Carlo Ancelotti përjashton mundësinë që në sfidën kundër Villarreal në “Bernabeu” të aktivizojë portierin Keylor Navas. Ai mohon zërat mediatikë, duke nënvizuar se në projektin e tij nuk ka parashikuar një gardian për ndeshjet jashtë dhe një tjetër për ato të shtëpisë.
Në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri italian nuk dha asnjë pikë referimi duke shtuar se nuk ka marrë ende një vendim për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës. “Kam në dispozicion shumë lojtarë të aftë për të luajtur titullarë por nuk kam marrë ende asnjë vendim. Benzema? Nuk jam aspak i shqetësuar për formën e tij sepse ai është në gjendje të ndihmojë skuadrën në çdo moment dhe nuk duhet të ndihet nën presion”, thotë Ancelotti. Në vijim, tekniku i kampionëve të Europës përqendrohet te kundërshtari.
“Zhvilluan një sezon shumë pozitiv dhe janë një skuadër e shpejtë. Vilarreali luan i organizuar dhe ka shumë lojtarë për të zgjidhur ndeshjet. Për ne është shumë e rëndësishme ta nisim takimin me ritëm të lartë, ashtu si bëmë kundër Deportivos”, theksoi italiani. Ancelotti zbulon gjithashtu se Pepe dhe Coentrao nuk do të jenë në dispozicion të tij për sfidën e radhës, ndërsa shkëput një koment edhe për rritjen e nivelit të Gareth Bale.
“Tashmë ka fituar eksperiencën që sezonin e shkuar i mungonte. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë dhe unë besoj se mund të përmirësohet edhe më shumë”. Trajneri italian nuk u bën bisht pyetjeve edhe rreth zërave mediatikë që e shikojnë të ardhmen e Cristiano Ronaldos në Angli te Manchester United.
“Këto janë tema që nuk kanë asnjë kuptim sepse Cristiano ndihet shumë mirë këtu në Madrid dhe unë e shikoj të motivuar. Besoj se është shumë i lumtur që luan për Realin e Madridit”.
