ANALIZA: Gjermania frenon projektet e Macron për Europën

DITA Online

 

“Der Spiegel”: Iniciativa europiane e presidentit francez, Emmanuel Macron, ka vdekur dhe është varrosur vetëm pas shtatë muajve

Nga Yacine Le Forestier

Presidenti francez, Emmanuel Macron i shikon projektet e tij për rithemelimin e Europës gjithnjë e më të rrezikuara për shkak të pengesave me Gjermaninë e Angela Merkel.

Rreth një vit pas zgjedhjes së tij si president i Francës, me një dogmë shumë pro-europiane, pasuar nga shpalljet në të dyja anët e Rinit për një kapërcim të domosdoshëm të BE-së postBrexit, ka ardhur koha e gjuhës së drunjtë.

“Kjo duket shumë e vështirë dhe për mendimin tim duhet të lindë vetëm nga reformat”,thekson Stefani Weiss, analist në fondacionin gjerman ”Bertelsmann”.

E përjavshmja “Der Spiegel” shkon më larg kur thotë se “iniciativa europiane e presidentit francez ka vdekur dhe është varrosur vetëm pas shtatë muajve”.

”Mbërritja të enjten në Berlin e Emmanuel Macron, në vazhdën e fjalimit të tij në Parlamentin Europian, do të jetë rasti për të konstatuar thellësinë e varrit. Dhe kjo përfshin tashmë arsenalin për riforcimin e mbrojtjes së Europës”, shton ajo.

Përcaktuesi sirian

Më shumë se fjalimet e mëdha, sulmet në Siri kanë shërbyer si përcaktuese.

Brenda Bashkimit Europian, vetëm Franca dhe Britania e Madhe, vend që po përgatitet të largohet nga blloku, janë bashkuar me SHBA-në për bombardimet.

Gjermania ka refuzuar çdo pjesëmarrje duke mbështetur diplomacinë.

Ky qëndrim i Angela Merkel, nëse shpjegohet nga kufizime të rrepta parlamentare gjermane dhe pacifizmi thellësisht i vendosur nga opinioni publik, nuk është më pak i diskutueshëm, ashtu si në vitin 2011, kur Gjermania abstenoi gjatë një votimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke autorizuar përdorimin e forcës për mbrojtjen e popullsisë civile në Libi.

Për të përditshmen “Die Welt”, aktualisht, Macron, i cili kohët e fundit kishte ngritur zërin për domosdoshmërinë e Europës për t’u mbështetur në veten e saj përballë izolacionizmit amerikan, po mbështet presidentin Trump në çështjen e konfliktit sirian dhe jo Merkelin.

Bllokimi për euron

“Gjermania është vendosur mes një mungese të vullnetit dhe kapacitetit për të reaguar dhe me Sirinë ka treguar se ajo nuk mund të pretendojë statusin e fuqisë dominuese në Europë”, theksoi Thomas Jager, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Këln.

Arsenali tjetër i madh i Emmanuel Macron, reforma e zonës euro, me krijimin e një buxheti autonom për të ndihmuar investimet apo një ministër europian Financash nuk është pritur mirë.

Qeveria e re gjermane, politikisht shumë e brishtë, shfaq një skepticizëm në rritje.

Ajo i qëndron mendimit tradicional për të mos paguar për të tjerët.

Familja konservatore e Angela Merkelit shprehu këtë javë të gjitha gabimet që mendonte për projektet e presidentit francez dhe vendosi kushte strikte për atë që parashikon krijimin e një Fond Monetar Europian./ATA/AFP

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *