Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka qenë sot në Shkodër ku u zhvillua analiza vjetore e punës së policisë së këtij qyteti.
Nano ka kërkuar më tepër angazhim nga strukturat për të parandaluar ngjarjet kriminale. Ndër të tjera ai ka theksuar se s’do ketë asnjë tolerancë për efektivët e policisë që shpërdorojnë detyrën.
“Duhet më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal. Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron besimin që i është dhënë apo tradhëton parimet dhe kolegët.”
Më tej, Nano është ndalur në masat që duhen marrë për vitin 2022, për parandalimin e kultivimit të kanabisit.
“Për këtë puna duhet të fillojë që në këto momente, me marrjen e informacioneve për personat që përgatiten për të kultivuar bimë narkotike, për goditjen e atyre që fusin fara në mënyrë kontrabandë dhe i shesin me qëllim kultivimin e tyre, për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda, krimin e rrugës, si dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve, të cilat mund të çojnë në pasoja për jetën e qytetarëve.”
Nano ka kërkuar një bashkërendim të punës midis Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, që të koordinojnë veprimet me njëra-tjetrën, të bëjnë analiza risku dhe të godasin sa më ashpër, këdo që tenton të kryejë këtë veprimtari kriminale.
a.m/dita
