Ruçi e Berisha 30 vjet deputetë, ja të tjerët mbi 20 vjet në Kuvend

DITA Online

 

Afrim Krasniqi*

Zgjedhjet mbaruan, parlamenti i ri është i kompletuar, ndaj ai merr vëmendjen kryesore. Në politikë shpesh flitet për “senatorë”, bazuar në suksesin në karrierën personale.

Në modele perëndimore, psh modelin amerikan, senatorë si Bajden, Kenedi, Hajden, Lugar, Smith, etj, janë kthyer në simbole të përfaqësimit, inspirimit politik dhe karrierës së votuar dhe të testuar. Modeli shqiptar është i përmbysur: tek ne termi “senator” nuk ka sens, pasi vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë me sistem votimi direkt nga qytetarët, më pas aplikuam sistem miks dhe prej 2009 deputetët de facto emërohen nga kryetarët e partive, pra nuk votohen nga qytetarët.

Duke qenë të tillë, është e vështirë të përcaktohet se cilët janë deputetët më të votuar në historinë e parlamentit dhe të bëhet një lidhje funksionale midis votave në elektorat dhe mandatit parlamentar.

Gjithsesi, një tregues karriere për parlamentin e ri është numri i mandateve parlamentare për deputetët. Ka prurje të reja, ka dy studente në parlament, por në thelb, “të vjetrit” kanë kontrollin dhe tabela është ilustrimi më i mirë.

Në parlamentin 2017-2021 Edi Rama ka mandatin e tij të dytë si deputet, Lulzim Basha ka mandatin e parë, kur Ilir Meta nuk është deputet për herë të parë prej vitit 1992.

Tabela ilustron jetëgjatësinë e jetës parlamentare për deputetët e zgjedhur më 2017.

Jashtë listës ka deputetë të tjerë, të cilët nuk morën mandat, por që kanë karrierë edhe më të gjatë, gjithsesi, treguesit e kësaj legjislature kanë më shumë interes publik sesa treguesit historikë të parlamentit.

Asnjë grua deputete nuk ndodhet në listën prej 17 deputetësh më me shumë mandate. 100% burra në vendin ku 50% votuese janë gra e vajza.

Tabela tregon se deputetët më me shumë mandate janë drejtuesi më jetëgjatë në PS e në PD, përkatësisht Ruçi dhe Berisha.

Më 2021 ata akumulojnë 29 vjet në parlament, – shifër rekord në historinë parlamentare pas 1990. Përpara 1990 ka pasur deputetë edhe më me shumë vite në parlament, por parlamenti ishte formal dhe mandati parlamentar ishte edhe më formal.

Pas dyshes kryesore vijnë pesë deputetë me nga 7 mandate parlamentare, tre socialistë (Majko, Ulqini e Braçe), një demokrat (Shehu) dhe një minoritar (Dule). Për shkak të mandateve të ndërprera parlamentare më 1991 dhe 1996, dhe ndikimit në kalkulime vitesh, rezulton se deputetë me 6 mandate, si Fino (PS) dhe Tavo (PS, LSI) kanë 24 vite në parlament, 3 më shumë se Shehu, Dule apo Angjeli.

Me pesë mandate të plota parlamentare janë Klosi (PS, nuk e dorëzoi mandatin edhe pas zgjedhjes ministër këtë legjislaturë), Xhafaj (PS), Mediu (PR), dhe Ndoka (PDK). Këta dy të fundit kanë fituar mandate kryesisht falë votave të PD dhe përfshirjes në listën e tyre proporcionale, megjithatë rezultojnë pjesë e 17 deputetëve më me shumë vite në parlament dhe më me shumë mandate parlamentare. I njëjti arsyetim vlen edhe për D.Shehin, i zgjedhur së fundi në siglën e PD në Tiranë.

Në politikë ka një parametër tjetër vlerësimi për karrierat politike: sa produktivë kanë qenë politikanët deputetë, cila është dobia e tyre publike, cilat ligje e reforma kanë inicuar, cfarë impakti kanë pasur në jetën politike dhe në cilësinë e përfaqësimit….pyetje, të cilat nëse i marrim si standarde edhe në vlerësimin e kësaj liste, rezulton se rreth 80% e listës do të merrte vlerësim negativ.

Sepse një pjesë e madhe e deputetëve “më me shumë mandate” dhe “më me shumë vite në parlament” nuk kanë inicuar ndonjë ligj në karrierën e tyre të gjatë parlamentare, nuk kanë mbrojtur ndonjë interes publik të vecantë, nuk kanë krijuar ndonjë model frymëzues politik dhe nuk kanë pasur ndonjë impakt publik pozitiv në forcimin e demokracisë përfaqësuese dhe besimit në institucionin e parlamentit.

Ata thjesht, u ndodhën në momentin e duhur, pranë liderit të duhur dhe vijuan karrierën, – pa lënë gjurmë, me sjellje të dukshme pragmatiste dhe duke ndryshuar vazhdimisht zonën elektorale apo partinë politike. Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) me mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë Holandeze do të kryejë monitorimin e Kuvendit, të aktivitetit dhe jetës parlamentare gjatë periudhës shtator 2017-2020, si një proces me rëndësi për të matur nivelin e demokracisë funksionale në Shqipëri.

140 deputetët e rinj do të jenë në fokus publik të monitorimit, me të dhëna online dhe përmes një aplikacioni të dedikuar për cdo qytetar që poseidon një smartphone, – ashtu si edhe parlamenti dhe aktiviteti i tij administrativ, politik dhe kushtetues.

Raporti i parë i monitorimit për sesionin që lamë pas, mbështetur nga FES, do të jetë publik me 6 korrik 2017, – me një gjetje interesante: deputetët më aktiv në Kuvend gjatë sesionit të kaluar nuk u përfshinë në listat e rikandidimit ose nuk fituan mandat të ri parlamentar, ndërkohë që shumë prej “të heshturve” ia arritën të rizgjidhen, kryesisht përmes besimit të kryetarit të partisë dhe vendeve preferenciale në listë!

 

*Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit: Deputetët “e përjetshëm” dhe modeli i munguar inspirues

Share This Article
10 Comments
  • I dashur afrim, shkruaj me mire vetem paragrafin e pare dhe paragrafin e fundit dhe u thane te gjitha ato cka kane rendesi. Pasqyrim i plote i politikes se kapur nga kryetaret plehra.

  • Berisha nuk ka qene deputet 5 vitet kur ka qene president, kurse Bashkim Fino u be deputet per here te pare ne 97-en. Llogarite duhen bere me mire…

  • E DO NJE KESHILLE TI AFERIM!?
    Kjo gjendje tragjike ne shtetin e kalifatit ndare ne bajraqe i ka rrenjet tek dizinformacioni ne sherbim te krimit e korrupsionit dhe ‘istituteve politike krriminale e antishqipetare qe drejtojne ca si puna jote qe pas 27 vjetesh eunuke te ‘salisjaneve’ metisteve e socialSSalisteve na ben analiza.
    Po te ka ngelur ‘cipe’ zhduku,po te ka ngelur shqipetarizem VRIT VEHTEN

  • Sa me shume te qendrosh ne politike, aq me shume konsumohesh! Kjo eshte e vertete si drita e diellit, sidomos per politikanet shqiptare! Shembujt i kemi prane!

  • Shkrim maskilist dhe i pasakte.Ermelinda Meksi eshte zgjedhur qysh ne 1992 e deri ne 2009 ne 6 legjislatura.Jozefina Topalli qysh prej 1996 deri ne 2013 ne 6 legjislatura.Arta Dade qysh ne 1997 deri ne 2013 ne 5 legjislatura.Namik Dokle ka 7 legjislatura gjithashtu.Sa per deputete meshkuj me 5 legjislatura ka shume te tjere qe jane harruar…

  • Shkrim maskilist dhe i pasakte.Ermelinda Meksi eshte zgjedhur prej vitit 1992 deri ne 2009 ne 6 legjislatura.Jozefina Topalli prej 1996 deri ne 2013 ne 6 legjislatura.Arta Dade nga1997 deri ne 2013 ne 5 legjislatura.Namik Dokle eshte zgjedhur ne 7 legjislatura gjithashtu.Sa per deputete meshkuj me 5 legjislatura ka shume te tjere qe jane harruar…

  • Keta qe asnje dite pune nuk kane po jetojne si pazaitet ne kurriz tone,jetojne me taxat tona tash e sa vjete. Dy mandat e jo ma shume.

  • Nga 17 deputete me me shume mandate, 100% jane… burracake.

    Shume e sakte, por a vlen kjo vetem per “despotetet”?

    Une mendoj se jo.

    Kur njihesh me keto te dhena gjeja e pare qe te shkon ne mendje eshte angazhimi jo i mjaftueshem i grave ne politike, dhe jo vetem.

    U mundova te beja lidhjen me perqindjet e analisteve me ne ze te gazetarise, dhe si per cudi arrita pak a shume ne te njejtin perfundim. Burrat dominojne edhe ne gazetari.

    Midis analisteve dhe gazetareve me te shquar si Thano, Zeqo, Islami, Bushati, Baze, Nano, Bekteshi, Nazarko, Kociko, Shkullaku, Krasniqi, Lela, etj., me perjashtime shume te paperfillshme e kisha te veshtire te reshtoja (pa e vrare shume mendjen) dhe emra te shquar femrash.

    Afrimi, si ekspert i ceshtjeve te politikes, le te na shpjegoje nese ky fenomen ka te beje me mungesen e angazhimit serioz te grave ne politike, me mungesen e mancipimit te tyre, me ndonje faktor tjeter si pshm. prapambetja arsimore, apo me te treja te marra se bashku.

  • Pra keta burrat me siper vetem rroga, rruge jashte shtetit,dieta e perfitime te tjera mund te kene qindra mijera dollare secili ne mos mbi 1 milion, nuk flas per perfitmet e paligjshme te formave te ndryshme me korupsion, futjen ne pune te fisit, privatizime apo shtpi e kredi.te mendosh se u kemi dhene kaq shume nga taksat dhe keta vetem se na kane bere dem ne vend qe te na sherbejne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *