Anatomia dhe Isa Mustafa!

redaktor

Lopa është kryefjala!

Por më parë, shkurtimisht them ta përsërisim se ç’do të thotë anatomi. Është shkenca që studion lidhjet mes organeve në strukturën e ndërtimit të bimëve, kafshëve dhe njerëzve…

Lopës, kësaj krijese të shenjtë që pasi ka pjellë gjithë jetën, ka dhënë qumësht dhe është shfrytëzuar deri në asht, i vjen dita e taksiratit dhe e therrin (e di që ngjan pak si melankoli komuniste).

Gjithsesi, ashtu si çdo dele, edhe lopa varet prej këmbëve të saj. Pas therrjes, menjëherë nis rrjepja e lëkurës. Pjesa më domethënëse e gjithë kësaj skene, është te koka e lënë mënjanë që shikon trupin e saj duke u zgërdhyer me gjuhë përjashta (po e mbyll me kaq këtë paragraf, që të mos dukem hipoman kapitalist!).

Kasapi me një thikë të vogël, ia çan barkun dhe e gjithë bota e brendshme e lopës bie përdhe. E menjëherë, po me një lëvizje të shpejtë ia heq unthin që mos të helmojë mishin dhe për të treguar mjeshtërinë e tij, thikën e pastron veçse mes brinjëve të lopës. Kasapi i bie me shuplakë kofshëve, e rrotullon në ganxhë dhe e ngjason atë me një rruspi lakuriqe…E mpreh hanxharin me një ereksion gjithë tërbim dhe veprimi i parë që bën është ta ndajë lopën në dysh përgjatë gjithë shtyllës kurrizore.

Pa e menduar dy herë e pa më të voglin dyshim, heq pjesët më të çmuara të mishit, pra filetot për t’ia falur xhambazit që ia gjeti lopën me çmim gati falas.

Jo, nuk mbaron me kaq…

E mandej e ndan mishin sipas anatomisë. Biftek, kondrafileto, rosto, bërxolla, brinjë, për pleskavica, suxhuk, qofte, gulash… Pasi nxjerr fitime të majme, në fund të ditës i lajmëron zoraxhinjtë që t’jua shesë me tender “botën e brendshme” të lopës, pra plëncin, shpretkën, mushkëritë etj. Kasapi kënaqet, ndërsa zoraxhinjtë zihen me njëri-tjetrin kur nisin e bëjnë historikun e lopës. Zgërdhihet ashtu si koka e lopës nga të bërtiturat, të sharrat dhe kacafytjet e zoraxhinjve! Dhe e gjitha kjo, për çfarë? Gjithë ky sherr, për 50 grosh zorrë…

Zajednica do të thotë që Kosova të konsiderohet edhe njëherë si një lopë e t’i dorëzohet edhe njëherë kasapit të Ballkanit. Do të thotë, që Isa Mustafa bashkë me muritët e sheriatit të tij, të përfitojnë filetot e kësaj lope. E mandej, çdo shqiptar i ndershëm e i ndërgjegjshëm, të trajtohet si zoraxhinjtë edhe 100 vite të tjera. Pra të qepen edhe njëherë rrobat e robërisë si në historinë sa të largët, po aq edhe të afërt me rrobaqepësin e ri, që sot quhet Isa Mustafa.

Protestat për ta kundërshtuar Zajednicën e cila synon ta ndajë Kosovën në anatomi, kështu si lopën, janë shumë herë më legjitime, paqësore dhe të shenjta në krahasim me ato që zhvillohen në vende demokratike. Sa i takon përdorimit të gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës, është po ai gaz që studentët e Kosovës e provuan në ’69 dhe ’81, pa përmendur dhe pas viteve ’90. Përfaqësuesi i popullit, për t’u njehsuar më së miri me votuesin që e bëri deputet, nuk duhet t’i harrojë ato vuajtje. Nuk duhet të harrojë se ilaçi më i mirë kundër gazit lotsjellës është të lahet fytyra me qumështin e lopës… e duhet ta dijë, kur lopës i grah vetë për nga kasapi, bashkë me lopën shkojnë edhe cicat e saj, pra edhe qumështi. E mandej ngelet veçse qyrravitja e pështirë.

Zajednica? Kosovën nuk mund ta ndajë askush. Jo vetëm pushteti i përkohshëm i Isa Mustafës e i muritëve të sheriatit të tij, por edhe sikur ta kapi e njëjta çmenduri edhe opozitën aktuale e t’i bashkohen kasapit, sërish Kosovën nuk mund ta ndajnë. Ashtu si shqiponjën, e ashtu si asnjë grimcë e tokës shqiptare, nuk mund të ndahet me anatomi!

Arsyeja që nuk mund ta bëjnë as veç e veç dhe as të mbledhur së bashku është: Prej disa vitesh ka nisur një proçes i jashtëzakonshëm mes atyre që e admirojnë përkatësinë e tyre gjenetike dhe respektojnë pa fund çdo kënd që i takon një etnie tjetër dhe pa kurrfarë inferioriteti. Prej tyre, po dokumentohet me shkencë dita-ditës çdo pjesë e historisë së këtij trualli si kurrë më parë. Nuk ka më të bësh politikë duke thënë “kështu kish pas thënë katragjyshi dikur”.

Ky proçes do bëjë që së shpejti Isa Mustafa e të ngjashmit e tij, të nisin të bëjnë anatominë e vetmisë së tyre. E për fatin e tyre të keq, të ngjashmit e tij janë kudo, pse jo edhe mes protestuesve.

 

Share This Article
3 Comments
  • Jenomen(gjithe permbajtja gjenetike e nje organizmi) e qenies Mustafa,nuk shkon pertej e asaj te nje qahjaji.
    Cdo fjale me teper per te,eshte kohe e humbur.

  • Ju lumte pena Zoti Ahmet,

    Nje shkrim mjaft i prekshem qe tregon se cfare masakre po i behet Shtetit te Kosoves, dhe cfare i pret shqipetaret pas kesaj kasapane qe Isa Mustafa and Co po i bejne vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *