Andi Bushati shkruan se nga sa ka dalë deri më tani, nuk ekziston asnjë fakt se Ilir Meta mund të ketë porositur vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit.
Sipas tij, edhe videot e publikuara, tregojnë se ato janë shumë amatore.
“Me sa duket, Ilir Meta po shpëton me shpejtësi nga akuza si porositës vrasësish me pagesë.
Përpos thënieve të Tom Doshit, ende nuk ekziston asnjë fakt dhe asnjë provë tjetër që ta fajësojë kreun e Kuvendit. Edhe vetë dëshmia filmike e Banit lë shumë dyshime në vetvete. Është e pamundur që një killeri, përveç parave, (dhe jo pak, por 500 mijë euro, sipas dëshmisë) t’i jepen njëkohësisht detaje se kush është porositësi, madje më tej akoma, edhe motivi për të cilën ai e kërkon këtë vrasje.
Kush i njeh sado pak ligjet e kësaj bote të errët, e di fare mirë që rregulli numër një është mosdekonspirimi i urdhëruesit. Edhe po të pranohet pretendimi se emri i Metës është përdorur si një garanci plus, pra për të treguar se “prapa është shteti”, përsëri rrëfimi çalon.
Mirë vrasësi me pagesë duhet ta dinte këtë për të marrë siguri, po përse vallë ai duhet të dinte se edhe ku i paskësh mbetur hatri Metës? Pra, pse duhet të dinte ai se e gjitha kjo po bëhej për një video të dikurshme? Më shumë sesa rrëfimi real i një “vrasësi”, filmi që ne pamë ishte një përpjekje për t’i mbushur mendjen publikut se diçka kishte ndodhur. Pa përfillur në këtë panoramë të gjitha informacionet “off” të propagandës qeveritare që flasin për përmbysje dëshmish e video të dyfishta, prapë mund të thuhet me siguri se, së paku deri më sot, nuk kemi asnjë fakt të qenësishëm që na lejon të drejtojmë gishtin mbi Ilir Metën në këtë histori”, shkruan Bushati në blogun lapsi.
