, të cilat siç tha ai, po punojnë pa përgjegjësi institucionale me rekomandime të paplanifikuara. “S’ka shërbime të kualitetit të dijës”, ka thënë ai. Kritika për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë, erdhën zëshëm nga shumë deputetë në seancën plenare të Kuvendit, të cilët megjithatë me 78 vota për, asnjë kundër dhe 3 abstenime ratifikuan vendimin e Qeverisë për formimin e këtyre tri institucioneve publike të arsimit të lartë.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sabri Hamiti, ka adresuar një sërë kritikash, duke vënë në theks se nuk do të duhej të themeloheshin universitete të tilla të arsimit të lartë vetëm në bazë të motiveve popullore, por në bazë të planifikimeve dhe kritereve. Një shqetësim tjetër që ka ngritur profesori universitar ka qenë edhe mënyra se si shkruhen vendimet nga Ministria e Arsimit, e që ato dokumente mbesin në arkiv. “Ministria e Arsimit udhëhiqet nga një ministër që nuk është i pameçëm dhe që flet mirë shqip, por që dokumentet që shkruhen nga kjo ministri janë me shumë gabime”, ka thënë ai. Deputeti Sabri Hamiti, ndërkaq, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka universitet, por vetëm kolegje, derisa ka përmendur se dëshira është krejt diçka tjetër, e realiteti tjetër. “Njeriu mund t’i thotë vetes raketë, por nuk është “, ka qenë shprehja që ka përdorur Hamiti për të ironizuar vendimin e qeverisë. Pavarësisht kritikave që kanë ardhur nga deputetët, partia në pushtet ka kërkuar nga deputetët që ta mbështesin vendimin e qeverisë për themelimin e tri universiteteve publike. / Zëri.info

Share This Article
1 Comment
  • Bravo thaci vella siamez me sali QOFTELARGUN DY SHTETE NJE KOMB pasi administrata ne shqiperi eshte mbushur me militant injorant te kupoles se saliut nje lajm i gezuar na vjen nga kosova e thacit edhe ne do hapim universitete qe injorantet kosovar te behen nje me injorantet shqiptar qe pa pasur tetvjecaren te behen me master dhe doktoraturen fatkeqsi per kombin ton qe na drejtojn dy legena saliu dhe thacziu turpi u mbeft ne der

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *