Rikthimi i mbrojtësit Jerome Boateng te Bayern shtyhet sërish.
Kampioni i botës ditët e fundit ka punuar mirë, por trajneri Carlo Ancelotti dje saktësoi se nuk është ende gati.
“Mendojmë se ai ka nevojë edhe për një javë stërvitje”, – u shpreh italiani në konferencën për shtyp para ndeshjes së të shtunës me Hoffenheim-in në kampionat. Për sa i përket dëmtimit të austriakut David Alaba, Don Carlo njoftoi se zëvendësuesi i tij si mbrojtës i krahut të majtë do të jetë Rafinha.
Trajneri u përpoq t’i shmangej sa më shumë çështjes “Thomas Müller”.
I pyetur nëse ky i fundit nesër do të jetë titullar, 3-herë kampioni i Evropës u përgjigj: “Askujt nuk ia garantoj vendin e titullarit. Asnjëri prej lojtarëve të mi nuk është i padiskutueshëm. Kjo vlen edhe për të. E di historinë e Thomas-it te Bayern dhe rëndësinë e tij për klubin, por kemi shumë lojtarë të mirë”.
E drejtë, sidomos kur mendon se James Rodriguez tashmë s’është më në infermieri. Më 1 gusht, kolumbiani u dëmtua në kofshë, por u rikthye në fushë në ndeshjen kualifikuese të Botërorit të Rusisë të mërkurën, kur kombëtarja e tij, Kolumbia, u përball me Brazilin.
“James është paksa i lodhur, ashtu si edhe Arturo Vidal, prej rrugës, por nuk ka më probleme. Nuk e di nëse do të luajë, sepse sapo ka ardhur”, – përfundoi Ancelotti.
