Dhimitër Shtëmbari/ Publicist
Gazetari dhe shkrimtari Andon Kote lindi më 4 korrik të vitit 1924, në Përmet. Që kur ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç, më 28 nëntor të vitit 1937,shpirti i ndezur e ngjiti vogëlushin në ballkonin e Bashkisë së Përmetit për të deklamuar para popullit një poezi kushtuar 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Domosdo Lufta do t gjente pak më të rritur, më të pjekur. U rreshtua së pari në Çetën Partizane të Rrëzës së Përmetit, pastaj në radhët e Brigadës I Sulmuese Partizane. Pas çlirimit i u fut shkollës, në fillim Unikes, më pas të mesmes dhe më tej studimeve të larta ushtarake në Moskë të ish Bashkimit Sovjetik.
Falë vullnetit të madh, pasionit të jashtëzakonshëm dhe talentit të veçantë ai do të përfshihej menjëherë në armatën e publicistëve të parë shqiptarë, në gazetën “Luftëtari”, organ shtypi i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, ku do të ishte një nga gazetarët më të spikatur. Më pas ai pati dhe detyra të tjera të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, por asnjë herë nuk iu nda pasionit të tij, krijimtarisë publicistike dhe artistike.
Me daljen në pension, Andoni vazhdoi të shkruajë e të shkruajë. Në vitin 1994 Andon Kote shkoi me banim në Lauderdale të Floridës në SHBA, mbas djalit të tij të vetëm, Alfredit. Edhe këtu ky udhëtar i palodhur në rrugën drejt shpresës vazhdoi ndershëm për t’u integruar sa më mirë atje ku pat mbërritur. Kush lexon me kujdes skicat, tregimet, portretet, reportazhet që i kushtohen jetës urbane në Amerikë, nuk mund të mos i bëjë përshtypje fakti, se Andoni nuk është një njëri i hutuar mbas mrekullisë amerikane. Përkundrazi, del si një shqiptar shpresëndjellës, që i grish bashkëkombasit e vet në Atdhe për ta bërë Shqipërinë një copëz Amerikë.
Kam patur fatin që në begatinë krijuese të Andonit, në gati 18 vëllime, nga 21 gjithsej të jem ai që ka patur kontaktin e parë, që në dorëshkrim, me këto vepra në prozë e në poezi, të jem redaktori i tyre. Ndaj dhe kam një njohje dhe bindje absolute se Andon Kote përbën një figurë të ndritur të publicistikës shqiptare, dhe në përgjithësi të lerave shqipe. Krijimtaria letrare e Andon Kotes e merr materialin nga jeta e përditshme, material ky i përpunuar artistikisht në laboratorin krijues të autorit dhe i dërguar te lexuesi me ngjyrim dhe aromë tepër të këndshme. Në një letër që shkrimtari i madh, Dritero Agolli – Nderi i Kombit, i pat dërguar në Amerikë Andon Kotes, ndër të tjera i shkruante: “Shkrimet e tua më kanë pëlqyer për sinqeritetin dhe natyrshmërinë e shprehjes së ndjenjës atdhetare”. Ndërsa kritiku i njohur letrar, shkrimtari Dalan Shapllo në parathënien e librit “Guri është i rëndë në vendin e vet”, ndër të tjera shkruan: “Ky është një libër i sinqertë, që i flet ndërgjegjes shqiptare dhe ruan të gjallë ndjenjën më të lartë njerëzore; dashurinë e pashuar për Atdheun”.
Andon Kote po bën plot dhjetë vjet që është shkëputur nga familja dhe shoqëria. Menjëherë mbas ndarjes nga jeta, autori i këtij shkrimi i kushtoi një monografi: “Shkëndija prej një zjarri të shuar”.
Veprat
“Pranverë në natyrë, pranverë në zemrat e matjanëve – Novelë”
“Përmet, Përmet”! – Novelë
“Për shokët e mi ushtarë “ – Vëllim poetik,
“Nga disiplina, te heroizmi – një hap na ndan” – Libër didaktik
“Zjarri i zemrës sime”
“Ç’t’i jepja tjetër Atdheut?!” – vëllimin me tregime
“Kujtimet e trëndafilta” – portrete mërgimtarësh shqiptarë
“Guri është i rëndë në vendin e vet” – vëllim me skica, portrete e reportazhe “Tungjatjeta, Amerikë!”, vëllimin me proza e letërkëmbime
“Krenari shqiptare”, ditar 2001 në Amerikë
“Dallgëve të ndjenjave”
“Grimca të arta nga letërsia dhe arti’, vëllimin me poezi e skica
“Kosovës martire”, vëllimin me skica, rrëfenja e reportazhe
“Me mendimin te Atdheu”, vëllimin me skica, rrëfenja e intervista
“Gjurmëve të jetës sime”, vëllimin me kujtime e mbresa
“Frymëzime atdhetare”
“Rreth Flamurit të Përbashkuar” – vëllimin me skica e meditime etj.
