Analizat e mostrave të perimeve dalin negative, nuk ka rrezik për konsumatorin

anazapta

 Analizat e mostrave të perimeve të freskëta rezultojnë negative, e për rrjedhojë nuk rezulton asnjë problem për konsumatorin. Kjo është përgjigja e dhënë nga Instituti i Sigurisë Ushqimore e Veterinare, lidhur me testimet e kryera për praninë e hormoneve apo pesticideve tek perimet. Sipas ekspertëve të bujqësisë, analizat treguan se nuk mund te pretendohet për produkte tërësisht bio, por kanë rezultuar me mbetje pesticidesh më pak dhe se norma e lejuar nga Komuniteti Evropian, e cila parashikon 001 deri 1 miligram për 1 kilogram. Gjatë një deklarate për mediet, nëndrejtori i këtij instituti Ardian Xinxo ka sqaruar se prova në fjalë doli pasi u bë një prerje cezariane e kavies, në të cilën u injektua ekstrakti i kastravecit, dhe rezultoi se të gjitha organet e kavies ishin krejt normale, proces ky që u filmua dhe nga kamerat e pranishme. Në një prove të thjeshtë nëse ka pesticide, metale të rënda apo fitohormone, organet fryhen dhe ndryshojnë ngjyrë. “Rezultati i analizës që u krye nga ministri në Lushnjë, në kuadër të ngritjes të një sistemi rajonal të vlerësimit të pesticideve në produktet bimore, rezulton negativ. Për sa i përket analizave të mostrave që ka sjellë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë ardhur deri nga dy rrethe deri tani, janë 6 matrica dhe kanë ardhur nga Durrësi dhe nga Fieri dhe rezultatet gjithashtu tregojnë që janë nën nivelin maksimal të lejuar dhe flas për normat e Komitetit Evropian”, shpjegoi më tej Xinxo. Në këto kushte referuar analizave të bëra kryesisht mbi mostrat e sjella nga Durrësi e Fieri, (bëhet fjalë për domate, kastraveca, sallatë, mollë, kungull) rezulton se deri tani janë të gjitha nën normën e lejuar nga BE. Të gjitha këto mostra analizohen njëkohësisht për qindra pesticide të ndryshme. Aktualisht grafiku tregon se të gjitha analizat për 452 pesticide janë nën këtë normë të lejuar, pra plotësisht të sigurta për konsumatorin shqiptar. Rezultatet finale të mostrave që tashmë janë futur në proces analizimi dalin gjatë javës që vjen. I pyetur nëse këto analiza tregojnë se prodhimet shqiptare janë të sigurta, Xinxo ka deklaruar se bazuar në këto analiza konsumatori shqiptar është plotësisht i sigurt për konsumimin e tyre. Ministria e Bujqësisë ka kërkuar që analizat e produkteve ushqimore të bëhen në të gjithë laboratorët rajonale. 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *