Andi Lila: Golin ia dedikoj djalit tim

redaktor

Pas atij ndaj Olympiacosit, Andi Lila realizoi një tjetër gol me fanellën Pas Janinës në këtë sezon të kampionatit grek, me ndryshimin e vetëm që këtë herë arriti ti jepte 3 pikët skuadrës së tij.

Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi i cili te Pas Janina luan në rolin e mesfushorit shkatërrues shënoi golin e avantazhit në suksesin 2-0 të skuadrës së trajnerit Petrakis ndaj Panaitolikos. Një gol që mund ti shërbejë 30-vjeçarit për vazhdimësinë te Pas Janina dhe mbi të gjitha për të arritur formën optimale për impenjimin me Shqipërinë në Euro 2016.

Në një lidhje telefonike për emisionin “Zona Gol”, Andi Lila dha përshtypjet e para pas këtij goli që erdhi në momentin e duhur për të. “Vija pas një periudhe të vështirë dhe ky gol ishte si një çlirim për mua shpresoj të vazhdoj të përmirësohem për të arritur formën më të mirë. Jam i kënaqur që i dhashë tre pikët skuadrës sime”.

Më pas futbollisti shqiptar shpjegoi edhe arsyet se përse këtë herë nuk festoi me simbolin e shqiponjës siç bëri në takimin ndaj kampionëve në fuqi të Olympiacosit: “Nuk festova me simbolin për vetë faktin se në këtë ndeshje po më ndiqte për herë të parë në stadium këtu te Pas Janina djali im, dhe golin ia dedikova atij”.

Lila nuk kishte sesi të mos fliste edhe për Kombëtaren kuqezi, që gjatë këtij muaji do të zhvillojë dy sfida miqësore ndaj Austrisë dhe Luksemburgut. “Në këto dy ndeshje trajneri do të përpiqet ti shikojë formën e lojtarëve dhe të provojë skema të reja, pasi në qershor na pret një muaj fantastik me Kombëtaren”, tha Lila.

Në fund 30-vjeçari si një ish-futbollist i Tiranës bëri një koment edhe për derbin e kryeqytetit që u zhvillua të premten dhe u fitua me rezultatin 2-0 nga Partizani. “Sigurisht që e ndoqa derbin, por si një ish-lojtar i Tiranës dhe tifoz i kësaj skuadra mbeta i zhgënjyer nga paraqitja e bardhebluve”, pohoi mbrojtësi kuqezi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *