Zoti Adrian dhe redaksia e Ditës! Boll me çështjen Stefani. Sipas logjikës mjerane të A. Stefanit, të gjithë patriotët shqiptarë, nga lashtësia deri më sot, paskan luftuar për mallkim, sepse kanë luftuar për lirinë e atdheut?!
Unë kam mendimin se, të mendosh, të shprehesh, të këmbëngulësh si një adoleshent veç në mendimin tënd, megjithëse kritikohet dhe nga kolegët e vet më të afërt, në këtë rast nga Viktor Malaj, një penë e veçantë bindëse dhe argumentuese, nuk ka pse redaksia të vazhdojë të lejojë kritikë për kritikën pambarimisht. Stefani këmbëngul si një fëmijë gjithë teka e naze. Mallkon atdheun, mallkon ata që kanë luftuar e luftojnë për lirinë e atdheut. Po, më mallkon dhe mua se i kam falur jetën atdheut si pilot. Pse nuk e thua hapur more “kalama plot vese”, që ofendon me dhjetëra e qindra dëshmorë që kanë dhënë jetën për atdheun, ç’do me thënë shprehja jote, “liria kombëtare është një mashtrim”? Ose, “më mirë pushtimin e huaj, se sa një regjim jo të lirë”? Këto janë pallavra të tuat që nuk i vlejnë askujt. Ju del në krah pushtuesve. Njeri i mbrapshtë! Si mund të kesh liri personale kur nuk ke të lirë atdheun?
Zoti Stefani, je një bukëshkalë. Ti je për liri absolute të njeriut. Pa shiko sot në botë, kë përkrah ti me këto? Gestapon e Hitlerit, ISIS-in, terrorin, mostrat e neveritshme që dëgjojmë? Ti nuk je për shtet, nuk je për rregull, për norma bashkëjetese të njerëzve, të etnive, të popullit, se ti njeh vetëm lirinë që as vetë nuk e di se cila është. Më kot dredhon. Të pëlqen vetja, të krehën bishtin se luftove për Berishën, dhe t’u duk vetja se ti je mbi të gjithë. Jo mor zotëri, mbi ne të gjithë është vetëm atdheu. Pse nuk luftove ti për një liri të shkelur haptas deri më sot, të mbrojtjes së hapësirës ajrore të të gjithë shqiptarëve? Po me siguri ti nuk e di se ka dhe një liri të tillë. Je në kontradiktë me veten. Mendjemadhësia jote nuk pranon kritika, vërejtje. Të dashur redaktorë të Ditës! Ju lutem, mbylleni këtë çështje. Ka plot pse të shkruani. Ju dua, pa jua them. Me nderime e respekt,
