Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Sa gjë e zymtë është të mos dish adresën e shpirtit tënd! – ka pas thënë gjeniu francez Viktor Hygo. Kjo m’u kujtua kur nisa të hedhë shënimet e para për portretin interesant të Aneta Gjermënit nga Fieri Ri i ish rrethit të Lushnjës, por që herët shkoi me banim në kryeqytet.
Pse njihte mirë adresën e shpirtit të vet, prandaj Aneta që në rininë e saj të hershme ka qenë njësh ndër moshatare jo vetëm në Krutje, por edhe në qytetin e Lushnjes, ku, për disa kohë, ka qenë edhe kapitene e ekipit “Traktori” të volejbollit në kategorinë e parë për femra.
Kapitene ka qenë në sport, e tillë, “kapitene”, ka qenë edhe në veprimtaritë kulturore, në aktivitetet shoqërore, kudo. E shkathtë prej natyre, ajo ka lënë emër kudo që ka kontribuar.
E lindur në një familje me histori në shërbim të atdheut, Aneta që kur ishte nxënëse në shkollën shtatëvjeçare të Krutjes dallohej për zell në mësime, për prirje si interpretuese, për aftësi si sportiste. Madje, për talent edhe në pikturë.
Dhe erdhi një ditë, kur Anetës iu hap rruga për të vazhduar shkollën e mesme. Anetën ta çojmë për mësuese, që të na vijë sërish këtu në fshat, qenë shprehur ata të Këshillit Popullor të Fshatit të Bashkuar të Krutjes. Sepse do të na duhet jo thjesht si mësimdhënëse, por edhe si organizatore e veprimtarive artistike e sportive.
Në shtatorin e vitit 1956, Aneta nisi mësimet në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori” të Tiranës. Sikundër në shtatëvjeçare, edhe këtu vajza nga Fieri i Ri do të ishte ndër nxënëset më të dalluara. Dhe jo vetëm në mësime. Në olimpiadat dhe spartakiadat e shkollave të mesme të kryeqytetit ajo do të bëhej një emër shumë i njohur. Në valixhen e saj do të vendoseshin njëra pas tjetrës certifikata të ndryshme, që asaj i dorëzoheshin në fund të disa veprimtarive.
Në vitin 1960 Aneta kthehet në vendlindje. Tashmë është tetëmbëdhjetëvjeçare. Vajzë e pjekur. Fizikisht e fortë. Tepër e civilizuar.
Kapitene midis sportisteve më të dalluara të rrethit të Lushnjës.
– Tani detyrë kryesore do të keni atë të mësuesisë, – i pat thënë në një rast kryetari i Këshillit Popullor të Fshatit të Bashkuar të Krutjes, – por, ndërkohë, ju sugjerojmë që të merreni edhe me veprimtaritë sportive të kooperativës bujqësore.
As qe dashur t’i thuhej një gjë e tillë mësueses së re, sepse ajo kishte kohë që vazhdonte stërvitjet si volejbolliste. Trajneri, Faik Dervishi, që vinte rregullisht nga Lushnja, një figurë shumë e shquar e sportit në Myzeqe, organizonte çdo ditë stërvitje me vajzat volejbolliste, kapitene e të cilave ishte pikërisht Aneta.
Shumë nga ata që i kanë pas ndjekur ndeshjet e ekipit të volejbollit të Krutjes i mbajnë mend vajzat e kësaj kooperative, veçanërisht Anetën, që dëshmonte nivel të lartë sportiv. Volejbollistet e Krutjes atyre viteve shtatëdhjetë thuajse ishin absolute në takimet me shoqet e tyre në ekonomitë e tjera bujqësore.
Në Spartakiadën Kombëtare të Kooperativave Bujqësore, organizuar në Gjirokastër, ekipi përfaqësues i Lushnjës zuri vendin e parë, në të cilin Aneta u cilësua si volejbollistja mw e mirw. Edhe në Spartakiadën tjetër Kombëtare, por këtë herë organizuar në Vlorë, ishte po kjo që u cilësua si volejbollistja më e talentuar.
Dhe që në ato vite u hodhën bazat e forta të volejbollit për vajza në Krutje. Le të kujtojmë këtu se ekipi i vajzave volejbolliste të Krutjes ka dalë disa herë kampion kombëtar, duke sfiduar edhe ekipet e Dinamos, Partizanit e me radhë.

Jo vetëm interpretuese e talentuar, por edhe organizatore shumë e aftë
Ishin vite kur punohej me idealizëm. Vite kur nuk vihej re se sa shpërblim financiar merrje. Deviza ishte: sa do të japësh në interes të shoqërisë. Ja pse Anetës nuk i tepronte kohë të hante drekë. Sepse i duhej, që menjëherë mbas mësimit si mësuese të zbriste në këndin sportiv për stërvitje, ndërsa vonë, teksa vinte mbrëmja, i duhej të futej në shtëpinë e kulturës për të bërë prova për grupin artistik nën drejtimin e të pasionuarit Mërkur Bozgo.
– Lodheshim, pse të mos e pranojmë, – u ka pas treguar shoqeve Aneta, – por kur dëgjonim duartrokitjet e spektatorëve ndiheshim të lehtësuar.
Jo vetëm konferenciere, por edhe aktore e aftë, mësuesja e re nga Fieri i Ri shumë shpejt u bë një emër shumë i njohur në qytet, por edhe në fshatrat e rrethit të Lushnjës. Një vajzë plot sharm, me zë tingëllues, me lëvizje të gjalla i shtoi emrin e mirë estradës amatore të Krutjes.
Në librin “Historia e lëvizjes artistike – teatrale në Myzeqenë e Lushnjes”, ish- regjisori i parë i estradës profesioniste të Lushnjës, Tahsin Demiri shkruan: “…Është për t’u shënuar që u zgjodhën nga Krutja e Fieri i Ri për në estradën profesioniste, Aneta Gjermëni, Athina Vogli, Pertraq Dhimitri e të tjerë e të tjerë më pas”.

Hapi siparin e shfaqjes së parë të estradës profesioniste të Lushnjës.
Në një nga shënimet e Aneta Gjermënit, ndër të tjera, lexojmë: “Një ditë më thërret drejtori i shkollës shtatëvjeçare të Krutjes, Skënder Fusha nga Shkodra, dhe më thotë: “Nesër në orën dhjetë duhet të paraqiteni te Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit, Qemal Myrseli”.
Aneta nuk e kishte pyetur se përse thirrej në atë Komitet, nga që i shkonte mendja se thirrej për t’íu komunikuar ndonjë vend i ri pune për kulturën në rreth.
Dhe vërtet ashtu pat ndodhur: Anetës i qe komunikuar detyra për të kontribuar si aktore në estradën profesioniste të rrethit, estradë që sapo ishte krijuar.
Në prill të vitit 1962 do të jepej shfaqja e parë si estradë profesioniste me titullin “Shif e shkruaj”. Regjisori, Tahsin Demiri, i pat besuar detyrën e konferencieres. Kësisoj, Aneta ka mbetur aktorja që ka hapur siparin e shfaqjes së parë të estradës profesioniste.
Pak muaj më vonë, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë së Atdheut, u përgatit shfaqja tjetër me titull “Fletë nga albumi ynë”, që u prit shumë mirë nga spektatori lushnjar dhe më gjerë.
Për këtë shfaqje regjisori i saj, Tahsin Demiri do të shkruante: “… me punën e madhe të shkrimtarit, libretistit dhe aktorit të talentuar Hekuran Zhiti bashkë me Dhimon (Dhimitraq Nushi – shënimi ynë) e Jovanin (Jovan Bizhyti – shënimi ynë), me prezantuesen e pashme dhe me intelekt Aneta Gjermëni, shfaqja doli e suksesshme dhe kjo ishte edhe një tjetër hap për të ecur më të sigurt në të ardhshmen”.
Partnere dinjitoze përkrah artistëve të mëdhenj Vangjel Heba e Tano Banushi
Nën kujdesin e regjisorëve të njohur Tahsin Demiri, Naim Nova e Gëzim Libohova, Aneta Gjermëni do të bëhej jo vetëm një prezantuese e ngrohtë, por edhe një interpretuese plot ndjenjë.
Në verën e vitit 1963 organizohej në Durrës takimi zonal i disa prej estradave profesioniste. Natën e fundit do të jepeshin numrat më të zgjedhur nga të gjitha estradat. Kuptohet, do të ishin të pranishëm jo vetëm autoritete të rrethit të Durrësit, por edhe nga ministria e Arsimit e Kulturës, madje edhe nga instancat më të larta shtetërore e partiake.
– Prezantuese do të jeni ju, – i thanë Anetës, – prandaj bëni ca prova dhe …
– Unë prezantuese?! Si mundet, kur këtu ka prezantues shumë të mira nga estradat e tjera! – qe shprehur vajza lushnjare.
– A e dini se cilin do të keni partner?
Aneta kishte mbetur pa frymë.
– Do të keni artistin e madh të Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Vangjel Heba.
Dhe shfaqja qe dhënë me ritmin e duhur. Aneta kaloi një sprovë të vështirë, por shumë të suksesshme.
Një sprovë të tillë do ta kalonte edhe një vit më vonë, por kësaj here në Elbasan. Dhe partner do të kishte të madhin Tano Banushi.
Për rolin aktiv dhe kontributin që ka dhënë për kulturën në rrethin e Lushnjës, me rastin e 55 vjetorit të krijimit të estradës profesioniste, kryetari i Bashkisë së Lushnjës, zoti Fatos Tushe i dorëzoi Anetës një Çertifikatë mirënjohjeje.
E pasionuar edhe mbas artit të pikturës
Portreti i Aneta Gjermënit do të dilte i paplotë po të mos shënonim diçka edhe rreth pasionit të saj të veçantë për t’u marrë me pikturë.
Që kur ishte nxënëse në shkollën pedagogjike “17 Nëntori” të kryeqytetit ajo vizatonte portrete shoqesh, aksionistesh, figura artistesh nga filma të ndryshme.
Vizatimet e saj jo rrallë ekspozoheshin në korridoret e shkollës, duke u bërë objekt diskutimesh mes mësuesve e nxënësve. Madje këto vizatime patën tërhequr interesin e disa prej piktorëve të njohur në Tiranë.
Edhe tani që është në pension, Anetës nuk i rrihet pa pikturuar. I pëlqejnë sidomos peizazhet, duke i paraqitur ato përmes magjisë së ngjyrave.
– Është një pasion i kahershëm imi, – shprehet ajo. – Sikurse nuk më rrihet pa deklamuar vargje të poetëve tanë më të mirë, po ashtu ndihem e plotësuar kur kap penelin dhe pikturoj.

* * *
Pas disa viteve kontribut të shquar sportiv e artistik në Lushnje, Aneta Gjermëni do të shkëputej nga trupa e estradës, sepse do të martohej në Tiranë me Piro Karolin (Spahiun), ndarë nga jeta para pak kohësh.
Regjisori i shquar Pandi Stillu, që ia kish pas njohur mirë aftësitë Anetës që në Lushnjë, e ftoi që t’i bëhej pjesë kastës së aktorëve të Teatrit Popullor, por aktorja lushnjare, për rrethanat e reja që iu krijuan, nuk pranoi.
Zgjodhi detyrën e bukur të mësuesisë dhe iu përkushtua familjes.

Si gjithmonë, i sakt ,i ëmbel ne rreshtat tuaj. Duket sikur, jo i shkruan ,por i përkëdhel me dorë, me një kënaqësi që të del nga shpirti yt ,aq bujar e krenari,për të gjitha figurat e nderuara të rrethit ku ju kini lindur ,në Lushnje. Ja dhe sot shkruani për Aneta Gjermenin , një person i talentuar, krah figurave të shquara të femrave Lushnjare si Vace Zela, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, kengëtarja Korreshi . U lumte dora dhe jeni një person i nderuar i atij rrethi. Urime !
i dashur dhimiter, e lexova shkrimin sepse emri yt pati munguar goxha gjate ne DITA, dhe se dyti sepse ti di te shkruash me shpirt jo vetem per ata nga lushnja por e tere Shqiperia. Ajo vajze,tani zonje e nderuar pensioniste,Aneta Gjermeni, duhet renditur nder me te medhajat e Lushnjes dhe me gjere sepse ka qene mjeshtre e disa fushave dhe me kontribute te shquara ne disa sektore te jetes sone. Te tilla figura e nderojne vendin dhe histroine e popullit tone.
Te lumte mendja dhe dora per shkrimin aq te embel.jam dakord plotesisht edh eme mendimet e SHOKUT.Ilmi qazimi
Ca ylli paska qene kjo re. Hajde bej ekip me cupat e Krutjes sot. Te mos themi ku perfunduan shume pas 90es. Nuk ja arrini dhe 500 vhet te tjera regjimit te Enver Hoxhes