Reali duhet të shënojë një gol në Dortmund për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e Champions League. Edhe pse ka fituar 3-0 në ndeshjen e parë, trajneri Karlo Ançeloti nuk mendon ende se skuadra e tij është kualifikuar, ndaj kërkon ta marrë me përqendrimin maksimal sfidën e sotme. “Kur luan në çerekfinalet e Champions League nuk ka nevojë për motivim. Sistemi ynë i lojës nuk do të ndryshojë as në Dortmund. Borusia ka kohë 90 minuta për të shënuar 4 gola, ndërsa ne 90 minuta për të shënuar vetëm një gol. Sa më shpejtë ta bëjmë këtë gjë aq më mirë do të jetë, pasi do të sigurojmë kualifikimin”, tha italiani. Ai ka grumbulluar për këtë ndeshje Kristiano Ronaldon, por ende nuk e ka vendosur nëse do ta aktivizojë, duke mos dashur të rrezikojë me gjendjen e portugezit. “Kristiano është stërvitur mirë dhe me intensitet, megjithatë nuk do të ndërmarr asnjë rrezik të tepërt. Nëse do të jetë 100 për qind i rikuperuar do të luajë, në të kundërt jo. Sipas meje, Ronaldo duhet të luajë gjithmonë, por problemi është që kur ai nuk ndihet mirë nuk duhet të zbresë në fushë. Ai është një profesionist i vërtetë që e njeh shumë mirë veten dhe kur nuk është mirë e thotë pa asnjë problem. Kështu ndodhi dhe me Real Sociedad”. Në ndeshjen e parë Dortmundit i mungoi sulmuesi Robert Levandovski, i cili do të luajë sot dhe Ançeloti thotë se me polakun Borusia është më e fortë: “Prania e tij e ndryshon ndeshjen. Levandovski është një sulmues me shumë cilësi, por mbi të gjitha është një pikë referimi për skuadrën e tij. Ai i jep më shumë potencial Borusias”.
