Letër e nënshkruar
Beso Bashllari
Shokë! Ju them shokë sepse jemi njohur këtu e 24 vjet përpara. Kemi 24 vjet ballë për ballë.
Shokë! Keni 24 vjet që thoni të njëjtat gjëra! Keni 24 vjet që jeni paraqitur gjithë zhurmë nëpër ekrane sa herë që i është dashur politikës për t’u mbrojtur nga bëmat që ka bërë.
Keni 24 vjet që flisni, nervozoheni, bërtisni kundër krimit dhe korrupsionit. E humbët sfidën!
Keni 24 vjet që bëni po të njëjtën gjë për pronat. E humbët përsëri! Po 24 vjet keni që zhurmoni për vjedhjet shembullore që i bëhen popullit. Përsëri të humbur dolët! 24 vjet që u lodhët për shëndetësinë dhe arsimin. Njëra më keq se tjetra.
Fjalë, fjalë, fjalë… Sigurisht që arma juaj ajo është, por qëndrime ju asnjëherë nuk keni mbajtur. Bojkotojeni një herë këtë lloj politike! Bëhuni një herë burra tamam dhe mos dilni nëpër ekrane! I thoni stop këtij debati pa produkt! Por kuptohet. Këto nuk janë urdhra. Këto janë mendime.
Shokë! Pak respekt për këtë popull që ju ka ndjekur dhe respektuar kaq shumë me mendimin se ju do ndryshonit diçka. Sillni diçka të re dhe të mirë për popullin dhe vendin tuaj. Pagën njësoj do ta merrni. Shokë! Shpresoj në mirëkuptimin tuaj.
